Turizmi, vetëm shërbimi i fjetjes me TVSH 6 %

785
Tatimpaguesit, të cilët disponojnë struktura akomoduese, duhet të deklarojnë TVSH me shkallë tatimore 6 %, vetëm për furnizimin e shërbimit të fjetjes, përfshirë dhe rastet kur është dhe mëngjesi brenda çmimit të dhomës. Të gjitha shërbimet e tjera apo mallrat e ofruara nga strukturat akomoduese, përveç furnizimit të shërbimit të fjetjes, informon Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, janë të tatueshme me shkallë tatimore 20% dhe do të evidentohen veçmas në faturë. Një njësi akomoduese, e cila ofron edhe furnizime të tjera, siç janë bar-restorant, pishinë, sauna, shezllone, salla konferencash, sipas DPT-së, do t’i faturojë këto shërbime me shkallën tatimore standarde 20%. “Në bazë të ligjit “Për TVSH-në”, neni 74 “Kufizimet e së drejtës së zbritjes”, pika ç, strehimi në hotele është një shërbim i përjashtuar nga e drejta e zbritjes së TVSH-së, për këtë arsye, është reflektuar vetëm në librin e shitjes dhe në deklaratën e TVSH-së, duke shtuar rubrikat përkatëse për shitje me shkallë tatimore 6% dhe një ndryshim i tillë nuk është reflektuar në librin e blerjes për ndryshimin ligjor të shkallës së TVSH-së për shërbimin e fjetjes në strukturat akomoduese”, thuhet në njoftimin e DPT-së.

Në këto kushte, duke qenë se ky është një shërbim i përjashtuar nga e drejta e zbritjes në blerje, furnizimet e blerjes së strehimit në hotele, do të pasqyrohen në rubrikën “blerje të përjashtuara”.
Sigal