UFSH: Ndryshojnë vërtetimet për farmacistët e dypunësuar

2198
Vërtetimi i dypunësimit për personat që punojnë në 2 subjekte farmaceutike të ndryshme do të zëvendësohet nga certifikata e dypunësimit. Për këtë arsye, sipas Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, këta persona do të duhet të dorëzojnë një sërë dokumentesh për të aplikuar, me qëllim pajisjen me dokumentin e ri. Kështu, për t’u pajisur me dokumentin që zëvendëson vërtetimin e lëshuar deri më tani duhet fillimisht të dorëzohet formulari i deklarimit të ndryshimeve.
Ai mund të shkarkohet nga faqja online ‘ufsh.org.al’, tek dritarja ‘anëtarësimi’ e më pas të plotësohet me shkrim dore dhe pa gabime. Ttë dypunësuarit duhet të dorëzojnë kontratën e punës me punëdhënësin, fotokopje e certifikatës së anëtarësisë së drejtuesit teknik si dhe ekstraktin e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit. Po ashtu, dokumentacioni duhet të plotësohet me fotokopjen e dokumentit të lëshuar nga Qendra Kombëtare e Licencimit, një fotografi me përmasa 3 x 3.5 cm, si dhe me mandat pagesën për riprintim certifikate.
Dypunësimi në subjektet farmaceutike u lejua edhe pas ndryshimeve që iu bënë statutit e që hynë në fuqi në 1 korrik të këtij viti. Presidentja e UFSH-së, Diana Toma përmes një interviste dhënë për “Gazeta Shqiptare” pak kohë më parë tha se “dypunësimi do të lejohet brenda qytetit”. “Sipas Kodit të Punës lejohet 40 orë pune me kohë të plotë dhe 10 orë shtesë, të cilat nëse ke dëshirë mund t’i ushtrosh në një subjekt tjetër me kohë të pjesshme në një punë të dytë”, deklaroi Toma në atë kohë.
Ndërkaq, pas përfundimit të ciklit të parë të edukimit në vazhdim, UFSH është përfshirë në procesin e ricertikimit të këtyre profesionistëve të shëndetësisë. Për pasojë është duke përfunduar pajisja me lejet e reja të ushtrimit të profesionit, ndërkohë që janë bërë gati edhe rreth 80 certifikata, emrat e të cilëve i gjeni në tabelën bashkëngjitur shkrimit. Këta farmacistë, duhet të paraqiten personalisht pranë zyrave qendrore të këtij institucioni për t’u pajisur me këtë dokument. Po ashtu, saktësohet se për të tërhequr certifikatën e re, që iu mundëson ushtrimin e profesionit, në momentin e tërheqjes, këta profesionistë duhet të jenë të pajisur me një mjet identifikimi si dhe me certifikatën e vjetër.
Sigal