Në Durrës prej disa muajsh tregu imobiliar ndodhet në krizë. Burimet nga zyrat imobiliare në Durrës u shprehën se “prej muajsh ka rënie të ndjeshme në tregun imobiliar, shitblerja e trojeve dhe pallateve ka pësuar ulje në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kur kjo rënie kishte nisur”. Sipas tyre, shkak për këtë situatë është gjendja ekonomike e emigrantëve, të cilët kanë qenë blerësit më të fuqishëm si dhe taksa e lartë e shitjes së banesave, e cila llogaritet 10 për qind e vlerës e cila është paracaktuar nga shteti”. Sipas statistikave të ofruara nga agjencitë imobilare në aktivitet, kjo periudhë shënon rënien më të madhe të shitjes së apartamenteve në dy dekadat e fundit. Në Durrës, pallatet janë ndërtuar tradicionalisht në tre zona, brenda në qytet, përgjatë bregut të detit, apo siç njihet zona e plazhit dhe në lagjet e vjetra. Në qytet ka një stok që afërsisht numëron 1100 apartamente të pashitura, ndërsa në plazh ky numër është rreth 1500. Burime nga zyrat noteriale, të cilat merren me shitblerjet e pallateve dhe të trojeve, bëjnë të ditur se, gjatë periudhës së fundit 3- mujore, në Durrës dhe plazh janë shitur gjithsej 217 apartamente dhe 45 troje, kur vitin e kaluar u shitën 40 për qind më shumë. Ky është një numër i ulët nëse do ta krahasojmë me vitin e kaluar, kur këto shifra ishin 4 apo 5 herë më të larta. Mësohet se, ky fenomen në Durrës ndodh në një kohë që ky qytet, së bashku me Tiranën, janë dy rrethet e para në shkallë vendi për numrin e familjeve të pastreha. Në Durrës aktualisht funksionojnë 4 agjenci imobiliare kur kanë funksionuar 6 të tilla. Mbyllja e tyre ka ardhur për shkak të mungesës së punës. Gjatë ditëve të ardhshme , parashikohet mbyllja edhe e një tjetër agjencie imobiliare . Sekserët e shitblerjeve të pallateve, shtëpive dhe trojeve, shprehen se, “ si shkak kryesor i kësaj krize në tregun imobiliar është gjendja e keqe ekonomike si brenda ashtu edhe jashtë vendit, ku janë të punësuar emigrantët tanë të cilët kanë qenë konsumatorët më të mëdhenj të këtij tregu”. Një pjesë e mirë e tyre ka kohë që janë kthyer me duar në xhepa, pasi andej nuk ka punë. Po dhe shumë të tjerë, me ato të ardhura që kanë dhe ato që kanë sjellë , mundohen që të sigurojnë mbijetesën në vendet ku punojnë, por nuk mund të kursejnë. Shkak tjetër që ka kondicionuar krizën e këtij sektori, është edhe taksa e shitjes së banesave e cila është 10 për qind e vlerës së paracaktuar me ligj nga shteti. Ndërkohë edhe pse numri i apartamenteve të pashitura shënon shifrat rekord, ndërtuesit vazhdojnë të ndërtojnë objekte të tjera. Ata besojnë se, me kalimin e krizës pas vitit 2013, dhe evitimin e pasojave të saj, apartamentet e tyre do të shiten. Përfaqësuesit e zyrave imobiliare shprehen se, “edhe ata që deri 2 vjet më pare blinin apartamente me kredi, sot nuk po e bëjnë një gjë të tillë, shkak, rroga e ulët, largimi nga puna, problemet me bankat etj.”.