Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë ka reaguar ndaj ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, një ditë pas deklaratës së këtij të fundit ku i kërkonte Presidentit të Republikës ndëshkimin e disa gjyqtarëve, për shkak të dhënies së disa vendimeve me objekt caktimin e masave të sigurimit.
Në reagim Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë ndërsa thekson se mirëpret dhe inkurajon çdo kritikë ndaj gjyqtarëve dhe punës së tyre shpreh shqetësim kur përfaqësues të lartë të politikës dhe ekzekutivit bëjnë deklarata dhe ndërmarrin veprime, sipas tyre të përsëritura, të cilat nuk kanë për qëllim rritjen e besimit të publikut tek sistemi gjyqësor.
Më tej UGJSH shprehet se Kushtetuta e ligji, kurrsesi nuk lejojnë përfaqësues të pushteteve të tjera të anatemojnë vendimet e gjykatave e aq më keq, të kërkojnë ndëshkimin e gjyqtarëve, kur nuk u pëlqejnë vendimet e tyre, pa përfunduar ende procesi i verifikimit të një vendimi gjyqësor.
“Është ky kushtetues dhe ligjor, i cili kurrsesi nuk lejon përfaqësues të pushteteve të tjera të anatemojnë vendimet e gjykatave e aq më keq, të kërkojnë ndëshkimin e gjyqtarëve, kur nuk u pëlqejnë vendimet e tyre, pa përfunduar ende procesi i verifikimit të një vendimi gjyqësor.”- thuhet në reagimin e Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë.
Gjithashtu sipas UGJSH ky efekt jopozitiv rritet akoma më tepër kur, deklarata apo veprime të tilla i’u referohen vendimeve të dhëna në shkallë të parë, jo ndaj “kriminelëve” por, ndaj “personave nën hetim”, të cilët sipas KEDNJ, Kushtetutës dhe K.Pr.Penale prezumohen të pafajshëm derisa të provohet e kundërta, në fund të një procesi penal. Në kuadër të kësaj pike, UGJSH e shikon si jo etike publikimin e emrave të gjyqtarëve.
Reagimi i Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë për deklaratën e Tahirit
E lexuam me vëmendje deklaratën e fundit të Ministrit të Brendshëm Z.Saimir Tahiri drejtuar Presidentit të Republikës Sh.T.Z. Bujar Nishani, ku i kërkon ndëshkimin e disa gjyqtarëve, për shkak të dhënies së disa vendimeve me objekt caktimin e masave të sigurimit.
Së pari dëshirojmë të theksojmë se Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë mirëpret dhe inkurajon çdo kritikë ndaj gjyqtarëve dhe punës së tyre, kur këto kritika janë brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore, të bazuar në fakte dhe që kanë për qëllim t’i shërbejnë rritjes së besimit të publikut tek sistemi gjyqësor, rritjes së cilësisë së vendimeve gjyqësore, forcimit të pavarësisë së gjykata dhe forcimit të sunditmit të ligjit dhe shtetit të së drejtës.
Por, nga ana tjetër shpreh shqetësimin e tij të thellë kur sheh se, përfaqësues të lartë të politikës dhe ekzekutivit bëjnë deklarata dhe ndërmarrin veprime, të përsëritura, të cilat nuk kanë për qëllim rritjen e besimit të publikut tek sistemi gjyqësor, forcimin e pavarësisë së vendim-marrjes së gjykatave dhe forcimin e parimeve themelore të funksionimit të shtetit ligjor dhe demokracisë ne vend.
Ky efekt jopozitiv rritet akoma më tepër kur, deklarata apo veprime të tilla i’u referohen vendimeve të dhëna në shkallë të parë, jo ndaj “kriminelëve” por, ndaj “personave nën hetim”, të cilët sipas KEDNJ, Kushtetutës dhe K.Pr.Penale prezumohen të pafajshëm derisa të provohet e kundërta, në fund të një procesi penal. Ndërkohë që, vendimet e cituara në letrën e Ministrit të Brendshëm drejtuar Presidentit të Republikës, duke publikuar në mënyrë jo etike dhe të gabuar edhe emrat e gjyqtarëve, bazohen në DYSHIME (JO PROVA), janë pjesë e fillimit të një procesi penal dhe nuk janë vendime përfundimtare, të cilat bazohen mbi PROVA (JO DYSHIME) dhe mund të jenë të njëjta ose, të kundërta me vendimet e caktimit të masave të sigurimit.
Republika e Shqipërisë është një republikë parlamentare, ku ndarja e pushteteve e sanksionuar qartësisht në Kushtetutë, është një ndër shtyllat kryesore mbi të cilat është ndërtuar, qëndron dhe zhvillohet shoqëria jonë demokratike. Në këtë kuadër kushtetues funksionon sistemi gjyqësor dhe ushtrohet vendim-marrja nga gjykatat. Është ky kuadër kushtetues dhe ligjor, i cili ka përcaktuar saktë subjektet, konë dhe mënyrën e kontrollit të një vendimi gjyqësor. Është ky kushtetues dhe ligjor, i cili kurrsesi nuk lejon përfaqësues të pushteteve të tjera të anatemojnë vendimet e gjykatave e aq më keq, të kërkojnë ndëshkimin e gjyqtarëve, kur nuk u pëlqejnë vendimet e tyre, pa përfunduar ende procesi i verifikimit të një vendimi gjyqësor.
Së fundmi, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë dëshiron të theksojë edhe një herë angazhimin e tij maksimal në luftën kundër çdo fenomeni antiligjor të vërejtur në punën e përditëshme të gjykatave, sikurse dëshiron të theksojë edhe angazhimin e tij të plotë në mbrojtje të parimeve kushtetuese të ndarjes së pushteteve, pavarësisë së gjykatave dhe forcimit të sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës në vend.