Sigal

Policia zbardh vrasjen e 69-vjeçarit Tahir Bajraktari në Tropojë. Autori i ngjarjes është me inicialet N.L, 54-vjeç dhe po punohet për kapjen e tij dhe dyshohet se ai është punëtor në pronën e të ndjerit. Policia bën me dije se vrasja e 69-vjeçarit mbrëmjen e së martës ka ndodhur për motive të dobëta në banesën e tij. Vrasja ndodhi në një nga malet e fshatit Doberdol.

Fillimisht u raportua se 69-vjeçari ishte gjetur i pajetë por pas mbërritjes së policisë u konstatua se ai ishte vrarë me armë zjarri. Banorët e zonës thonë se 69-vjeçari ishte njeri i qetë dhe pa probleme.

Sipas tyre, ai çdo vit udhëtonte nga Tirana, ku edhe banonte, dhe kalonte pushimet në shtëpinë verore të ndërtuar në bjeshkë. Tahir Bajraktari, me profesion mekanik, do qëndronte për disa ditë në shtëpinë e rindërtuar, ku siç shprehen të afërmit, energjinë elektrike kishte mundur ta siguronte vetë përmes një mini-çentrali të ndërtuar pranë fshatit dhe me të cilin furnizonte edhe fqinjët e tij.

Gjithashtu, ai kishte arritur të siguronte edhe shërbimin e internetit në banesën e tij por edhe të fqinjëve. Bajraktari vinte nga një familje ish të përndjekurish nga regjimi komunist, ndërsa kanë qenë të internuar në Lushnje.