Sigal

Me këtë armë që publikoi sot Policia e Elbasanit, një i ri 25 vjeç do ta kishte vrarë 32-vjeçarin A.SH, patriotin e tij.

Por, fati desh që dikush të njoftonte Policinë në kohë dhe Enea Verushi të zhdukej me shpejtësi duke hedhur armën. Kësisoj, Verushi shpëtoi pa u bërë vrasës dhe A.SH. pa u bërë viktimë. Megjithatë, tani është në kërkim për tre akuza.

Policia njoftoi se ndërhyrja në kohë e Policisë parandaloi përshkallëzimin e mëtejshëm të një konflikti me armë. Shërbimet e saj patën marrë njoftim se në lagjen “Shënkoll” në Elbasan kishte lindur një konflikt mes dy të rinjve, ku njëri prej tyre dyshohej se kishte dhe armë zjarri.

Menjëherë shërbimet e Policisë shkuan në vendgjarje, ku rezultoi se Enea Verushi, sapo pa Policinë, hodhi armën e zjarrit dhe u largua me shpejtësi.

Nga veprimet e kryera nga Grupi hetimor rezultoi se shtetasi Enea Verushi, 25 vjeç, banues në lagjen “Brigada 17 Sulmuesi”, Elbasan pas një konflikti për motive të dobëta e kishte kanosur me armë zjarri , shtetasin A.Sh., 32 vjeç, banues, në Elbasan.

Tani vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit tip “Pushkë”, dhe 7 fisheke. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Kanosja” “Prishja e qetësisë publike”, ” Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të zjarrit” të parashikuar nga nenet 84, 274, dhe 278, të Kodit Penal.