Turp! Policia i çon prokurorisë letrën e firmosur nga tekniku italian

522
Prokuroria ka vendosur të mos marrë si provë në hetimin që po kryhen mbi dyshimet për përgjime të paligjshme përmes një pajisjeje që quhet Imsi Catcher edhe letrën e dytë që është dërguar nga Policia Italiane. Burime nga organi i akuzës shprehen se letra nuk i është drejtuar direkt organit të akuzës në lidhje me pyetjet që i janë drejtuar Ministrisë së Drejtësisë italiane, ku i kërkohet një informacion zyrtar në lidhje me pajisjen që është ka ardhur në Shqipëri në mesin e muajit mars. Sipas burimeve, mësohet që letra e policisë italiane i ka shkuar ndoshta Policisë së Shtetit, e cila duket se ia ka përcjellë organit të akuzës. Burimet theksojnë se aq më tepër që letra mban firmën e një inxinieri në policinë italiane, i cili jep informacione mbi pajisjen, por nuk i është përgjigjur pyetjeve që i janë drejtuar autoriteteve italiane nga Task Force që po heton mbi skandalin e përgjimeve. Në letrën e mbërritur në Policinë e Shtetit nga policia italiane theksohej se aparatura ‘IMCI CATCHER’ e ardhur nga Italia bën vetëm zbulim të vendndodhjes së celularit dhe jo përgjim të telefonatave. Në kushte të tilla duket se skandali mbi përgjimet po thellohet edhe më tej kur organi i akuzës nuk po gjen bashkëpunimin nga autoritetet policore. Madje një burim i prokurorisë tha se letra e firmosur nga inxhinieri italian, Gianpaolo Zambanini, së pari është publikuar në media, megjithëse të tjera burime shprehen se letra në fjalë i është dorëzuar Kryeprokurorit Adriatik Llalla edhe nga Ambasadori Italian në Tiranë, gjatë një takimi që kanë zhvilluar mes tyre rreth një javë më parë. Por grupi hetimor ka vlerësuar se kjo letër nuk ka asnjë lidhje me informacionet e kërkuara nga Task Force, e cila përmes një letër porosie i kërkon Ministrisë së Drejtësisë shpjegime thelbësore në lidhje me hetimin e nisur. 

Regjistrimi i IMEI, shkelje e rëndë ligjore

Prokurorët që po hetojnë mbi dyshimet e përgjimeve duket se janë të bindur në shkeljet ligjore nga autoritetet policore shqiptare në lidhje me përdorimin e pajisjes Imsi Catcher. Një burim nga prokuroria tha se nga hetimet e deritanishme, përfshi edhe pyetjen e personave nën hetim, është provuar që pajisja ka regjistruar IMEI-n, por kjo ka ndodhur pa një leje të organit të Kryeprokurorit. Burimet theksojnë se Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar si të paligjshëm një vendim të Qeverisë, që kërkonte regjistrimin e IMEI-ve të aparateve celularë, çka do të thotë se askush nuk mund të kryejë qoftë edhe një regjistrim të tillë pa pasur leje nga Prokuroria. Në rastin konkret, shprehen burimet, zyra e Prokurorit të Përgjithshëm nuk ka qenë në dijeni, çka do të thotë se ka një shkelje ligjore, e cila do të zbardhet në fund të hetimit. 
Mister vendndodhja e BMË ku është instaluar Imsi Catcher

Pa sekuestrimin e pajisjes së përgjimit, hetimet e Prokurorisë nuk do të mund të zbulojnë se në ç’masë është përgjuar përmes saj, siç pretendon organi i akuzës, apo se cilët janë personat që kanë qenë nën përgjim. Sipas të dhënave që ndodhen në dosjen e hetimit, personi i fundit që është parë në drejtim e makinës, që ka të instaluar pajisjen, është oficeri i arrestuar Entiol Xhelilaj. Vendndodhja e fundit e mjetit, një autoveturë tip BMË me ngjyrë të zezë, ka qenë parkingu i Forcës Operacionale. Më datë 13 Maj, në orën 12:10, ajo ka dalë nga zyrat e policisë, tek 21 Dhjetori në Tiranë dhe nuk është parë më. Ky fakt u konfirmua nga kamerat e sigurisë së Bashkisë në këtë pjesë të Tiranës, pasi kamerat e godinës ku ndodhen Forcat Operacionale nuk kanë punuar atë ditë. Kjo gjë detyroi Prokurorinë të sekuestrojë serverin, pas dyshimeve se mund të jenë fshirë filmimet. Prej asaj dite nuk dihet asgjë rreth automjetit. Burime nga Prokuroria konfirmojnë se makina ku ishte instaluar IMSI Catcher nuk ka dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë. Kjo e konfirmuar nga të dhënat e sistemit doganor dhe atij TIMS. Prokuroria ka kërkuar nga Interforca italiane t’i vihet në dispozicion pajisja, për të konfirmuar apo shuar dyshimet se ajo është përdorur për përgjim. Por deri tani, pala italiane nuk ka kthyer përgjigje.
Sigal