UET diplomon 584 studentë nga tre ciklet

530
Diplomimi është dëshira e përmbushur, është shpërblimi për mundin e viteve të studimit për studentët. Diplomimi është padyshim dhe dita kur prindërit, të afërmit dhe pse jo dhe fëmijët e të sapodiplomuarve ndihen krenarë për njerëzit e veshur me rrobën akademike. Oborri i një universiteti mund të jetë shumë i madh, por asnjëherë nuk është mjaftueshëm për të mbajtur mbrenda këto dy ndjenja. Oborri i Universitetit Europian të Tiranës dje u kthye në një oaz gëzimi dhe krenarie për qindra studentë dhe familjarët e tyre, një festë gjigande e përligjur për rëndësinë që shënon në jetën e gjithsecilit prej tyre që dje morën një diplomë. I përligjur gjithashtu entuziazmi në sytë e prindërve, gjyshërve, bashkëshortëve, fëmijëve që kishin ardhur të festonin gjithashtu këtë ditë të shënuar në jetën e njerëzve të tyre të dashur. Ishin të paktën 584 studentë nga të trija ciklet e studimit që morën dje diplomat për përfundimin e studimeve të tyre, secili duke shënuar një hap të ri në studimet pasardhëse, daljen në tregun e punës, apo një rritje profesionale dhe akademike në karrierën e tij. Kishte shumë nga ata që s’ia dolën ta merrnin diplomën këtë verë duke e shtyrë për në vjeshtë apo për vitin tjetër. Shifrat e kalueshmërisë nuk janë të larta duke u bërë ky një tregues për nivelin akademik të universitetit. Vetëm ai që e meriton e merr diplomën dhe kjo ishte një tjetër arsye për të festuar. Presidenti i UET-it, Prof.Dr. Adrian Civici e quajti universitetin si qendrën e zhvillimit të një vendi dhe të një demokracie. Ndërsa për të ftuarën e nderit, ambasadoren e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, një shtet zhvillohet duke investuar tek arsimi dhe tek kërkimi shkencor. Mesazhi i saj për të sapodiplomuarit ishte i qartë si drita e diellit; vetëm ata mund të bëjnë të mundur integrimin e plotë të Shqipërisë në BE me vullnetin e tyre dhe dijen e tyre.
Statistikat e diplomimit
Sipas statistikave në ciklin Bachelor u diplomuan në total 206 studentë, që të ndarë sipas fakulteteve janë; Fakulteti Ekonomik 104 studentë;Fakulteti Juridik 42 studentë; Fakulteti i Shkencave 60 studentë. Gjatë tre viteve normale të studimit të Bachelor shifrat kanë lëvizur disa herë, me transferimet e reja në UET apo me studentët e vjetër që nuk ishin diplomuar nga vitet e kaluara. Ata që nuk e morën dot dje kartonin që u hap udhën për punë apo për një nivel tjetër studimi, do të kenë mundësinë të provojnë sërish gjatë vitit të ardhshëm akademik.
Shkolla e Studimeve Master shënoi një numër të madh të diplomuarish në vitin akademik 2014-2015 me një shifër në total 354 studentë dhe të ndarë sipas fakulteteve; Shkenca Edukimi 72 studentë; Fakulteti Ekonomik 182 studentë dhe Fakulteti Juridik 100 studentë. Ky ishte brezi i gjashtë i Masterit që diplomohej në UET duke krijuar kështu një traditë të fortë të kësaj shkolle si një shkollë e rëndësishme e rritjes profesionale për të qenë të aftë në tregun e punës. UET për herë të parë festoi dhe diplomimin e doktorantëve të tij duke dhënë diplomat për ciklin e tretë të studimeve për 24 studentë që arritën të mbronin doktoraturat e tyre këtë vit. Sipas fakulteteve këto diploma ndahen; Fakulteti Ekonomik 8 studentë; Fakulteti Juridik 6 studentë dhe Fakulteti i Shkencave 10 studentë. 
Të diplomuar 2014-2015 në ciklin Bachelor në total 206 studentë
Fakulteti Ekonomik 104 studentë
Fakulteti Juridik 42 studentë
Fakulteti i Shkencave 60 studentë
Të diplomuar 2014-2015 në ciklin Master në total 354 studentë
Shkenca Edukimi 72 studentë
Fakulteti Ekonomik 182 studentë
Fakulteti Juridik 100 studentë
Të diplomuar 2014-2015 në ciklin Doktoraturë në total 24 studentë
Fakulteti Ekonomik 8 studentë
Fakulteti Juridik 6 studentë
Fakulteti i Shkencave 10 studentë
Sigal