Tre orë seancë/ Gjykata Kushtetuese merr vendimin për ligjin e “Vetting”-ut, si u ndanë votat për kërkesën e PD

501
Ligji i Vettingut është kushtetues. Në këtë konkluzion ka arritur Gjykata Kushtetuese pas më shumë se 3 orësh mbledhje duke rrëzuar ankimimin e PD-së që ligji të shpallej antikushtetues duke i dhënë fund kështu edhe debatit për miratimin ose jo të tij.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur me shumicë votash që ta cilësojë ligjin e Vettingut dhe ta kalojë atë për zbatim. Që nga ky moment Vettingu është në fuqi. Të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët tashmë do të kalojnë në sitë, duke nisur që nga pastërtia e figurës deri tek pasuria e tyre.
Sipas raportimit të gazetares, Klodjana Lala, mbledhja ka zgjatur rreth 3 orë e gjysmë dhe në fakt nuk pritej ky vendim, të paktën me shumicë votash. Por edhe gjykatësit që ishin deklaruar nën zë kundër ligjit të vettingut kanë vendosur pro tij. Ende nuk dihen emrat e gjyqtarëve që kanë votuar kundër ligjit.
Sa i përket 6-shes tjetër, Bashkim Dedja thuhet që ka qenë për rrëzimin e kërkesës së PD
Si rrallëherë GJK ka vepruar me një trupë me 8 anëtarë sepse zakonisht vepron me 9 anëtarë për të shmangur një ngërç në rast barazime votash.
Vendimi vjen pas kthimit të përgjigjes nga Komisioni i Venecias, i cili në opinionin e tij në lidhje me “Vettingun”, shprehu vlerësim pozitiv për këtë ligj, ndërsa ka analizuar pikëpyetjet e gjykatës Kushtetuese. Lidhur me këtë fakt, Venecia i është përgjigjur Kushtetueses për disa çështje.
Po ashtu, Venecia shtoi se Vettingut duhet t’i nënshtrohen edhe gjykatësit e Gjykatës Kushtetueses.
“Dispozitat nuk shkelin nenet e të drejtave të njeriut. Në tërësi ligji i Vettingut është pozitiv. Ligji i Vettingut, i nevojshëm për Shqipërinë. Gjykata Kushtetuese ka konflikt interesi me ligjin. Dispozitat nuk shkelin nenet e të drejtave të njeriut.”, citohet në opinionin e Venecias.
Komisioni i Venecias theksoi se dispozitat e ligjit nuk shkelin nenet e Konventës europiane të të Drejtave të Njeriut apo shfaqin problem për asnjë nga çështjet e ngritura nga Gjykata kushtetuese e Shqipërisë në kërkesën e saj për të marrë një opinion rreth tekstit të miratuar nga parlamenti më 30 gusht të këtij viti.
Sigal