“Tri lëndë në gjashtë orë”…?!

1843
Evdal NURI 

Sistemi arsimor parauniversitar do të pësojë ndryshime radikale me nismën e re të quajtur “Tri lëndë në gjashtë orë”. Sipas MAS, shkolla do të riorganizojë orët mësimore, duke zhvilluar për një lëndë, 2 (dy) orë mësimore të njëpasnjëshme. Kjo do të thotë që nxënësi mund të zhvillojë në një ditë 3 lëndë dhe jo 6 lëndë të ndryshme. 

1- Si është? 
Kohë më parë , Ministrja e Arsimit u bind, por pas pesë vjetëve, që po rëndojmë nxënësit, e po i robtojmë nxënësit më çanta kaq të rënda. Ka dhe prindër e gjyshër që i shoqërojnë duke i mbajtur vetë ato , mbase peshojnë aq sa s’i mbajnë dot . Bukur më tha prindi, M. Kumaraku me çantën në krahë: “E mbarova shkollën sot!” Të vegjlit mësojnë, të mëdhenjtë transportojnë! Kur ka gjashtë orë nipit tim i peshon çanta 5 kg. Fillimisht, Ministrja paraqiti “rrugëzgjidhjen” për t’i ndarë librat në gjysmë. Shtëpitë botuese do të rritnin çmimet nga një në dy! Nga dhjetë libra mesatarisht për klasë do të bëheshin njëzet. Hajde gjeje se gjysma e cilës lëndë duhet për të nesërmen! Këtu s’është problemi i çantave, por dhe i “ujit “të tepërt që kanë tekset tona. Ato shpesh i mbingarkojnë nxënësit me dije të tilla, që s’do t’i duhen gjatë gjithë jetës! Ato lënë shumë për të dëshiruar. Nejse, kjo s’doli e frytshme! Tani u gjet kjo që do të trajtojmë më poshtë dhe që do të zbatohet nga një shkurti. 

2- “Çantat e lehta në dijet e rënda”! 
Flitet për më mirë. Kështu qoftë, por le t’ia lemë kohës. Ajo do të gjykojë më drejt. Mendimin më të saktë do ta japin nxënësit, mësuesit, prindërit e pastaj edhe ata që i bëjnë hesapet nga zyra . Mirë do të ishte të eksperimentohej në disa shkolla të vendit të niveleve të ndryshe e vitin tjetër të zbatohej duke korrigjuar problemet që do të dilnin këto muaj. Ka rrugë të ndryshme për të lehtësuar, jo vetëm çamtat, por dhe dijet. Teksteve të pasqyrojnë dijet më të rëndësishme më të qenësishme duke eliminuar trajtime, shifra, data të panevojshme. Kështu ata do të lehtësohen nga mbingarkesa që shqetëson nxënësit, por dhe nga pesha. Shtëpitë botuese të përdorin letër më të lehtë. Kam qenë mësues mbi 30 vjet. Në këtë fushë kam goxha përvojë. Çdo e keqe ka të mirën e saj, por dhe e mira varet sa e mirë është? Ajo në radhë të parë duhet provuar në praktikë sa e drejtë është? Jo më kot thonë se praktika është baza e njohjes e kriteri i së vërtetës. Sido që të jetë, ajo ka koston e saj e vjen me pengesa e vështirësi, por dhe me dështime kur s’është menduar mirë e provuar në jetë. 

Çfarë parashikoj: 
a) Çantat do të lehtësohen shumë, e prindër s’do kenë nevojë t’i mbajnë në kurriz çantat e fëmijëve, por dijet do të jenë më të rënduara. 

b) Fëmijë, s’janë mësuar më dy orë të bashkuara. Duan më tepër liri e pavarësi e jo “të ngurosur “ në të njëjtën lëndë e mësues për 90 minuta. Ata shpesh i dëgjon: “S’po bie zilja?!”, “Hajde dëgjoje dhe një orë këtë!” Ky padurim varet nga mosha, por dhe nga lënda e mësuesi, se sa e si ia bën interesant mësimin. Këto vërejtje i kanë tani për një lëndë e një mësues e jo për 90 minutat e të njëjtës lëndë e e të njëjtit mësues. Një ditë isha me Prof. Dr. Hysen Kordha dhe kur i thashë për idenë e një shkrimi të tillë, m’u përgjigj: “ Orët 90 minuta më një pedagog mërzisin dhe studentët në Universitet e jo nxënësit parauniversitarë”. 

c) Për lëndët që zhvillohen dy orë në javë nxënësit do të duhet të përgjigjet pas një jave. Kjo mangësi më e ndjeshme do të jetë për lëndët shoqërore. Një nxënës i Klasës XI/4, i shkollës “Ismail Qemali” kur e pyeta se si e presin këtë nismë më tha: “Shumica e klasës kanë rezerva. Mendimi, se atë që po shpjegon tani mësuesi do kërkohet javën tjetër do të na shkëputë vëmendjen e, si rrjedhojë do të na humbasë interesin për të dëgjuar me vëmendje mësimin”. 

Mendoj se kishte të drejtë. Një specialiste e MAS “ na sqaroi” se nga gjashtë përgatitje nxënësit do të kenë tri. Ato vërtet janë tri lëndë, por nxënësit do të përgatiten gjashtë tema mësimi, ndryshe s’realizohet plani mësimor. Të marrim një rast që na i ka servirur MAS. Plani mësimor. Ditë e Hënë. Kl. e 10-të. Gjuhë Shqipe-Gjuhë Shqipe, Kimi-Kimi, Gjeografi-Gjeografi. Gjithsej gjashtë orë. Vërtet janë tri lëndë, por e ritheksoj se janë gjashtë tema mësimi që do t’u jepen nxënësve. Dy tema për çdo lëndë. Pra , dy temat që do të zhvilloheshin në dy orë të ndara 45 minuta, tani do të shpjegohen në një orë 90 minuta. Pra, volumi është po ai, por më i vonuar do të jetë kontrolli! d) Duhet një kombinim i përsosur i orarit në ndërthurje lëndë shoqërore, me ato natyrore, ato me zgjedhje apo të djathtësisë. Kjo larmi do t’i qetësojë ata nga pesha e ngarkesa. Dy orë Histori, Gjeografi do t’i ngarkojë nxënësit, jo me tri-katër faqe mësimi në një orë për të nesërmen, por me tetë – dhjetë faqe pas një jave! 

e) Duhen marrë parasysh veçoritë psikologjike e niveli i nxënësve. Jo të gjithë nxënësit kanë të njëjtin nivel zhvillimi psikologjik e kushtet optimale për nji zhvillim të rregullt të procesit mësimor si dhe interes për shkollën. Ndryshojnë shkollat në Tiranë me ato në një rreth të vogël në Veri ose Jug. Tre muaj sistemi ynë arsimor mësimin e zhvillon në dimër, ku në shumicën e shkollave mungon ngrohja e nxënësit thahen nga të ftohtit. Në kohën tonë kushtet ishin jo të mira, por dëshira e nxënësve për të mësuar ishte shumë e madhe, respekti i admirueshëm. Ne punonim në kushte jo si këto të tanishme, por ishim të respektuar e nderuar, jo vetëm nga nxënësit, por dhe nga shoqëria. Duhet pranuar se nxënësit e sotëm kanë në dorë shumë mjete informimi si; celular, kompjuter e tjerë. Është fakt, se kanë njohuri të përgjithshme shumë më tepër se më parë, por kanë një mangësi në dëshirën për përgatitjen e lëndëve mësimore. Në Dialektikë vepron një ligj sipas të cilit: “E reja mohon të vjetrën, por nuk e asgjëson plotësisht. Ajo merr pozitivet e së vjetrës e këto i çon përpara . Këtë duhet të zbatojnë mësuesit e sotëm. Nga ne të marrin përkushtimin, ndërgjegjen e lartë për punë, përvojën pozitive në metodat e mësimdhënies, interesimin për bazën mësimore materiale e këto t’i çojnë më përpara . Jemi të gjithë prindër. E kemi shumë të qartë se ç’është dashuria për fëmijët! Ajo s’ka limit. Ata janë jeta jonë. Dashuria e tyre është e pakrahasueshme e pazëvendësueshme e patjetërsueshme dhe e jashtëzakonshme. Për fëmijët shqetësohet e gjithë shoqëria. Mund të ketë prindër të këqinj, por në drejtim të fëmijës, s’ka e s’mund të ketë të tillë. Si asnjë tjetër duam që ata të mësojnë, të edukohen, të bëhen të mirë për vete e shoqërinë. Në radhë të parë shqetësohemi për shëndetin, pastaj shkollën, sjelljen, shoqërinë e tyre. Për mirë është nisur, por nga çka trajtova do të dalin shumë probleme. Të kuptohemi, këto janë mendime nga përvoja ime si mësues. Diçka dhe mund të mos qëndrojë, por vërejtjet dhe e përgjithshmja ka vlerë. Qofsha i gabuar, por unë jam skeptik …! 
Sigal