Tregu “Gabi” i veturave në Pogradec, “qelb” dhe bllokon qendrën e qytetit

949
Në qendër të Pogradecit, qindra makina parkohen çdo mëngjes në sheshin kryesor të qytetit në mes të dy kryqëzimeve, konkretisht midis bulevardit kryesor dhe shëtitores në breg të liqenit. Shqetësimi është aq i madh, sa kalimtarëve dhe makinave që kalojnë aty, iu ka ardhur “në majë të hundës” nga një kaos i madh që krijohet prej këtyre parkimeve që bëhen në mes të bulevardit. Para disa ditësh, një makinë përplasi një kalimtare të rastit, pasi bulevardi kryesor është aq I bllokuar saqë makinat që ecin në bulevardin kryesor në drejtim të Tiranës cikin pasqyrat e makinave të parkuar. Makina pa targa dhe me tabela mbi xhamat e tyre ballorë e anësorë, ku shkruhen njoftimet: “Shitet”, kanë mbushur sheshin, të cilin pronarët, ose më saktë tregtarët dhe sekserët e këtyre makinave e kanë kthyer në treg “Gabi”, ku ka veç rrëmujë, zhurma e ndotje, nga grumbulli i atyre që shesin makina dhe bëjnë pazarin me blerësit në mes të bulevardit që i jep qendrës së qytetit pamje të shëmtuar. Pogradeci është një nyje kyçe me dy dogana, “Qafë Thanë” e “Tushemisht”, porta kufiri e importi këto, nga të cilat futen makina nga Maqedonia, Bullgaria e shtete të tjerë, të blera në Perëndim. Sheshi në qendër të qytetit të Pogradecit, prej kohësh ka marrë tamam pamjen e tregut, ose më saktë të pazarit të “Gabit” të rrobave të përdorura. Veçse, këtu në qendër të Pogradecit, në mes të bulevardit nuk shiten rroba të përdorura por makina të përdorura, që sjellin jo pak kaos e “qelbje” të qytetit. Madje edhe dikush që kërkon të parkojë makinën që mund të ketë një punë në qendër të qytetit, ku është vendi i parkimit, ndihet në vështirësi, mbasi e ka të pamundur të gjejë vend-parkimi. E gjithë kjo pamje dhe ky kaos ndodh në prezencë të Policisë së Qarkullimit Rrugor e të Policisë Bashkiake, të cilat janë të shumta në numër policësh që shikojnë përditë dhe nuk largojnë nga qendra e qytetit “Gabin” e veturave! 
Prononcohet Mustafa Dervishaj, qytetari që u përplas nga makina
Si ju duket që pazari i veturave të përdorura, që bëhet në mes të qytetit?
– Kjo mund të ndodh vetëm në Pogradec, pasi në asnjë qytet nuk ndodh që të bëhet pazari I shitjes së makinave në mes të qytetit. Kështu, në Durrës apo Tiranë ka vende të caktuara ku shiten veturat. Është indiferenca e policisë, këtij institucioni të shërbimit publik, i cili lejon që qendra e qytetit turistik të frekuentuar e vizituar edhe nga shumë turistë të huaj e vendës, të kthehet në treg veturash të përdorura. Tashmë,. E vetmja gjë që mbetet pa u lejuar nga shteti, mendoj se është kjo: Të sjellin në mes të Pogradecit edhe tregun e rrobave të përdorura “Gabi”, që të shiten në mes të shëtitores në qendër të qytetit, ne parkun dhe bregun e Liqenit. Mua më përplasi një makinë nga këto të tregut “Gabi” që është “ngulur” në qendër të qytetit. Fatmirësisht, shpëtova vetëm me disa plagë, por nëse vazhdohet kështu, padyshim që do të ketë aksidente të tjerë ndaj qytetarëve… 
Bardhyl BERBERI
Sigal