Ulet numri i degëve dhe punonjësve në banka

617
Bankat janë një punë e preferuar për shumëkënd, sidomos ata që mbarojnë ekonomikun. Por, prej disa vitesh, është e vështirë të gjesh punë në një bankë, pasi ato nuk po zgjerohen, përkundrazi po reduktojnë degët. Edhe në 2017-n, sistemi bankar ka vijuar të reduktojë numrin e degëve në vend. Sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave, në total, në fund të vitit 2017, kishte 479 degë, 24 më pak se një vit më parë. U hapën vetëm tre degë të reja. Në rënie të lehtë ishte dhe numri i punonjësve. Në banka punojnë gati 6900 punonjës, apo 56 më pak se një vit më parë. Edhe në 2018-n, bankat nuk do të jenë të prira të zgjerohen, teksa një pjesë e tyre janë në shitje dhe sistemi është në fazë konsolidimi. Aktualisht në Shqipëri, numri i bankave ka zbritur nga 16, në 14. Banka e Shqipërisë, në raportin e saj vjetor, thotë se gjatë vitit 2017, u dha miratimin për transferimin e 100% të pronësisë së aksioneve të një banke, transferimin e pjesëmarrjes influencuese (të tërthortë) në kapitalin aksioner të një banke, u vlerësuan dhe u miratuan tre kërkesa të bankave për shtimin e veprimtarive financiare të lejueshme në aneksin e licencës, që konsistojnë në ushtrimin e veprimtarisë të ndërmjetësimit në sigurime dhe risigurime, u miratua kërkesa e një banke për hapjen e një filiali jashtë territorit të Shqipërisë, nëpërmjet transformimit të degës së saj atje në filial.
Sigal