U nda nga bashkëshorti për shkak të dhunës, por gjykata i detyron të jetojnë bashkë

525
U nda që në vitin 2007 për shkak të dhunës nga bashkëshorti, por edhe 10 vite më vonë ka rënë sërish pre e dhunës, pasi gjykata i ka lejuar të jetojnë në të njëjtën banesë.
E tillë është historia e nënës së tre fëmijëve nga fshati Paskuqan, e cila edhe pse e ndarë ka vuajtur për vite me radhë dhunën fizike dhe psikologjike të ish-bashkëshortit. 
Dhe kjo situatë mund të vazhdonte ende nëse ish-bashkëshorti nuk do të luante bllofin me policinë duke e denoncuar ish-gruan sikur e kishte goditur me thikë me qëllim për ta larguar nga banesa. 
Por dëshmitë e fëmijëve dhe vetë gruas së dhunuar e kthyen ish-bashkëshortin nga denoncues në të pandehur, për veprat penale të dhunës në familje dhe kallëzimit të rremë. 
Fëmijët dëshmuan se pretendimi i babait se ishte goditur me thikë nga nëna nuk qëndronte, por e kundërta, që ai vazhdimisht kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike edhe pse ishin të ndarë dhe kishte një dënim të mëparshëm për dhunë. 
E ndërsa gjykata e ka dënuar ish-bashkëshortin dhunues me 1 vit burgim, shqetësuese mbeten rastet kur çiftet që divorcohen për shkak të dhunës lejohen me vendim gjykate të jetojnë në të njëjtën banesë, duke u bërë kështu premisë për ngjarje akoma më të rënda siç edhe ka ndodhur kohët e fundit në Fier dhe Durrës.
Sigal