Tre ministra urdhër drejtorëve në Elbasan

494
Forca goditëse, denoncimet me fakte dhe jo hamendësi, shpalosja me kurajo dhe guxim qytetar i dosjeve të hetuara, të pahetuara dhe atyre që nisen çdo ditë drejt organit të hetimit, publikimi i fakteve tronditëse dhe skandaloze që lidhen me abuzimin e tenderave, blerjeve të turpshme, abuzimit me miliona lekë të investimeve dhe fondeve buxhetore, denoncimi i pazareve dhe marrëveshjeve të fshehta i ministrave të zhytur në korrupsion dhe krim ekonomik, kanë bërë efektet e veta. Por pas kallëzimeve dhe nxjerrjes së fakteve të vërteta në faqen e gazetës, pas publikimit të aferave nga më të padëgjuarat korruptive, që prej 2 vitesh po mbushin si me magji xhepat e drejtorëve dhe ministrave, vjen edhe reagimi nga këta të fundit, inkuizicion në kohët moderne. Nuk mund të mendohen dhe as nuk mund ta besosh që një ministër të arrijë deri aty, sa të urdhërojë me celularë vartësit e tij për të mos blerë një organ mediatik, dhe kjo ka ndodhur në Elbasan, në qytetin e çudirave. Tre ministra prej disa ditësh, kanë urdhëruar drejtorët e tyre në këtë qytet, “të mos blejnë gazetën “Telegraf”, ndryshe do të mbajmë qëndrim ndaj jush”. Burime tepër të besueshme nga disa drejtori vartëse të tre ministrave i thanë “Telegraf” se, “gazeta blihej pothuajse çdo ditë, pasi kishim porosi nga shefat pasi kishte fakte dhe denoncime të hapura dhe të guximshme për deputetë, ministra, drejtorë drejtorish, politikanë, dhe trajton mjaft tema të bukura dhe tërheqëse, por prej 3-4 ditësh është marrë urdhër nga Tirana të mos e blejmë, madje edhe kur zbulohet se ndokush e ka në zyrë apo makinë është i larguar nga puna”. Një shofer drejtori u shpreh se, “para se ta merrja shefin tim çdo mëngjes, veç të tjerave i blija edhe gazetën “Telegraf”, madje kur nuk e gjeja, më jepte urdhër shko edhe merre tek Biblioteka, por prej disa ditësh mora urdhër mos e blija, sepse edhe ai kishte marrë urdhër ose porosi të prerë nga shefat lart, nga Tirana”. Por sikur të mos mjaftonte kjo, servilët e tre ministrave kanë nisur të gjurmojnë me hafije çdo zyrtar dhe punonjës, duke nisur nga rojet e objekteve, për të zbuluar kush e ble “Telegraf”. Por si çdo gjë tjetër e ndaluar edhe ky veprim mesjetar ka patur reaksionin e vet. Pikat e shitjes në Elbasan si tek Hamami-Turizmi, Stadiumi, pranë Bashkisë, tek Universiteti, dhe tek Atelia, thanë se “pavarësisht se me frikë, sërish ata që e kërkonin me ngulm, tani dërgojnë persona të tjerë për ta blerë, një frikë dhe terr mediatik, presione psikologjike, janë bërë me hije të gjithë ata që punojnë në shtet, sepse kujtojnë se japin informacione për gazetën”. Kishte vite që nuk ndodhte kjo gjë me institucionet e shtetit, kishte vite që nuk ndodhte që drejtorët servilë të merrnin urdhra (dikur nga SHIK) për të mos blerë dhe lexuar gazetat që denoncojnë hapur dhe me fakte aferat korruptive dhe implikimin e zyrtarëve të lartë në skandale financiare. Dhe kjo ndodh në 2015, kur vendi aspiron të shkojë dhe të bëhet anëtar i BE me të drejta të barabarta si të gjithë shtetet e tjera të unionit, por me të veçanta të hidhura dhe të pakonceptuara. Ende tek mendësia e zyrtarëve shqiptarë, të lartë, të mesëm dhe të vegjël, ekziston logjika e sëmurë e “armikut të klasës”, apo duke i ndarë edhe mediat dhe gazetarët në “yni dhe yti”. Kjo ndarje dhe këto veprime të cilat të kujtojnë vitet e shkuara, tregon se tek ne ka akoma zyrtarë të zhytur në korrupsion, të zhytur në krime ekonomike dhe krime të tjera, që kanë vaska të lara me flori në vilat e apartamentet e tyre, apo edhe piano 100 milionëshe për fëmijët e tyre të blera në Bullgari, Rusi apo gjetkë, por që ende nuk janë të shkëputur nga mentaliteti i padronit dhe vasalit të shtypur. Madje këta të fundit, të molepsur njëlloj si shefat e tyre, janë më të egrit dhe më të bindurit kur vjen radha e zbatimit të ndonjë porosie e cila trajtohet sikur të ishte “urdhër” dhe e kundërta. Urdhër-porositë për të mos blerë “Telegraf”, jepen nga ata ministra që çdo ditë akuzohen dhe mbeten prej muajsh objekt i organeve hetimore për abuzimet dhe vjedhjet e parave të taksapaguesve shqiptarë. Jepen nga ata ministra dhe zbatohen nga ata drejtorë, që po u vjedhin ndërmarrjeve dhe institucioneve të tyre edhe tullat, dhe që nesër falë publikimeve nga “Telegraf”, do të jenë banorët e rinj të qelive, pavarësisht se me milionat e grabitura mund të tentojnë të blejnë prokurorë e gjyqtarë.
Sigal