Tre absurde nga policia “Tahiri”

564
Në emër të “rilindjes”, po nxiten e praktikohen iniciativa, po bëhen ndërhyrje e po bëhen ndryshime, që jo vetëm nuk i lejon ligji, por nuk i pranon as kujtesa që ka lidhje me të kaluarën që kanë vuajtur shqiptarët dhe popujt, të cilët kanë jetuar nën regjime policore. Kjo ndodhi disa ditë më parë, me emrin e shkollës së lartë e kursit të policisë shqiptare e cila, zyrtarisht quhet “Akademia e Policisë”. Në ceremoninë e inaugurimit të punimeve të kryera në kuadër të Projektit “Rinovim i Qendrës së Formimit Policor”, financuar nga Bashkimi Europian, nën Programin “IPA 2010”, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, deklaroi se kjo shkollë do të quhet “Akademi e Policisë speciale”! Së pari, emërtimi i një shkolle policie, me emrin “speciale”, sipas funksionit që përmban fjala “speciale”, të kujton ish-policinë sekrete e cila dihej se përse përdorej nga regjimet që e kishin ngritur dhe se çfarë bënte me qytetarët. Të thuash sot, 25 vjet pas rrëzimit të regjimit policesk shqiptar, se po krijon “shkollë policie speciale” është njësoj si të thuash se po rikthen sigurimin e shtetit shqiptar, KGB sovjetike, ASFAL-së greke, UDB jugosllave, STASS-it gjermano-lindor etj. Shkolla e policisë shqiptare e ka një emër zyrtar dhe ajo quhet “Akademia e Policisë”. Ky emër nuk është vendosur as nga policët, as nga ministrat, por nga shteti, me ligjin mbi emërtesat e institucioneve zyrtare, miratuar me VKM e ligj parlamenti dhe përveç shtetit, nuk ka të drejtë asnjë individ tjetër, qoftë edhe ministër, kryeministër, president, kryetar kuvendi, që të ndryshoj emrin. P.sh., nëse ministrit Tahiri i thotë mendja të ndryshoj emërtesën e Ministrisë së Brendshme, mund ta quaj atë edhe “resort, vilë, rezidencë, kullë, pallat policie, por nuk ia lejon ligji! Vetëm qeveria me propozim, parlamenti me ligj dhe presidenti Republikës me dekretim, kanë të drejtën të ndryshojnë emërtesat e institucioneve, nëse janë institucione kombëtare. 
Policia rrugore me uniforma si punëtorët e pastrim gjelbërimit!
Policia e shtetit, ka një strukturë shërbimi të quajtur “Policia e Qarkullimit Rrugor”. Gjatë shërbimit në rrugë, kjo polici vishet me një jelek uniformë ngjyrë të verdhë me shirita të bardhë, ose ngjyrë mente. Po me këtë uniformë në ngjyrë, dekor e model prerjeje të njëjtë pa asnjë ndryshim, dalin në rrugë e mjedise publike edhe punëtorët e pastrim gjelbërimit të bashkisë së Tiranës. Po me këtë uniformë vishen e dalin në rrugët kombëtare edhe punonjësit e rrugëve të autoritetit shtetëror të rrugëve dhe punëtorët e firmave private. Kur udhëton me makinë, nuk e dallon dot se cili nga këta janë punëtorët e rrugëve, punëtorët e pastrim-gjelbërimit, apo policët rrugorë! Policinë rrugor, nëse nuk e shikon nga pantallonat, nga kapela, nga koburja, ose nga prangat e varura prapa…nuk mund ta përcaktosh dot në është polic! Madje punëtorët e rrugëve, si ata shtetërorë edhe ata të firmave private, përveç jelekut të njëjtë, kanë të njëjta edhe tabelat e orientimit të qarkullimit rrugor. Kanë edhe bilbila njoftues. Krijojnë edhe postblloqe me tabela sinjalizuese që ka të drejtë t’i përdor vetëm policia rrugore! Nuk kanë asnjë ndryshim. Shtohet pyetja: Cilët duhet ta mbajnë si simbol atë uniformë, apo mjete sinjalizuese, që p.sh., i kanë të njëjta në çdo elementë: Policët rrugorë, punëtorët e rrugëve apo punëtorët e pastrim gjelbërimit?! Me sa dimë, sipas ligjit, këtë uniformë shërbimi duhet ta mbajë vetëm policia rrugore, mbasi ajo e ka ta miratuar me Ligjin Nr. 9749, datë 04. 06. 2007 “PËR POLICINË E SHTETIT” (Ndryshuar me Ligjin nr. 10142, datë 15.5.2009), përcaktuar në pikën 2, të Nenit nr. 5 (simbolet e policisë së shtetit), ku thuhet: Ngjyra, pajisjet e veçanta dhe shenjat në mjetet e Policisë së Shtetit, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”.
Makinat e ndërhyrjes së shpejtë, si taksitë e Nigerisë
Ka një tjetër absurd që vazhdon të lejohet dhe praktikohet në simbolet dhe shenjat e veçanta të policisë së shtetit. Është fjala për makinat e shërbimit të gatshëm, që shërbejnë në komunitet. Ato janë të ndryshme nga njëra-tjetra nga dekori, pra, nga “uniforma” që kanë përsa i përket ngjyrës. Disa janë ngjyrë e kaltër, disa janë ngjyrë blu, disa janë të bardha, disa janë të bardha me vija ngjyrë portokalli, të kuqe e blu. Ajo që bie në sy është fakti se ato nuk janë të njëjta, nuk janë në uniformitet, që qytetari të ketë komunikim me një “uniformë” makine të shërbimit policor e jo me makina ngjyra-ngjyra si balonat e tullumbacet, si veturat e garave sportive. Nëse i shikon, ato ngjasojnë si taksitë e Nigerisë e të Kubës! Po kështu, edhe auto-ambulancat e policisë janë lloj-lloj modelesh e dekore ngjyrash. Kanë sirena sinjalizuese me sinjal e ngjyra të ndryshme nga njëra-tjetra. Këto automjete policore, dihet që kanë ardhur si ndihma nga vendet e BE. Por, Policia e Shtetit ka detyrimin t’i unifikojë në ngjyrë e simbole të tjera, duke i bërë të njëjta, konform kritereve që parashikon ligji i Policisë së Shtetit. Këtë e kërkon ligji dhe automjetet nuk mund të nxirren në shërbim publik, ashtu siç vijnë, sepse ato p.sh., mund të vijnë dhuratë edhe me sfond të kuq e lule të bardha, ose me sfond të verdhë e me lule jeshile, apo me pamje kafshësh e artistësh, por nuk mund të lihen të dalin në shërbimin policor me ato dekore. Ligji detyron uniformitet të miratuar me VKM dhe pika 2 e nenit 5 të Ligjit Nr. 9749, datë 4.6.2007 “PËR POLICINË E SHTETIT”(Ndryshuar me Ligjin nr. 10142, datë 15.5.2009), përcakton kështu: “Ngjyra, pajisjet e veçanta dhe shenjat në mjetet e Policisë ë Shtetit, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”.
Sigal