Tryezë për mbrojtjen e gjuhës shqipe

508
Sigal

COD organizoi një tryezë të rrumbullakët ditën e gjuhës amtare me titull: “Sfidat e shqipes sot”, në bibliotekën e Kryeministrisë. Në takim morën pjesë studiues të gjuhës dhe kërkues shkencorë nga të gjitha katedrat e gjuhës së universiteteve shqiptare në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, përkthyes të mirënjohur dhe institucione përgjegjëse. Gjuhëtari Gjovalin Shkurtaj u shpreh se “Shteti ka mbajtur qëndrim të mefshtë ndaj të shkruarit dhe të folurit të shqipes në zyrat dhe institucionet botuese, në gazetat, revistat dhe fjalën publike”. Ndërsa profesor Rrahman Paçarizi, nga Universiteti i Prishtinës, u ndal tek shkrimi i emrave të huaj në original. “Unë mendoj që duhet të shkruhen në origjinal, pasi është e drejtë themelore njerëzore për të pasur emrin në origjinal”, tha ai. Anila Omari, nga studimet albanologjike, ngriti problemin e një fjalori të gjuhës shqipe. “Një fjalor i madh i shqipes shpjegues është një fjalor ku të përfshihet sa më shumë pasuria leksikore”, nënvizoi ajo. Ndërsa problematikat e shqipes sot, që nga institucionet e deri tek media, ishin në qendër të diskutimit të profesor Edmond Tupes. “Në qoftë se një kryeministër thotë “ky është një problem për t’u adresuar”, “to adress a problem”, këtu ka diçka që nuk shkon, sepse do e imitojnë. Nuk lakohen emrat, madje edhe në shqip. Thuhet “Me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të Margarita Xhepa. Margarita Xhepës thuhet në shqip. Abc, apo Ei Bi Si? Thuhet Si Vi (CV), thuhet Di Vi Di (DVD), apo Em Pi Thri (MP3)”, deklaroi Tupja.