“Ujqërit e bardhë” të spitaleve shtetërore

592
Rritja e ndjeshme e siguracionit të makinave ditët e fundit, përveç se ka futur në vështirësi financiare këtej e tutje qytetarët, duket se ka futur në lojën e ndyrë të korrupsionit edhe bluzat e bardha. Një qytetar nga Elbasani, emigrant në Itali, Ymer. B., i tha dje “Telegraf” se “dy ditë më parë jam gjendur bashkë me familjarët e mi në një situatë mjaft të vështirë, kur kam dërguar me urgjencë në Kirurgji djalin e vogël, pasi kishim marrë përgjigjen e analizave dhe vizitës dhe rezultonte se duhej të operohej nga apendesiti, por atje ndeshëm me specie të rralla, të pashpirta, që talleshin dhe përbuznin njeriun, edhe kur ai është në gjendje kritike për jetën. Ishte pasdite vonë, kur ne kemi marrë kontakt me mjekun kirurg, folëm dhe vendosëm të futej me urgjencë në sallën e operacionit djali, por tek dera infermierja dhe ai që nuk e di pse duhet ta quaj akoma mjek, pas kërkesës tonë për kujdes në sallë, na thanë se “u rrit siguracioni makinave, e morët vesh, e rriti qeveria, ndaj është rritur edhe kujdesi ndaj njeriut, e kuptoni vetë”. Mbetëm të shtangur, bashkë me gruan dhe kunatën, e kishim mendjen tek djali që kishte kriza, por tani na duhej ta kishim vëmendjen tonë edhe tek rritja e siguracionit, duke pyetur njëri-tjetrin sa duhej t’i japim dhe si përfundim pas nja 5 minutash na vjen një tjetër bluzë e bardhë, ishte djalosh dhe na thotë “ti je ai emigranti, dëgjo duhen 450 euro për kujdesin special ndaj djalit”. 

Duke mbajtur dhimbjen dhe inatin ndaj një situate të tillë, Ymer. B. tregoi se “vajta në makinë, mora lekët, nxitova me vrap për t’i kthyer në euro dhe kam ardhur me një frymë për të paguar siguracionin e jetës së djalit tim, kjo është shëndetësia falas e kësaj qeverie, kjo është shëndetësia e përkushtuar ndaj jetës së pacientit, kjo është lufta ndaj korrupsionit, kur një mjek kirurg, që siç mësova kishte edhe klinikë të paligjshme në Elbasan, të tregon se si qeveria, ka rritur siguracionin e makinave dhe barazon jetën e një njeriu me mjetin, një rast ku duhet të ndalet ministri Beqja dhe jo të dalë para kamerave dhe të na tregojë përralla për shëndetësinë falas në Shqipëri”. Duke vazhduar tregimin e tij, emigranti që kishte ardhur për pushime dhe përfundoi tek kasapët, ndoshta rastësisht, u shpreh se “kisha dy vjet pa ardhur në Shqipëri, të them të drejtën kisha mall, sepse kisha dy vjet që nuk kisha takuar prindërit, vëllezërit, motrën, por këtu qenka qelbur gjithçka, jam shokuar nga sjelljet vulgare dhe kërkesat e turpshme të një mjeku apo një infermieri, për të zhvatur para me çdo kusht, edhe kur bëhet fjalë për jetë njeriu, isha gati të nisesha natën drejt Italisë me djalin e sëmurë, por ktheva mëndje, sepse më thanë vëllezërit që mund ta dërgoja djalin edhe në spitalin këtu, tani pres të kalojnë disa ditë, që të qetësohet djali dhe do t’ia mbath drejt Italisë për të qëndruar jo dy, por dymbëdhjetë vjet pa ardhur”. 

Pavarësisht se kishte pësuar gjendje shoku nga meraku për djalin, se kishte marrë zhgënjim nga mënyra e sjelljes së një kirurgu dhe sekserit të tij, që e mbante si infermier, emigrant Ymer. B. sërish nuk pranoi të jepte emrin e kirurgut, duke thënë shprehjen e njohur të njerëzve të mirë “më mirë të mos e gjejë nga unë, por nga perëndia”. Fakti është se situata në ambulancat dhe spitalet tona, mbetet tepër alarmante, për sa i përket jo vetëm paaftësisë profesionale, por edhe nivelit të korrupsionit që ka mbërthyer vitet e fundit shërbimin mjeksor ndaj qytetarëve. Edhe pse të siguruar, edhe pse brenda çdo rregulli dhe duke paguar deri në një, vlerat e analizave dhe vizitave mjekësore, duket se “ujqërit” e parave me bluza të bardha, ata që luajnë me jetën e njeriut çdo ditë, nuk stepen së mbushuri xhepat me lekë, euro dhe dollarë, me të cilat kanë ngritur klinikat private, vilat dhe bizneset e tjera shumica e të cilave, edhe të paligjshme. Si ky rast në Elbasan, ka me dhjetëra e qindra në ditë në të gjitha ambulancat, spitalet dhe institucionet e tjera të shtetit, por deri sot, asnjë prej tyre nuk është marrë seriozisht për tu analizuar dhe për t’u ndalur me masa konkrete ligjore nga Ministria e Shëndetësisë. Për Beqajn, “shëndetësia është në rrugën e mbarë, mjekët janë në rrugën e duhur, shërbimi mjekësor ka rilindur”!

Maksim Tufa 
Sigal