Tregtarët e fruta-perimeve protestojnë për largimin e ambulantëve

766
Sigal

Tregtarët e tregut të licensuar të fruta-perimeve në Durrës kërkojnë
ndërhyrje nga Bashkia për largimin e ambulantëve. Tregtarët thonë se përveç
konkurencës së pandershme, ambulantët duke shitur në rrugë dhe trotuar,
pengojnë dhe furgonët që bëjnë furnizimin, ndërkohë që nuk paguajnë asnjë
detyrim në Bashkinë e Durrësit.

 Tregtarët e tregut të fruta-perimeve në Durrës kanë
protestuar kundër konkurencës së pandershme nga ana e tregtarëve ambulantë që
shesin në rrugë apo në trotuare.

Tregtarët e licensuar thonë se policia bashkiake që ka
për detyrë të menaxhojë mbarëvajtjen e tregut, po lejon ambulantët të shesin në
trotuare, duke penalizuar ata që shesin brenda tregut të rregullt.

Tregtari: Përveçse bllokojnë
rrugët e qytetarëve, këta janë të gjithë pa letra, pa licenca, pengojnë punën
që bëhet brenda.Po bllokojnë rrugën fare. Këtu nuk kalohet as me makina, as
tregtarët, as punëtorët, as njerëzit.

Tregtari: Kërkojmë ndihmë nga
policia e rendit, të gjithë këta që rrinë këtu kanë vende brenda.

Tregtarja: Nëse nuk e plotësojnë
dot tregun, të bëjnë treg tjetër se edhe këta do të hanë. Bëje me kat të dytë.

Disa ditë më pare, policia bashkiake e Durrësit i liroi
trotuaret nga shitësit ambulantë, por ata u rikthyen përsëri duke sjellë të
njëjtat probleme.

Në tregun e fruta-perimeve ushtrojnë aktivitetin rreth
500 tregtarë të cilët paguajnë 4 mijë lekë në muaj për hapësirën që kanë në
dispozicion për këtë aktivitet si dhe një faturë vjetore prej 6 mijë lekësh për
energjinë elektrike.