Turizmi, Rama asnjë fjalë për gjendjen e rrugëve. Turistët venë duart në kokë

155

Rruga tek Uji i Ftohtë në Vlorë në gjendje katastrofike. Bashkia, asnjë lopatë zhavorr që ta riparojë

Gjendje e mjeruar e aksit rrugor tek Uji i Ftohtë, nga ku kalojnë makinat që lëvizin drejt Rivierës Shqiptare. Gjendja katastrofike e rrugës tek Uji i Ftohtë është e patolerueshme, pasi prej vitesh është folur dhe stërfolur dhe askush nuk ka bërë gjë për këtë problem, edhe pse në fushata elektorale partitë politike dërgojnë mesazhe nga Vlora për këtë rrugë. Bashkia duhet të kishte marrë masat për riparimin e këtij aksi rrugor, nga ku tentohet të kalohet në dy drejtime, edhe për vetë faktin se rregullimit të kësaj rruge nuk  ka një kosto të madhe. Ndërsa thithja e turizmit nëpërmjet investimit në këtë rrugë, do të sillte përfitime akoma dhe më të mëdha. Nuk është e rastësishme që Kryeministri i vendit Edi Rama e hapi dje konferencën për shtyp me temën për turizmin. Duke iu referuar shifrave, ai u shpreh se numri i turistëve është rritur me 14%, krahasuar me një vit më parë. Duke mos dashur t’i hyjë më në thellësi problematikave që fshihen në të vërtetë përsa i përket turizmit, kryeministri Rama u mjaftua të vejë në dukje se  “këtë sezon arritëm të kemi plazhe të pastra krahasuar me një vit më parë, duke angazhuar një sërë forcash, Forcat e Armatosura që dhe ministrja i kushtoi kohën e vet, tek institucionet publike dhe një numër i vyer vullnetarësh nga Shqipëria e Kosova”. Gjithashtu Kryeministri, gjatë fjalës së tij, përmendi problemin e derdhjeve të ujërave të zeza gjatë gjithë vijës bregdetare, për mungesë të kanalizimeve, problemin e ujit të pijshëm, atë të mbetjeve, madje dhe ndërprerjen e energjisë elektrike në zonat turistike, por nuk tha asnjë fjalë për gjendjen katastrofike të rrugëve që të çojnë në bregdetin tonë. Është e qartë që me këto kushte ekonomia jonë nuk mund të mbështetet te të ardhurat nga turizmi. Pa rrugë dhe infrastrukturë nuk do të kemi kurrë një turizëm elitar. Gazeta “Telegraf” me anë të fotove ekskluzive sjell gjendjen katastrofike të rrugës te Uji i Ftohtë, ose siç thonë vlonjatët te Rrapi. Në foto duket qartë që për shkak të rrjedhjes së shumtë të ujit dhe të gropave e pusetave që janë hapur, materialeve inerte, si dhe ndërtimeve totalisht katastrofike e pa kriter në këtë zonë, kjo rrugë është bërë e pakalueshme dhe po shkatërrohet dita-ditës. Gjithashtu rrjedhja e ujërave të zeza, pikërisht gjatë vilave të ish qeveritarëve, e bëjnë akoma më të pështirë situatën. Çdo ditë aksi që të çon në Rivierën Shqiptare bllokohet vazhdimisht, duke shkaktuar një stres të panevojshëm dhe vonesa irrituese për udhëtarët e turistët.