U tha se vdiq nga mbidoza, ja si u masakrua shqiptari në burgun grek…

610
Sigal

Zbardhen arsyet e vdekjes së një 34 vjeçari shqiptar në burgun grek të Koridhalosit në Greqi, ngjarje e ndodhur më 27 janar të këtij viti.

Fillimisht është raportuar se shqiptari i identifikuar si Bardhyl Tusha vdiq nga overdoza, por CNN grek ka publikuar foto që tregojnë shenjat e dhunës në trupin e shqiptarit.

Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, vdekja e shqiptarit ishte shkaktuar nga asfiksia, ndërsa në pamjet e transmetuara nga CNN grek shihen shenjat e dhunës ndaj shqiptarit.

Në raportin e mjekut ligjor, evidentohet se viktimës fillimisht i është zënë goja dhe hunda për të mos marrë frymë, e më pas autori i ka vendosur dorën në fyt duke e mbytur.

Bardhyl Tusha, raportohet nga mediat greke,  ka qenë pjesë e  asaj që njihej si “Mafia e burgjeve”.

34-vjeçari, sipas mediave greke, u kishte ofruar strehim dy të dyshuarve për vrasjen e avokatit grek Mixaleis Zafeiropoulos. Për shkak të hetimit kompleks të kësaj dosje, hetuesit dyshojnë se u dha urdhri për vrasjen e Bardhyl Tushës, në mënyrë që ky i fundit të mos fliste.

Disa ditë para se të vritej, në një dëshmi që kishte dhënë për hetuesit, Tusha kishte thënë: “Isha i frikësuar sepse më vendosën në të njëjtin sektor dhe në të njëjtën dhomë ku ishin M. dhe K. (emrat e drejtuesve të “Mafias së burgut” të Koridhalos). Nuk i njihja, por kur policia më kërkoi që t’i përshkruaja, u tregova fotot e tyre. Isha në të njëjtën dhomë me ta dhe kisha frikë në çfarë do të përfshihesha”.