Udhëzimi, pagesat e reja për për invalidët dhe të verbrit

2050
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka miratuar masën e përfitimit për invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë, personat me aftësi të kufizuar dhe të verbrit. Nëpërmjet udhëzimeve të posaçme, ministrja Ogerta Manastirliu ka vendosur masën e pagesave, që do të përfitohen për të tre kategoritë nga 1 shtatori 2017. “Masa e përfitimit për invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë, të përcaktuar në pikën 4, të vendimit të Këshillit të Ministrave, datë 20 janar 2001, bëhet 10.330 lekë në muaj. Masa e përfitimit për kujdestarin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik bëhet 10.850 lekë në muaj”, thuhet në udhëzim, ku përcaktohet se efektet financiare fillojnë nga 1 shtatori i vitit 2017. Përfituesit janë të sëmurët tetraplegjikë, që kanë humbur mbi 55 për qind të aftësisë për punë, që nuk kanë mundësi fizike për të vetëshërbyer e që kanë nevojë për kujdestar. Gjithashtu, përfitojnë edhe të sëmurët paraplegjikë, pjesërisht të aftë për punë të përzgjedhur, që janë në gjendje për të vetëshërbyer. Në të njëjtën kohë, masa e përfitimit të aftësisë së kufizuar, bëhet 10.330 lekë në muaj për personat, të cilëve u është kufizuar aftësia, si pasojë e dëmtimeve fizike, shqisore, të intelektit, psikiko/mendore, të lindura apo të fituara gjatë jetës nga aksidente, sëmundje, të përkohshme apo të përhershme, që nuk vijnë nga shkaqe, që lidhen me punësimin, e vërtetuar kjo nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP). Të njëjtën masë përfiton edhe kujdestari i personit me aftësi të kufizuara. Ndërsa masa e përfitimit të aftësisë së kufizuar, bëhet 10.330 lekë në muaj për personat, paraplegjikë e tetraplegjikë, të cilët deklarohen, me vendim të Komisionit Mjekësor të Përcaktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP), se janë bërë të tillë, pavarësisht nga shkaku dhe mosha. Për kujdestarin kjo pagesë është 10.850 lekë në muaj. Edhe për këtë kategori, efektet financiare fillojnë nga 1 shtatori i vitit 2017 dhe përballohen me fondet akorduara për vitin 2017, për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Sipas udhëzimit të firmosur nga ministrja Manastirliu, masa e përfitimit për shkak të verbërisë bëhet 11.730 lekë në muaj dhe të njëjtën masë përfiton edhe kujdestari i të verbrit. 
Pagesa për invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë, personat me aftësi të kufizuar dhe të verbrit ndryshon sa herë lëviz paga e punonjësve të administratës publike dhe rritet në të njëjtën masë sa ajo. Megjithatë ndryshimet bëhen me udhëzime të ministrit dhe jo njëkohësisht me punonjësit buxhetorë, të cilët përfitojnë direkt nga vendimet e qeverisë. 
Grupet që përfitojnë pagesën e aftësisë së kufizuar
1 – Personat, të cilëve u është kufizuar aftësia, si pasojë e dëmtimeve fizike, shqisore, të intelektit, psikiko/mendore, të lindura apo të fituara gjatë jetës nga aksidente, sëmundje, të përkohshme apo të përhershme, që nuk vijnë nga shkaqe, që lidhen me punësimin, e vërtetuar kjo nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP), përfitojnë pagesë për shkak të aftësisë së kufizuar.
2 – Personat, paraplegjikë e tetraplegjikë, të cilët deklarohen, me vendim të Komisionit Mjekësor të Përcaktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP), se janë bërë të tillë, pavarësisht nga shkaku dhe mosha, përfitojnë pagesë për shkak të aftësisë së kufizuar.
Sigal