Udhëzimet e policisë për qarkullimin në sezonin veror

548
Drejtoria e Policisë Tiranë ka marrë një sërë masash për mbarëvajtjen e qarkullimit dhe shmangien e trafikut gjatë sezonit veror, deri më 15 shtator.
Sipas policisë, segmenti rrugore me fluks të madh lëvizjeje është Tiranë-Vorë-Durrës, veçanërisht në oraret 07:00-10:00 dhe 19:00-22:00. Për të shmangur bllokimet e mundshme të trafikut, policia sugjeron drejtuesit e mjeteve që lëvizin nga Tirana në Durrës dhe anasjelltas të përdorin aksin Tiranë-Ndroq-Plepa. Gjithashtu edhe gjatë lëvizjes në drejtim të zonave të banimit ose industriale që shtrihen në autostradën Tiranë-Vorë, të përdorin rrugët dytësore që funksionojnë në krah të kësaj autostrade.
Ndërsa mjetet që vijnë nga zonat e veriut për në Tiranë dhe anasjelltas këshillohet përdorimi i aksit Tiranë-Kamëz-Fushë Krujë.
Ndërsa në qytetin e Tiranës, rrugët me trafik të rënduar janë: rruga e Durrësit, sheshi “Karl Topia”, rrethrrotullimi te sheshi “Shqiponja”, rruga e Kavajës deri në Kombinat, sheshi “Kemal Ataturk”, ura te Shkolla Teknologjike dhe ura te shkolla “Vail Shanto”.
Ndërkaq, do të ketë kufizim qarkullimi për mjetet e rënda në këto raste:
– ditët e festave (nga ora 14:00 e ditës para festës deri në orën 00:00 dhe nga ora 12:00 e ditës së festës deri në orën 00:00 të po asaj dite);
– ditë të tjera të veçanta që u shtohen ditëve të festave;
– ngjarje apo gara sportive si dhe çdo ngjarje tjetër që mund të ndikojë në rrjedhshmërinë e qarkullimit rrugor.
Kufizime do të ketë edhe për fundjavat, kur do të ndalohet qarkullimi në rrugët publike i mjeteve ose kombinimit të mjeteve nga ora 09:00 deri në orën 14:00 të ditës së shtunë dhe nga ora 12:00 deri në orën 00:00 të së dielës për mjetet:
– e transportit te mallrave me peshë të përgjithshme të autorizuar mbi 7500 kilogramë;
– me ngarkesë të pandashme, me gjatësi maksimale më të madhe se 12 metra;
– mjetet rrugore apo bujqësore që kanë shpejtësi më të vogël se 40 kilometra në orë;
– mjetet bujqësore dhe teknologjike që kalojnë përmasat kufitare sipas nenit 61 të Kodit Rrugor;
– për kursantët e autoshkollave mësimore.
Përjashtohen nga këto kufizime të lëvizjes:
– automjetet e shoqërimit;
– automjetet e Forcave të Armatosura;
– automjetet për mirëmbajtjen e rrugëve, instalimet elektrike, mjetet e shpërndarjes së postës dhe gazetave;
– mjetet që i përkasin radio-televizionit;
– cisternave që transportojnë ujë të pijshëm;
– mjetet që transportojnë materiale ose pajisje për përdorim në situata të jashtëzakonshme;
– kamionët që transportojnë ushqime që prishen, si mish, fruta etj.;
– kamionët që transportojnë shpendë dhe bagëti të gjallë.
Automjetet e tjera lejohen vetëm në rastet kur, për shkak të kohës dhe rrethanave, vonesat mund të sjellin dëme të konsiderueshme materiale.
Shërbimet e policisë së kryeqytetit kërkojnë mirëkuptimin e të gjithë drejtuesve të mjeteve të rënda për zbatimin rigoroz të këtyre rregullave. Në rast të kundërt do të merren masa administrative për drejtuesit që shkelin kërkesat e këtij udhëzimi.
Për çdo problem që ka lidhje me sigurinë e rendit dhe të qetësisë publike, si dhe në fushën e qarkullimit rrugor, qytetarët mund të telefonojnë në numrat pa pagesë të policisë, 129 dhe 126.
Sigal