Udhëzimi, si do të firmosen kontratat mes studentëve dhe universiteteve

1352
Ministria e Arsimit përcakton elementët dhe formën e kontratës së shërbimit. Ndahet pagesa me këste, studenti do të shlyejë paraprakisht deri në 50% të shumës për semestër
Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla, ka firmosur udhëzimin për përcaktimin e rregullave, elementëve dhe formës së kontratës që do të nënshkruajnë studentët me universitetet private. Në këtë udhëzim, universitetet detyrohen që t’i japin të drejtë studentit për të hequr dorë nga kontrata dhe t’i rimbursohen plotësisht pagesat e bëra për ndjekjen e orës së parë të mësimit ose 7 ditë pas nënshkrimit të kontratës së regjistrimit, cilado qoftë më e vonshme prej këtyre datave. Gjithashtu, në kontratë do të ndahen pagesat e tarifës së studimit në këste, në mënyrë të tillë që studenti të paguajë paraprakisht deri në 50% të pagesës për semestër. Universitetet private do të detyrohen edhe të përcaktojnë të gjitha tarifat, në mënyrë të qartë në kontratë që në momentin e regjistrimit, përfshirë pjesëmarrjet e zakonshme dhe të jashtëzakonshme në sezonet e provimeve, ceremonitë dhe kostot e diplomimit.

Udhëzimi
1. Kontrata e shërbimit që lidhet ndërmjet IAL-së jopublike dhe studentit duhet të përmbajë elementet si më poshtë: 
a) Të dhënat e plota për IAL-në jopublike dhe emrin e administratorit të saj në cilësinë e përfaqësuesit ligjor të IAL-së;
b) Të dhënat e plota për identitetin e studentit;
c) Objektin e kontratës;
d) Bazën ligjore;
e) Afatin e kontratës;
f) Emërtimin e programit të studimit;
g) Vitet akademike, kreditet dhe planin mësimor;
h) Tarifën e studimit dhe mënyrën e pagesës së tarifës së studimit, duke përfshirë një grafik të të gjitha pagesave, të rimbursueshme dhe të parimbursueshme;
i) Afatet e pagesës së tarifës së studimit; 
j) Rastet e pjesëmarrjeve në sesionet e provimeve shtesë dhe tarifat për këto pjesëmarrje;
k) Përgjegjësinë për vonesën apo mospagesën e tarifës së studimit;
l) Të drejtën e studentit për të hequr dorë nga kontrata në fillim të vitit të parë akademik;
m) Të drejtat e palëve në kontratë, për prishje të njëanshme të kontratës pas fillimit të vitit të parë akademik;
n) Rastet e pamundësisë për të përfituar nga programi i studimit, nga studenti;
o) Sigurimin e studentit në një ndër shoqëritë e sigurimit, për të gjithë kohëzgjatjen e parashikuar të studimeve, për riskun e ndërprerjes së veprimtarisë apo risqe të tjera;
p) Të drejtat dhe detyrimet e palëve në kontratë;
q) Të drejtat dhe detyrimet lidhur me publikimin e imazheve të studentëve;
r) Detyrimin e IAL-së për mbrojtjen e të dhënave personale;
s) Deklarimin nga ana e studentit përpara nënshkrimit të kontratës, se ajo është lexuar, kuptuar dhe rënë dakord, lidhur me të drejtat dhe përgjegjësitë e palëve në kontratë, si dhe me rregullat e ndërprerjes së kontratës dhe të rimbursimit;
t) Deklarimin nga ana e studentit për marrjen përsipër të ruajtjes së konfidencialitetit të kontratës.
u) Deklarimin nga ana e studentit se nuk është regjistruar dhe nuk është duke ndjekur asnjë program tjetër studimi në institucion tjetër të arsimit të lartë, njëkohësisht.
2. Kontrata e shërbimit që lidhet ndërmjet IAL-së jopublike dhe studentit, hartohet dhe nënshkruhet në formën e kërkuar nga Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë.
3. Në përmbajtje të kontratës së shërbimit duhet të paraqiten qartë:
a) E drejta e studentit për të hequr dorë nga kontrata dhe t’i rimbursohen plotësisht pagesat e bëra për ndjekjen e orës së parë të mësimit ose 7 ditë pas nënshkrimit të kontratës së regjistrimit, cilado qoftë më e vonshme prej këtyre datave;
b) Ndarjen e pagesës së tarifës së studimit në këste, në mënyrë të tillë që studenti të paguajë paraprakisht deri në 50% të pagesës për semestër;
c) Përcaktimin e të gjitha tarifave në mënyrë të qartë në kontratë që në momentin e regjistrimit, përfshirë pjesëmarrjet e zakonshme dhe të jashtëzakonshme në sezonet e provimeve, ceremonitë dhe kostot e diplomimit etj.;
d) Detyrimin kontraktor të IAL-së, për të mos shtuar tarifa të tjera, përveç atyre të parashikuara në kontratën e shërbimit deri në pajisjen me diplomë të studentit;
e) Të drejtën e studentit për t’u siguruar nga institucioni i arsimit të lartë jo publik, në një ndër shoqëritë e sigurimit, për të gjithë kohëzgjatjen e parashikuar të studimeve, për riskun e ndërprerjes së veprimtarisë apo risqe të tjera;
f) Të drejtat e rimbursimit të studentit në rastet e transferimit apo ndërprerjes së studimeve, duke përcaktuar qartazi në kontratë se tarifa e studimit që do të paguhet nga studenti do të jetë vetëm për semestrin e fundit që ka ndjekur ose është duke ndjekur studenti;
g) Rregullat e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve dhe gjykatën kompetente për rastet e mosmarrëveshjeve të pazgjidhura ndërmjet palëve.
4. Kontrata e shërbimit të shoqërohet me dokumentin e performancës së institucionit të arsimit të lartë, e cila ndër të tjera duhet të përmbajë dhe:
a) të dhëna mbi politikat dhe performancën e institucionit;
b) përqindjen kaluese për programin e studimit që do të ndjekë studenti;
c) përqindjen e kaluesve në provimin e shtetit në rast se aplikohet ky provim;
d) përqindjen e punësimit të studentëve në programin përkatës të studimit për tri vitet e fundit.
5. Kontrata të firmoset dhe t’i vendoset data e nënshkrimit nga vetë studenti ose personi i autorizuar prej tij me prokurë të posaçme.
6. Studenti apo çdo person publik ka të drejtë të marrë informacion dhe/ose të paraqesë ankim për të kontaktuar strukturat përgjegjëse pranë Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, në numrin e telefonit të publikuar në faqen elektronike zyrtare ose duke plotësuar letrën e ankesës që mund të shkarkohet nga kjo faqe, për rastet e mosrespektimit të këtij udhëzimi.
Sigal