Tri shoqata të të përndjekurve, letër publike për Gjykatën Kushtetuese dhe Kryeministrin Rama

529
Ky dëmshpërblim është tepër simbolik, në krahasim me vuajtjet e pamerituara të shtresës sonë, si edhe të punës së papaguar dhe veprave të ndërtuara gjatë 50-vjetëve në të gjithë Shqipërinë, një pjesë e të cilave janë në efiçencë të plotë. Gjithashtu është më i vogël sesa ai që iu dha njëherësh ish funksionarëve të regjimit komunist
Me këtë letër, ne, tri shoqata të ish të dënuarve politikë të Shqipërisë, ju bëjmë me dije se nuk mund të pranojmë ndryshimet e herëpashershme që i bëhen Ligjit nr. 9831, datë 12.11.2007, “Mbi dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë nga regjimi komunist”, duke e zvarritur zbatimin e tij dhe duke bërë diferencime midis kësaj shtrese të ish të përndjekurve politikë. Ligji nuk bën dallime midis grupeve A B dhe C, në shpërndarjen e kësteve të dëmshpërblimit, të cilat duhet të ecin paralelisht, sipas përqindjes së caktuar. Ne nuk kundërshtojmë përparësinë që duhet të kenë ish të dënuarit politikë me sëmundje të rënda ose në moshë të madhe, po ndërkohë duhet të kishte vazhduar edhe dëmshpërblimi i trashëgimtarëve të të pushkatuarve për motive politike, i të burgosurve politikë që nuk jetojnë, si edhe i të internuarve në telat me gjemba, siç e ka përcaktuar fillimisht ligji i cituar më sipër. Mirëpo një gjë e tillë nuk po ndodh. Ka ende trashëgimtarë të të pushkatuarve politikë dhe ish të internuar, të cilët nuk kanë marrë as këstin e parë, jo për faj të tyre, po për shkak të gabimeve të bëra në dokumentet, riga burokratët e paaftë të dikastereve përkatëse. Kjo është mjaft shqetësuese për ne dhe aspak e mirë për qeverinë dhe shtetin shqiptar. Kanë kaluar tetë vjet që nga dekretimi i këtij ligji dhe sipas parashikimit, procesi i dëmshpërblimit tanimë duhej të ishte kryer. Dihet se ky dëmshpërblim është tepër simbolik, në krahasim me vuajtjet e pamerituara të shtresës sonë, si edhe të punës së papaguar dhe veprave të ndërtuara gjatë 50-vjetëve në të gjithë Shqipërinë, një pjesë e të cilave janë në efiçencë të plotë. Gjithashtu është më i vogël sesa ai që iu dha njëherësh ish funksionarëve të regjimit komunist, të cilët fillimisht u akuzuan për krime të kryera për motive politike, pastaj -në mënyrë qesharake- u dënuan për abuzime me pije freskuese e kafe dhe përfundimisht morën “pafajësinë” të shoqëruar me dëmshpërblimin e menjëhershëm në të holla. Ajo farsë gjyqësore dhe komedi politike, është lozur përpara syve të të gjithë popullit shqiptar dhe nuk mund të mohohet, as të harrohet. Mirëpo, ndonëse në Shqipëri deri tani nuk ka pasur Drejtësi, ne do të vazhdojmë ta kërkojmë atë, si brenda ashtu edhe jashtë shtetit, në organet kompetente të Bashkimit Europian. Do të përdorim të gjitha mjetet e mundshme demokratike, deri në realizimin e kërkesave tona të ligjshme.
Për Shoqatën Kombëtare të Trashëgimtarëve të të Pushkatuarve Politikë të Shqipërisë
Kryetari: Gjoç Gjoçi
Për Shoqatën Kombëtare të Trashëgimtarëve të të Pushkatuarve Politikë të Shqipërisë
Kryetari: Tanush Kaso
Për Shoqatën Kombëtare të Trashëgimtarëve të të Pushkatuarve Politikë të Shqipërisë
Kryetari: Abdurrahman Çekiçi
Sigal