“Çunat” e Sajmos, po marrin arratinë..

Vjollca KUTA

Hashashi që u “qeshte buzën” kur e mbillnin, korrnin, paketonin e trafikonin, tani ua ka “ngrirë buzëqeshjen”. Nisi me “kapiten” Saimir Tahirin dhe po vazhdon me “çunat” e tij të besuar, të cilët nuk i vuri të ruanin dhe garantonin rendin e sigurinë në publik, por të ruanin dhe garantonin hashashin kur mbillej në fusha e në kubikë. “Çunat” e Sajmos që tashmë kanë nisur të kërkohen nga drejtësia, pasi nuk kanë gjetur dot strehë dhe mbrojtje nga shefi i tyre, i cili është vetë në hall me drejtësinë, kanë nisur t’ia mbathin jashtë shtetit. Nuk po arratisen për të çuar drogën e shef Sajmos dhe “kiu-five” të tjerë, që i graduan si “miq të besuar”, por për të shpëtuar prej drejtësisë. Para se të hidheshin prangat e para në duart e 3-4 “çunave” të Sajmos, thuhet se ata u njoftuan paraprakisht e u strehuan nëpër bunkerët e drogës buzë kufirit dhe u “trafikuan” jashtë shtetit. Të ikurit “natën” janë drejtues të lartë policie në rajone e jo “policë katundi”, nga ata “bedelët” që numëronin thasët e drogës dhe vadisnin parcelat e mbjella, për të mos humbur vendin e punës. Arratia e tyre është një alarm për zbardhje urgjente, duke nisur nga shefi i “çunave”, pasi arratia tyre ka lidhje kryesore me Sajmon, i cili i bëri shërbëtorë të trafikantëve dhe tashmë i ka bërë kurbanë të tij. Aq keq janë trashur zullumet e kupolës së policisë me drogën në Shqipëri, sa “çunat më të mirë” të Sajmos, po udhëzohen e po detyrohen të marrin arratinë! Aq shumë është qelbur “komanda e legjionit të nderit” në punët e drogës, sa dekonspirohet edhe një aksion policor “VIP”, që i detyron “Tano Karidët” të çojnë policinë në banesat “çunave” të Sajmos, por pasi ata ia kanë mbathur për jashtë shtetit! Aq shumë dinë “çunat” e Sajmos, sa që pas urdhrit për arrest dhe marrje në pyetje, duheshin nisur urgjent... “prapa diellit”! Aq të qetë duken shefat e “Rilindjes” pas nisjes së “çunave” të Sajmos në “diasporë”, sa kanë nisur të dalin e të deklarojnë, se “dështoi plani i arrestimit, pasi nuk i gjetëm në shtëpi”, ndërkohë kanë bërë aksione sekrete e të suksesshme edhe ndaj fakirëve, që prej varfërisë ekstreme nuk kanë paguar dot 3 mijë lekë energji elektrike! Sipas informacioneve, flitet se do të marrin arratinë edhe shumë “çuna” të tjerë të Sajmos, madje shumë prej tyre kanë bllokuar numrat zyrtarë të telefonave dhe nuk po paraqiten as në punë, gjoja si të “sëmurë e me probleme familjare”! Listat emërore të tyre dihen dhe janë gati për ekzekutim. Por nuk duhet pritur, pas urdhër arresteve, që të mos gjenden në banesa edhe “çunat” e tjerë të Sajmos,...