Tregtimi i prodhimeve të detit pa standarde, rrezik për banorët

521
Sigal

SARANDË/ Peshku dhe prodhimet e tjera të detit tregtohen jashtë kushteve. Mjedisi që kutërbon nga era, largon pushuesit e dëmton bizneset

Kujtdo që i bie rruga për të shkuar nga porti detar i Sarandës, apo për të hyrë në qytet nga tregu i prodhimeve bujqësore, nuk mund të mos vërejë tregun e prodhimeve të detit përballë këtij tregu, në anën tjetër të rrugës dhe ta ketë tepër të vështirë të  duroj ndotjen e mjedisit dhe kutërbimin e erës së keqe nga mbeturinat e këtyre produkteve. Ndërkohë, si pasojë e tregtimit të peshkut e prodhimeve të detit jashtë standardeve, blerësit jo vetëm nuk konsumojnë produkte cilësore, por dhe rrezikojnë shëndetin e tyre. Gjithçka, bëhet nën ‘hundën’ e kontrollorëve të Inspektoratit Shëndetësor dhe atij të Ushqimit.

SITUATA

Përveç të tjerave, kjo gjendje është performancë e keqe edhe për vetë qytetin me destinacion turistik dhe me pretendime në këtë drejtim, si e vetmja e ardhur për qytetarët. Në këtë pjesë janë edhe një numër i konsiderueshëm i hotelerisë së standardeve bashkëkohore, por tregu i prodhimeve të detit nuk lejon fluksin e klientëve, sidomos asaj elitare. Me këtë gjendje të rëndë të tregtimit të prodhimeve të detit përballen gjithashtu, që në ardhje turistët që vijnë me linjë detare, duke shmangur akomodimin në hotelet që ndodhen në këtë zonë. Pronarët e hoteleve, por dhe ata të prodhimeve bujqësore që ushtrojnë aktivitet në këtë zonë, janë ankuar vazhdimisht në të gjitha instancat shtetërore, por ankesa e tyre nuk është marrë në konsideratë. “Ky është një segment kyç i qytetit, ku kanë aktivitetin e tyre shumë biznese.

Mjedisi është i rënduar. Kemi informuar disa herë në bashki, e institucione të tjera që e kanë për detyrë të kontrollojnë, por situata nuk po ndryshon. Po na dëmtohet biznesi, por dhe qytetarët vuajnë pasojat nga kjo gjendje”,- pohon V. Nikaj, një nga tregtarët e kësaj zone.

KONTROLLI

Kontrollet për frenimin dhe ndëshkimin e shkaktarëve të tregtimit të prodhimeve të detit jashtë standardeve, ose nuk bëhen sa për të kaluar radhën. “Nëpunës të Inspektoratit të Higjienës, megjithëse, kalojnë dhjetëra herë në ditë në këtë zonë, vetëm sa zënë hundët me duar dhe rrudhin buzët nga kundërmimi kutërbues, e asgjë tjetër. Ndërsa në AKU, thonë se, ekziston një strukturë e tillë në Sarandë, por qytetarët nuk kanë parë efektet e punës së tyre. Prodhimet e detit janë kategorikisht të ndaluara të tregtohen në mënyrë ambulante buzë trotuareve, por vetëm në kushte frigoriferike dhe me një kontroll të rreptë higjiene dhe mjekësore. Por këto kushte dhe standarde, ndonëse të vendosura edhe nga BE-ja dhe të sanksionuara edhe në legjislacionin shqiptar, askush nuk do t’ia dijë. Të paktën në Sarandë nuk veprohet prej vitesh dhe jeta e qytetarëve rrezikohet seriozisht. Nuk po themi se, qytetarët e kanë braktisur këtë treg, por prezenca e tyre buzë trotuareve jep imazhin se shteti bën sehirxhiun para këtij fenomeni të rrezikshëm për jetën e njeriut”,- shton një prej qytetarëve. Edhe në bashki thonë se, kanë projekte për shtimin e numrit të turistëve, por kjo situatë nuk është e favorshme.