Tre muaj peng i Lin Biaos

682
Abaz T. Hoxha
Studiues dhe historian i kinemasë
Rektori i Universitetit të Tiranës, Agim Mero, kish bërë një vizitë në RP të Kinës. Në këtë vizitë ai shoqërohej edhe nga Bujar Koloneci, ish punonjës i kinostudios dhe miku im. Siç ishte bërë traditë, të gjithë delegacionet që ktheheshin nga Kina bënin takime me kategori të ndryshme dëgjuesish ku ata jepnin përshtypjet e tyre. Kjo kishte si synim kryesor që të ekzaltoheshin marrëdhëniet me Kinën dhe të forcohesh besimi në popull se Shqipëria kish një mik të madh në mbrojtje. Edhe këtë radhë rektorati i Universitetit organizoi një takim ku do të jepte përshtypjet për vizitën atje rektori A. Mero. Në këtë takim ishte ftuar edhe ambasadori kinez në Tiranë dhe, vetëkuptohet edhe personalitete të larta shtetërore e partiake shqiptare. Për ta bërë më tërheqës takimin u duhesh të shfaqnin edhe një film kinez të pranishmëve. Ishte pranvera e vitit 1972. Unë kisha dalë nga një betejë shumëvjeçare. Ndonëse fitimtar por që më kish shkaktuar shumë strese dhe më kishte tronditur personalisht dhe familjarisht. Fundi ishte një mbledhje e madhe e gjithë kolektivit të Kinostudios ku morën pjesë edhe personalitete nga më të lartat të partisë dhe që zgjati 7 ditë. Rezultatet e kësaj mbledhjeje u botuan edhe në gazetën “Zëri i Popullit” por që nuk përmendesh asnjëherë figura qendrore e asaj mbledhjeje, që kishte marrë përsipër gjithë ato riske, por persona të tjerë që kur panë balancën kthyen pllakën ditën e fundit dhe u rreshtuan në forcat fituese. Ky shkrim nuk ka për objekt këtë mbledhje, ndonëse do të hidhte dritë mbi shumë ngjarje që do të zhvilloheshin më vonë. E përmenda për të treguar, se si në çdo betejë ka edhe të humbur, por edhe të fituar dhe se të humburit kërkojnë gjithmonë revansh, prandaj i mbajnë shpatat ngrehur kur të gjejnë rastin. Ku e dija unë se ky rast do t’u vinte shumë shpejt dhe për më tepër se do t’u jepte shansin Lin Biao disa mijëra kilometra larg Shqipërisë. Bujar Koloneci më dërgoi një letër me anën e të cilës më kërkonte që t’u jepja një film për ta shfaqur në takimin e mësipërm. Unë kisha marrë çantën dhe isha bërë gati për të shkuar me shërbim në Pukë. Letërprurësit i dhashë shpejt një shënim për ndihmësin tim që t’u jepte një film dokumentar kinez që e kisha parë kohët e fundit dhe më kish bërë shumë përshtypje, dhe vetë u nisa menjëherë. Në mbrëmjen e asaj dite më morën në telefon në Pukë dhe më thanë që të kthehem urgjentisht në Tiranë. Me këto urgjenca tashmë isha mësuar dhe pak a shumë e mora vesh se do kishte ndodhur diçka, por nuk më shkonte fare ndër mend se kjo diçka do të ishte filmi kinez. Siç përmenda këtë film e kisha parë. Ishte filmi dokumentar “Kanali vaditës Flamuri i kuq” që bënte fjalë për çeljen e një kanali gjigant vaditës që lidhesh me lumin Janse në Kinë dhe ku binte në sy puna masive vetëmohuese e punëtorëve dhe fshatarëve kinezë që transportonin me trasta dhe dhe gurë. Nga ana e xhirimit të linte shumë mbresa dhe dëshmonte për një punë të lavdërueshme të dokumentalistëve kinezë. Kjo ishte edhe arsyeja që unë dhashë porosinë për shfaqjen e atij filmi në universitet dhe nuk mund ta parashikoja se ai film do të bëhesh shkak i shumë shqetësimeve për mua dhe do të më shkaktonte tre muaj tronditje të mëdha nervore që do të linin shumë pasoja tek unë dhe familja ime. Që në mëngjes kur u ktheva, byroja e Partisë së institucionit kish dhënë porosi që të bëhesh mbledhja e drejtorisë dhe e kolegjiumit dhe të mbante qëndrim të ashpër karshi fajtorëve (dmth kundër meje). Çfarë kishte ndodhur? Filmi ishte shfaqur dhe ambasadori kinez ish larguar nga salla e më vonë kish protestuar. Në film, teksti i të cilit ishte në gjuhën kineze, jepeshin disa banderola, pllakate e parulla që kishin të bënin me citate të Lin Biaos, ish N/kryetar i P. Komuniste kineze, bashkëpunëtor i afërt i Mao Ce Dunit dhe ai që kish udhëhequr t’ashtuquajturin Revolucion Kulturor në Kinë. Muajin e fundit Lin Biao nuk ish dëgjuar më. Por nuk kish asnjë njoftim zyrtar për të dhe se ç’kishte ndodhur në Kinë muajin e fundit. Si rregull kinezët njoftonin me shkrim për filmat që duhej të hiqeshin nga qarkullimi dhe ky film ne na kishte ardhur vetëm një muaj më parë. As Ministria e Arsim-Kulturës, nga vareshim, nuk na kishte njoftuar dhe po kështu as Drejtoria e Shtypit e Komitetit Qendror, e cila bënte rregullisht informimet përkatëse për të sqaruar ngjarjet politike të fundit me punonjësit e ndryshëm të shtypit dhe të propagandës ku bënte pjesë edhe kinematografia. Megjithatë unë e pranova fajin. Në fakt, në versionin që u dha më vonë, ai na paskësh qenë armik i Kryetarit Mao dhe ishte eliminuar fizikisht gjatë një përpjekje për tu arratisur me avion për në Bashkimin Sovjetik. Avioni ishte qëlluar me raketa dhe ishte rrëzuar në territorin kinez. Ku ta dija unë i shkreti që rrëzimi i tij do të më shkaktonte aq telashe. Në mbledhjen e kolegjiumit u zhveshën shpatat e atyre që përmenda më lart, ndonëse pati reagime nga disa që u përpoqën të më mbronin. Konkluzioni ishte se duhej të shkarkohesha nga detyra dhe të largohesha nga kinostudio. Pastaj e kishte radhën Partia. U mblodh byroja e institucionit dhe mbasi e fryu dhe ekzagjeroi, se gjoja ishte bërë shkak për ftohjen e marrëdhënieve midis Shqipërisë e Kinës së madhe të Mao Ce Dunit, përfundoi me vendimin që të përjashtohesha nga partia dhe të flakesha nga kinostudio. Në byro dominonin ata që kishin dalë të humbur në mbledhjen 7 ditore që përmenda. Propozimi i tyre iu dha si rekomandim organizatës së partisë ku unë bëja pjesë. Por organizata ime e refuzoi propozimin e byrosë, e konsideroi si një masë ekstreme dhe e quajti si një aksident në veprimtarinë time rezultative shumëvjeçare, prandaj propozoi të më hiqesh një vërejtje e rëndë me shënim në kartën e regjistrimit. Të dy këto propozime i kaluan për miratim Komitetit të Partisë të Rajonit Nr.1 të Tiranës për vendimin përfundimtar. Rajoni Nr.1 mbulonte të gjitha institucionet Kulturore-artistike dhe administratën e lartë shtetërore. Sekretarin e Parë të Rajonit J. P. e kisha pasur “mik për kokë”. Ai kishte përkrahur dhe vazhdonte të përkrahte ata persona që në mbledhjen e fundit kishin dalë të humbur. Kisha pasur me të shumë konflikte, pra edhe atij i erdhi rasti i volitshëm për të më hequr qafe. Por në mbledhjen e Komitetit ku unë isha thirrur për të dhënë llogari ngjarjet morën një kthesë të pa-pritur. Sekretari i Parë bëri një gabim fatal, të cilin unë e shfrytëzova. Duke e humbur durimin dhe duke dashur të më rëndojë fajin ai më bëri përgjegjës për të gjitha ngjarjet që kishin ndodhur në Kinostudio dhe harroi se ato kishin përfunduar në disfavor të tij dhe pasuesve të tij që po bënin çmos për revansh duke krijuar një gjendje shumë të rëndë për gjithë kolektivin e Kinostudios. Duke e denoncuar këtë tendencë të sekretarit të parë unë këmbëngula se kisha ardhur aty për të dhënë llogari për ngjarjen me filmin kinez dhe jo për gjendjen e Kinostudios për të cilën ai ishte fajtor vetë, se nxiste në prapaskenë grindjet. Revolta ime u përkrah nga disa intelektualë që bënin pjesë në Komitetin e Partisë si G. Q., H. B. etj. Ky gabim i Sekretarit të parë më shpëtoi mua dhe familjen time nga dënimi ekstrem që do të na hidhte në rrugë e madhe e ndoshta edhe nën pranga. Komiteti la në fuqi vendimin e organizatës sime të partisë për një “vërejtje me shënim në kartën e regjistrimit. Por sekretari i parë nuk m’u nda dhe gafat e mëtejshme të tij krijuan një gjendje shumë të tensionuar në Kinostudio, për të cilën organizata reagoi dhe organet më të larta u detyruan që ta transferonin atë si sekretar në rrethin e Sarandës. Megjithatë kjo ngjarje mua më kushtoi shumë shtrenjtë. Tre muaj të tëra në ankth, pa gjumë. Tre muaj që familja ime nga dita në ditë priste që t’i ngriheshin plaçkat për t’u internuar. Përjashtimi nga partia donte të thoshte se ishe “armik i partisë dhe i popullit”, dhe në qoftë se nuk të hidheshin prangat, dënimi më i vogël ishte të merrje kazmën dhe të punoje diku në një krahinë të largët në internim.



Sigal