Tritoli në farmacinë e Tahirit, Llalla hetim prokurorëve

454
Pas pushimit të hetimeve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla kërkoi “për studim” dosjen e shpërthimit me tritol të farmacisë së babait të Saimir Tahirit. Provat dhe materialet që ndodheshin në dosje, i janë dorëzuar një prokurori tjetër për analizë. Kryeprokurori ka kërkuar të studiohet dosja me imtësi dhe të vlerësohet nëse vendimarrja e Prokurorisë për Krime të Rënda për pushimin e akuzave ka qenë e drejtë. Të gjitha provat që ndodhen në dosje, do të rishikohen dhe rivlerësohen për të parë nëse pushimi i akuzave dhe lirimi I Vladimir Gjutës ka qenë i ligjshëm dhe i drejtë, pasi mungonin provat. 
Nëse kryeprokurori Llalla vlerëson se ekzistojnë prova dhe dyshime të arsyeshme për autorët e vendosjes së kësaj sasie tritoli, ai ka të drejtë të prishë vendimin e Prokurorisë për Krime të Rënda. Në mesin e muajit prill akuzat ndaj Vladimir Gjutës dhe të afërmve të tij u pushuan. Dosja e shpërthimit të tritolit në farmacinë e babait të Ministrit të Brendshëm u mbyll pa autor. Pas 14 muajve hetim, policia dhe prokuroria nuk arritën të provojnë se Vladimir Gjuta dhe të afërmit e tij, janë autorët e vendosjes së eksplozivit në farmacinë e babait të Ministrit të Brendshëm. Në momentin e arrestimit, të dy këta institucione njoftuan median se kanë gjetur prova që i implikojnë ata si autorë të këtij shpërthimi. Në vendimin e pushimit, thuhet se gjatë 14 muajve hetim, janë kryer disa ekspertiza të specializuara, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, në përfundim të të cilave nuk u provua shkencërisht dhe nuk u siguruan fakte që të provonin përtej dyshimeve se të arrestuarit ishin organizatorë dhe ekzekutorë të akteve të mësipërme.
Sigal