Turistët, drejt kanioneve të Skraparit me thasë patatesh në kurriz

316

Kriza ekonomike në Europë detyron të huajt të marrin ushqimet me shumicë. Banorët: Jemi tej mase të habitur

Kanionet e Osumit në Skrapar, janë bërë këtë stinë streha e dhjetëra çadrave të turistëve. Turistë sapo zbresin në qytetin e Beratit, ku kalojnë natën e parë e çlodhen, të nesërmen që në orët e para të mëngjesit, i drejtohen dyqaneve, ku blejnë ushqime të ndryshme si thasë me patate, oriz, sheqer, bukë etj.. Të ngarkuar me këto ushqime ata nisën për rrugë, drejt kanioneve apo destinacioneve të ndryshme që kanë planifikuar të shkojnë. Rruga për ta bëhet interesante që në fillim, kur shoferët e furgonave e të autobusëve zihen me njëri-tjetrin se, kush do t’i marrë më parë. Kur mbërrijnë në Skrapar ata me hartë në dorë zbresin në zonat e kanioneve dhe studiojnë vendet se ku do ngrenë çadrat që të kalojnë ditët.

Çudia

Ajo që ka çuditur banorët e zonës këtë vit ka qenë fakti se turistët kanë ‘ndryshuar’. Kështu, ndryshe nga vitet e mëparshme, ku pasi vizitoni kanionet ktheheshin në hotelet që kishin prenotuar, këtë vit ata i kanë bërë llogaritë ndryshe. Kanë programuar në detaje kohën sesa do të qëndrojnë, e deri edhe vendin, ku do rrinë. Turistët (jo të gjithë) këtë vit kanë preferuar të ngrenë çadrat e tyre në zonat e bukura turistike dhe nuk kanë zgjedhur hotel. Madje, ata kanë marrë edhe ushqime me vete, si thasë me patate që i kanë mbajtur në kurriz deri tek vendi, ku kanë vendosur të qëndrojnë. Për gatimin e tyre nuk kanë munguar dhe soba të vogla me gazë, të cilat i kanë marrë me vete. Pronarët e lokalëve të këtyre zonave janë shprehur tej mase të habitur se, kjo është hera e parë që shikojnë turistë që kanë marrë ushqime me vete, madje edhe thasë me patate mbi kurriz. “Kjo tregon se, në shtetet, ku ata jetojnë është krizë ekonomike. Këtë e tregojnë edhe vetë veprimet e turistëve të shumë që po vizitojnë kanionet. Madje, vetë turistët janë shprehur se, kriza ekonomike po i detyron që të kursejnë duke gatuar vetë. Ata ndoshta edhe kënaqen kështu, por për ne që kemi biznes kjo është një gjë e keqe, sepse kemi pasur rënie të të ardhurave, pasi jo vetëm unë, por të gjithë lokalet e zonës turistët presin”, tha një pronar lokali në zonën turistike të Skraparit.

Kriza

Një grup turistësh polakë, që kanë vizituar qytetin muze të Beratit dhe kanionet, janë shprehur se, nuk kanë të ardhura të mjaftueshme që të flenë në hotel apo të drekojmë nëpër restorantet luksoze që ka ky rajon. Nëpërmjet shoqëruesit të tyre ata thanë për “Telegraf”, se: “Kemi parë kanionet dhe ato janë një mrekulli e vërtet. Kemi në plan që të vizitonim edhe Gjirokastrën, por deri atje nuk do të shkojmë me autobusë. Jemi të befasuar dhe shpesh e diskutojmë mes nesh se gjithë këto lokale luksoze që janë ndërtuar në vende kaq të bukura tregojnë qartë se, këtu në Shqipëri privati është i pasur dhe shteti është shumë i varfër”.  Ndërsa një grup turistësh që kishin shkuar në Hamullë, për të vizituar kanionet, të cilët janë më të bukurit e kësaj zone, nuk kanë preferuar të shkojnë nëpër hotele, por kanë ngritur çadrat dhe gatimin e tyre në zonën përreth. Ata janë shprehur se, kanë ardhur për vizitë në këtë qytet, pasi janë njohur me vlerat që ka. “Berati është një qytet i vjetër, por pjesa më e bukur e që të lë mbresa në këtë qytet është Kalaja dhe shtëpitë karakteristike, të vendosura njëra mbi tjetrën”. Ata tregojnë se kanë mbetur të mahnitur nga ky ndërtim shekullor siç është kalaja e Berati si dhe nga ndërtesat muzeale që janë të ruajtura në një gjendje mjaft të mirë, për të cilat kishin vetëm një njohje të vogël. Sipas të dhënave mësohet se, turizmi malor këtë vit ka pësuar një rënie të madhe krahasuar me një vit më parë.