Tregu i zi i ilaçeve për sëmundjet më të rrezikshme

720
Pacientët e onkologjikut, prej një kohe të gjatë hasen me mungesën e barnave, që janë shumë të rëndësishme për jetën e tyre. Mungesat dhe vonesat në furnizim me barna, që bëhen si rezultat i keqmenaxhimit të fondeve kanë detyruar pacientët që t’i sigurojnë ato në mënyrë ilegale. Këtu e ka zanafillën edhe lulëzimi i biznesit kontrabandë të medikamenteve, siç janë citostatikët, të cilët me ligj nuk lejohen që të shiten në farmaci, por janë të detyruara që të jepen nga mjeku dhe të jenë nën kujdesin e tij. Por, çfarë mund të bëjë një prind kur fëmija i tij është duke luftuar me vdekjen dhe i duhet që të ketë medikamentet e nevojshme për të zhvilluar seancën e kimioterapisë?! Në kushte mungese të citostatikëve, mjekët janë të detyruar që të lëshojnë receta pa firmën e tyre për barnat që nevojiten për të shpëtuar jetën e pacientit. Ndërsa, prindi fatkeq detyrohet që me këtë recetë në dorë t’iu drejtohet farmacive rreth spitalit që të blejë citostatikët, që tregtohen pa pullë, të future kontrabandë në vendin tonë. Por, sa të sigurta janë këto barna pa pullë? A kanë ato cilësinë e duhur apo janë të falsifikuara? Sa të dëmshme janë për shëndetin e të sëmurit? Sa janë kostot e tyre? Mos vallë këta prindër të dëshpëruar në vend që të shpenzojnë për të blerë jetën po blejnë vdekjen për fëmijët e tyre, pasi shteti i ka braktisur në fatkeqësinë e tyre? 

Pacientët i blejnë vetë barnat e kimioterapisë

Mysret Dervishi është prind i një vajze 22-vjeçare, e cila vuan nga kanceri. Ai po lufton ta shpëtojë atë me çdo kusht, edhe sikur të shesë gjithçka që ai ka. Mysreti na tregon sesi prej një viti paguan nga xhepi që ilaçet t’i blejë privatisht në Turqi, sepse në spitalin onkologjik ka mungesë. “Kam një vit e gjysmë që e kuroj. Nuk ka dhënë rezultat. Kam bërë mjekime, tre cikle. ciklin e dytë e kam blerë komplet vetë. Shteti s’ka pasur ilaçe. I kam marrë vetë, privatisht. Nuk ka faj mjeku, kur s’ka, s’ka”, shprehet Mysreti, i cili mundohet që të justifikojë edhe recetat që mjekët kanë dhënë pa firmat e tyre, në shenjë humanizmi që të ndihmojnë për të shpëtuar vajzën e tij. Ky baba ndihet i keqardhur që nuk ka mundësi që të përballojë kostot e larta për të siguruar medikamentet që Ornela 22- vjeçare të ketë mundësi që të bëjë të plota seancat e kimioterapisë. Ai shprehet se është i gatshëm që të shesë edhe shtëpinë që vetëm vajza e tij të shpëtojë. Ndërsa apeli që ai bën për Ministrinë e Shëndetësisë është që t’i mundësojnë Ornelës transplantin e palcës që nuk bëhet në vendin tonë. “Endoxan” është një nga medikamentet, të cilat përdoren për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme kanceroze, si dhe për çrregullimet e sistemit imunitar. Një nga pacientet e onkologjikut, e ardhur nga Dibra thotë se është e detyruar që t’i blejë vetë medikamentet sa herë që vjen për kimioterapinë. “Nuk jam e sigurt për cilësinë e tyre, por duke qënë se i blejmë në farmaci shpresojmë të bëjnë punë,” shprehet ajo pasi e pyet për faktin që ilaçet nuk kanë pullat e kontrollit të lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe nga Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Barnave dhe të Pajisjeve Mjekësore. Ndërkohë që korridoret e onkologjikut janë të mbushura nga pacientë ose të afërm të tyre që qarkullojnë me qeska farmacie në dorë ku mundohen që të sigurojnë vetë barnat e munguara për të shpëtuar jetën e njerëzve të tyre. Këta njerëz të dëshpëruar janë të gatshëm që të shesin gjithçka për të mbajtur në jetë njerëzit e tyre, por, në të njëjtën kohë ata rrezikojnë varfërinë e tejskajshme duke mos qenë të sigurt për cilësinë apo efektin e branave që janë të detyruar t’i blejnë pa pullën e kontrollit.

Shoqëria Civile denoncon shkeljet e rënda

Fakti që denoncohet nga vetë pacientët apo të afërm të tyre, se në depon farmaceutike të QSUT mungojnë citostatikët, nuk vlen për farmacitë, që kanë rrethuar spitalin më të madh në vend. Për më tepër, sikundër dëshmojnë aktivistë të shoqërisë civile, këto barna i përkasin tregut të zi të kontrabandës. Eglantina Bardhi drejtuese e shoqatës “Together For Life” thotë se citostatikët pa pullë, jo vetëm që kanë kosto shumë të lartë, por kanë edhe probleme me cilësinë. Duke iu referuar “Medicrime”, Konventës së BE për barnat e falsifikuara, e cilëson krim çdo produkt “kontrabandë”, duke qenë se çdo medikament i tillë bart rrezikun për falsifikim. Por, edhe nëse produkti është origjinal, bart rrezikun për degradim të përmbajtjes si rezultat i kushteve joadekuate të ruajtjes ose distribuimit, ku efekte toksike janë më të theksuara. Është e domosdoshme që citostatikët të transportohen në temperaturë 2 ­ 8 gradë celsius dhe të kenë kushte të përshtatshme gjatë transportimit. Qëndrimi dhe transportimi i këtyre medikamenteve në temperatura të larta gjatë verës, përveç që ndikon në humbjen e cilësisë dhe të mos reagojë si terapi, mund të kenë edhe kundërefekte. 

Kontrabanda, “në lulëzim të plotë” 

Sa i përket përgjegjësisë së futjes së barnave kontrabandë në vendin tonë, Diana Toma, presidente e Urdhrit të Farmacistit ia faturon atë shtetit. “Kur medikamentet nuk sigurohen në një mënyrë të rregullt, atëherë favorizohet futja në një mënyrë të parregullt. Sanksionet nuk zgjidhin asgjë, përveçse rrisin shkallët e korrupsionit”, shprehet ajo. Lidhur me kushtet e ruajtjes dhe transportimit të medikamenteve, kreu i Urdhrit të Farmacistit, Diana Toma, thotë se, për arsye të ruajtjes së efektshmërisë së këtij bari, është shumë i rëndësishme që ai të transportohet dhe të ruhet në kushte optimale. “Ndryshimi i temperaturës mund ta shkatërrojë strukturën e atij bari, duke ulur efektshmërinë, por, madje, mund të ketë edhe efekte negative. Barnat barten me kamion­frigorifer që i zbatojnë kushtet e temperaturës, por në rastin e barnave të hyra kontrabandë në vend nuk dihet nëse zbatohen këto standarde apo jo,” thotë zj.Toma. Në korrik të vitit 2011, ministri i Shëndetësisë në atë kohë, Petrit Vasili, nxori urdhrin për “Pajisjen me vulë të barnave që përdoren në institucionet shëndetësore publike”. Ky urdhër që hyri në fuqi më 25 korrik 2011, parashikonte që gjithë barnat që qarkullojnë në sistemin shëndetësor publik, përveç pullës së sigurisë, duhet detyrimisht të ishin të vulosura edhe me mbishkrimin “Përdorim Spitalor ­ Ndalohet Shitja”. Gjithashtu, thuhej se në sistemin shëndetësor publik lejohet të qarkullojnë barna që mbajnë pullë sigurie me çmim për rrjetin e hapur farmaceutik “vetëm nëse ato mbajnë vulën me mbishkrimin “Përdorim Spitalor – Ndalohet Shitja”, ndërkohë që “boja që përdoret për stampimin e vulës të jetë me të kuqe që nuk fshihet”. Elementë këta që mungojnë në kutitë e citostatikëve, që tregtohen në farmacitë në afërsi të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Heshtje e Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave 

Duke iu referuar udhëzimit nr.2 datë 15.01.2013, mbi procedurat e prodhimit, kodimit, stampimit, shpërndarjes dhe monitorimit të pullave të kontrollit të barnave duhet që këto pulla të jenë të vendosura mbi kutitë e medikamenteve. Kështu aplikimi i pullës së kontrollit të barnave bën të mundur identifikimin e sasisë së barnave, siguron autenticitetin e barnave në interes të përdoruesve të tij, synon që të bëjë të mundur gjurmimin e tij në të gjithë vendin në mënyrë që të identifikojë origjinën dhe ligjshmërinë e tyre. Në këtë mënyrë, nuk lejohet falsifikimi i tyre dhe prodhimet e jashtëligjshme. Pulla e kontrollit përmban elementë si “Ministria e Shëndetësisë, Qendra e Kombëtare e Kontrollit të Barnave, emrin e barit, dozën e tij, çmimin e shitjes me pakicë të barit, etj”. Pra një sërë elementesh që janë të detyruar me ligj që të jenë mbi kutinë e barit, por që realiteti tregon se shumë prej tyre nuk i kanë këto pulla kontrolli. Por, çfarë bëjnë institucionet përgjegjëse për hyrjen në vend të barnave të pakontrolluara? Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Barnave shprehet se: “do të ushtrojë kontrollet përkatëse për të bërë verifikimet e duhura”. Ndërsa sa i përket cilësisë së këtyre medikamenteve që qarkullojnë pa pullë në vendin tone, shprehen se duhet që të bëhet kujdes pasi nuk dihen kushtet në të cilat janë transportuar apo nëse janë të falsifikuar apo jo si medikamente”. Për aq kohë sa institucionet përgjegjëse për kontrollin e barnave që hyjnë në vend janë në faza verifikimesh, s’mbetet gjë tjetër veçse pacientët e detyruar që të blejnë dhe të konsumojnë këto barna të jenë në mëshirën e Zotit.

Sigal

Entela Barjamaj