Tritoli, Zaganjori: Një shtet pa siguri, jo më i mirë se diktatura

491
Sigal

TIRANE – Me tone të ashpra, e duke ju referuar rasteve të tritolit, kryetari i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori e ka vlerësuar negativisht situatën e rendit dhe sigurisë në vend, përmes një shprehjeje, se ai shtet që nuk është i aftë të sigurojë minimumin e sigurisë dhe rendit, është më i keq se diktatura më e keqe. Kreu i Gjykatës së Lartë sulmon hapur në këtë mënyre policinë.
 
Një nga detyrat e shtetit është siguria dhe ne jemi qytetarë, jo vetëm gjyqtarët apo prokurorët. Si media dhe ne jemi nën presionin e punës, këto fenomene e kanë tronditur shoqërinë, lufta ndaj krimit është esenciale për shtetin. Një shprehje thotë se një shtet që nuk është në gjendje të garantojë minimum të rendit dhe qetësisë, nuk është më e mirë se diktatura”, tha Zaganjori.
 
Nga ana tjetër kreu i Gjykatës së Lartë u shpreh gjithashtu se situata të tilla nuk duhet të shërbejnë për tu kthyer në objekt akuzash dhe kundëakuzash, por se politika duhet të bashkëpunojë për të shmangur ngjarje të tilla tronditëse.
 
“Duhet bashkëpunim mes vetë politikës. Krimi nuk ka ngjyrime, kërkon bashkëpunim dhe mes mekanizmave të shtetit”, përfundoi Zaganjori.
 
Këto deklarata kreu i Gjykatës së Lartë i bëri gjatë një takimi me gazetarët për të prezantuarën analizën në një vit punë të këtij institucioni. 

Ngërçi politik dhe institucional mes qeverisë dhe Presidentit mbi emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë është një çështje politike të cilës Zaganjori nuk i jep asnjë koment. Pavarësisht kësaj tërheqjeje, Zaganjori vë në dukje se aktualisht një gjyqtari të Gjykatës së Lartë i bie të shqyrtojë brenda një viti një minimum prej 400 dosjesh.

“Duke pasur parasysh punën Gjykatës është parashikuar rritja e gjyqtarëve nga 17 deri në 19. Një gjyqtar i ka mbaruar mandate po ai është në detyrë. Ne na dëmton për shkak se numri i dosjeve është i madh, 400 çështje një gjyqtari. Edhe për ndërtimin e kolegjeve do na ndihmonte nëse ky detyrim të plotësohej. Formula nuk funksionon ashtu siç duhej kjo është pjesë e politikës dhe reformës, po shikohet gjetja e një zgjidhjes. Duhet dialog mes dy organeve, mes presidentit dhe mazhorancës”, tha Zaganjori..

Përplasjet mes Gjykatës dhe policisë janë edhe më të hershme sesa sulmet e fundit me tritol, të cilat prekën edhe familjen e ministrit Tahiri. Policia vazhdimisht ka drejtuar gishtin ndaj gjyqësorit për lirimin e personave të arrestuar nga efektivët për vepra të ndryshme penale, sikur ka qenë vetë ministri Tahiri i cili ka kërkuar marrjen e masave për gjyqtarët që kanë dhënë vendime skandaloze. 

Dhe në këtë pikë shtrohet problemi i cilësisë së gjykimeve, në kushtet kur kjo gjykatë ka dosje pezull për të shqyrtuar rreth 11, 337 të tilla.

Zaganjori vlerësoi se pavarësisht punës voluminoze, mbetet e nevojshme ndërhyrja ligjore, për të lehtësuar në të ardhmen sasinë e dosjeve që prezantohen në portat e kësaj gjykate.

Zaganjori: ’21 janari’ gjykohet brenda këtij 6 mujori
Njëra ndër dosjet pezull në sirtarët e gjykatës, është e famshme për këdo, dosja e 21 janarit, që qëndron prej mëse një viti e paprekur. Zoti Zaganjori shprehet se brenda qershorit, kjo dosje do të shqyrtohet nga gjykata.

Në lidhje me reformën në drejtësi, Zaganjori vuri në dukje se duhen bërë ndryshime, por siç theksoi ai, jo duke importuar disa modele, për t’i transformuar më pas në modele hibride.