Trashëgimia kulturore e Vlorës

8528
Nga Ergys ALUSHI

Krahina e Vlorës nuk është e njohur vetëm për luftërat e zhvilluara në periudha të ndryshme të historisë së saj dhe të vendit, por edhe për larminë e monumenteve të kulturës që I ka të shtrira në të gjithë trevën e saj. Ndër vite është punuar me kujdes për evidentimin dhe ruajtjen e kësaj trashëgimie të pasur kulturore, si në zonat më të thella e deri në brendësi të qytetit të Vlorës. Me qindra ekspedita arkeologjike, me dhjetëra arkeolog, historian arkeolog, por edhe bashkëpunëtor të ndryshëm, kanë punuar për krijimin e trashëgimisë, për krijimin e muzeve ku ruhen këto vlera, për botimin e artikujve e librave me qëllim njohjen e tyre nga brezat.

Sot, trashëgimia kulturore e Vlorës, me gjithë përpjekjet që bëhen nga njerëz që punojnë për mirëmbajtjen e saj, është lënë në harresë, është në agoni dhe në shumë raste ose është zhdukur ose rrezikon të zhduket. Ish drejtues muzesh, arkeolog, historian, studiues e të pasionuar pas trashëgimisë kulturore, shprehen me keqardhje për situatën në të cilën ndodhet trashëgimia kulturore e Vlorës, monumentet e kulturës, muzetë e çdo vlerë tjetër e trashëguar ndër vite.

Përgjatë Lumit të Vlorës – kudo kulturë dhe qytetërim
Në fund të bregut të Dashit derdhet Lumi i Vlorës në Vjosë.
Armeni është kalaja e parë që shoqëron fundin e rrjedhjes së lumit. Qyteza e Armenit është ndërtuar rreth shekullit të 3 para erës sonë, me objekte shumë të pasura. Karshi qytezës së Armenit ndodhet një tumë ilire me objekte ilire pothuaj të zbuluara sheshit dhe shtëpitë përreth saj janë ndërtuar me gurët e sarkofagëve (varreve) bashkë me vazot e bukura ilire.

Në të djathtë të rrjedhjes së lumit ngrihet në një shkëmb të bardhë Kalaja e Mavrovës, e hershme në kërkime arkeologjike.
Amanti, qyteza më e vjetër dhe kalaja më e lashtë ilire. Po të gërmosh edhe me shkop do të gjesh monedha dhe objekte qeramike shumë të bukura. Dihet se ky qytet kishte edhe punishten e monedhës së tij. Rreth qytezës ndodhet teatri në gjendje të mirë. Shpella e Velçës duket si një sy i madh që shikon të gjithë rrjedhën e lumit. Kjo është me dy kate. Në katin e sipërm, sipas arkeologëve dihej se nuk ka banuar njeri, por koha vërtetoi të kundërtën. Në fundin e plehut organik që ishte në katin e sipërm, në thellësinë 1 metra, u gjetën ushta dhe vazo parahistorike. Në anën tjetër të lumit, përmbi fshatin Lepenicë, ndodhet Shpella e Shkruar. Kjo shpellë ka disa vizatime me ngjyrë gjaku. Vizatimet janë silueta njerëzish të veçuar dhe shpeshherë të grupuara. Gjysma e shpellës nuk ‘lexohet’ pasi është dëmtuar nga koha e njerëzit. Kjo shpellë është nga më të rrallat e Ballkanit për vlerat e saj prehistorike. Kur kalon urën mesjetare të Bratit, vete në Kalanë e Cerjes. Objekte prej bronzi gjenden lehtë rreth kalasë. Mozaiku i Mesaplikut, i gjetur në afërsi të Cerjes, pasuron Muzeun kombëtar. E bukur ka qenë edhe Kalaja e Boderit, ku legjenda thotë se njerëzit ndërtuan enkas një kodër për të ndërtuar aty kalanë. Kudo kulturë dhe qytetërim që sot ka rënë në heshtje, po rrënohet në heshtje, po grabitet në heshtje, sepse nuk gërmohet më nga ekspeditat arkeologjike që vite më parë ishin të rregullta në këtë zonë.

Trashëgimia e ndërtimeve popullore – rreth 80
Ndërtimet e periudhës së antikitetit, si qyteti antik i Orikumit, me portin e tij të vjetër, qyteti Amantia në fshatin Ploçë, i njohur me stadiumin e tij, kalaja në fshatin Mavrovë, kalaja në fshatin Kaninë, etj. janë dëshmi të zhvillimit ekonomik dhe kulturor të kësaj periudhe. Duke kaluar nga antikiteti në Mesjetë, kemi ndërtimin e një sërë fortifikimesh , si ajo e Gjon Boçarit në fshatin Tragjas, E njohur edhe si Periudha e pashallëqeve të mëdha shqiptare, veçanërisht me atë të Ali pashë Tepelenës, dallojmë kalanë e Porto Palermos, e ndërtuar nga mjeshtër e arkitektë shqiptarë, ku shihet mirë njohja e artit bashkëkohor ushtarak dhe teknikës së ndërtimit. Banesa fshatare e rrethit të Vlorës, paraqet një shumëllojshmëri në tipat dhe variantet, si dhe një larmi të madhe zgjidhjesh arkitektonike dhe konstruktive. Këto banesa i ndajmë në banesë të zonës së Bregut të detit dhe, atë të Labërisë, duke dalluar banesat e Himarës. 

Rruga muze: “Justin Godard”
Qyteti i Vlorës ruan në qendrën e tij rrugën “Justin Godard”, ndërtimet e para të së cilës, u dukën në fillim të shekullit XX. Nga ana urbanistike, ky ansambël ndërtimor, ndjek skemën klasike të këtyre komplekseve, duke krijuar ndër dy krahët e tij vargje paralele, të ndërtuara me blloqe të ngjeshura ndërtimi, me një zgjidhje të qartë funksionale të kateve. Rruga “Justin Godard” është rruga e vetme muze e qytetit të Vlorës, duke qenë dhe rruga e ngjarjeve të mëdha, por edhe ku kanë banuar figura historike. Këtu kanë jetuar që nga Marigo Posio, Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Isa Boletini si dhe figura të tjera të shquara lokale. 

Kultura ilire në trevat e Vlorës
Njoftimet për kulturën ilire në rrethin e Vlorës jepen në mënyrë shumë të qartë nëpërmjet objekteve arkeologjike të zbuluara. Për artin e të ndërtuarit flasin rrënojat e vendburimeve antike si qyteti ilir i Amantias, fragmentet e zbuluara në vendin e quajtur Treport që mendohet të ketë qenë Aulona, Kalaja e Kaninës dhe e Mavrovës (Olympias )/ Mjeshtrit ilir dalloheshin për një teknikë të lartë të të ndërtuarit. Një çast të kësaj pune e gjejmë të fiksuar në stelën e gjetur në fushën e Peshkëpisë. Ajo i kushtohet një mjeshtri gurgdhendës që e ushtroi zanatin deri në fund të jetës së tij e si kujtim u përjetësua i gdhendur në gur. Për veshjen antike ilire gjejmë të dhëna në stelat e gjetura në Lumin e Vlorës. Dy nga këto, njëra e zbuluar në Mesaplik e tjetra në Drashovicë, pasqyrojnë veshjen e grave në shekujt e parë të erës sonë. Stela “nënë e bijë”e gjetur në Drashovicë, për vlerat që ajo mbart është bërë objekt studimi nga specialist arkeolog e etnograf. Ato mbajnë veshur nga një fustan të gjatë me mëngë deri te bërryli dhe me pala që fillojnë pak mbi mesin e trupit. Nëna ka vendosur mbi kokë një kurorë gjysmë rrethore. Në krahun e majtë të figurave gjendet dedikimi që mbyllet me fjalën lamtumirë. Po të njëjtën veshje e të njëjtin pozicion ka edhe stela e gjetur në Mesaplik. Veshjen e burrave e gjejmë në stelën e Peshkëpisë. Gurskalitësi mban të veshur linjën karakteristike si element i përbashkët i veshjes ilire. Stela të tjera në rrethin e Vlorës, që ruajnë në vetvete vlera etnografike janë gjetur në Mavrovë, Karbunarë e në Tragjas. Stela e Mavrovës është shprehje kuptimplote traditës blegtorale. Ajo i kushtohet një bariu ku autori bashkë me të ka skalitur edhe simbolin e blegtorisë, kërrabën antike. Stela e gjetur në Karbunarë e Tragjas na japin të dhëna mbi traditën e bujqësisë. Në qendër qëndron bujku dhe anash janë gdhendur vegla si kazma, kosore, parmenda primitive, një kalki drithi e një leh e punuar. Kultura popullore në periudha të ndryshme historike i është përgjigjur formacioneve ekonomiko-shoqërore, duke evoluar për çdo periudhë, gjithmonë me prirje zhvillimi e në mënyrë dialektike. Kjo argumentohet me shumë elementë të kulturës sonë popullore që janë trashëguar brez pas brezi, duke fituar qëndrueshmëri deri në ditët tona. Të tilla janë elementë të traditës blegtorale e bujqësore, elementë të veshjes si lëkurçja që është përdorur deri në fund të shekullit të 19 në krahinën e Kurveleshit të Poshtëm, llabania, petku, opingat e lëkurta dhe për t’u përmendur e me mjaft interes është mozaiku i Mesaplikut (shekulli IV), ku si figurë kryesore është profili i një burri që mban në kokë një mbulojë me bisht të ngjashëm me qylafin e bardhë që përdoret edhe sot në Labëri. 

Në mesjetën e hershme kultura e trashëguar nuk u asimilua nga pushtuesit e shumtë, por ajo ruajti dhe u forcuan më shumë dukuritë etnike të kombësisë. Gjatë pushtimit osman këto tipare e ruajtën fizionominë kombëtare. 

Mullinjtë e bluarjes – një trashëgimi që po humbet
Në fshatrat që kanë pasur burime të pasura me ujë si Velça, Smokthina, Bolena, Dukati, Vranishti, Dhërmiu, etj. Ka pasur edhe mullinj me shumicë. 
Në fshatrat Velçë e Smokthinë deri në vitin 1950 ka pasur rreth 20 mullinj në gjendje pune, disa prej tyre me dy furë. Ishin të njohur për cilësinë dhe shpejtësinë e bluarjes, ,ulliri i kaminave në Velçë dhe ai i Saliko Dalanit apo i Derajve në Smokthimë. 

Sot, në fshatrat e rrethit të Vlorës, nuk ka asnjë mulli në gjendje pune dhe gurët e mullinjve të vjetër ka raste që i gjen në rrënoja ndërtimesh apo në kalldrëmet e dikurshme.

Kënga popullore myzeqare
Shpesh në gëzimet e festat e shumta në familjet e vlonjatëve dëgjoheshin e këndoheshin me dashuri këngët e vjetra myzeqare, të cilat dalloheshin për folklorin e tyre origjinal dhe larminë. Si degëzim i veçantë i foklorit muzikor, kënga popullore myzeqare ka pasqyruar jetën e popullit të zonës ku është zhvilluar. Si interpretues të vjetër popullor të kësaj kënge do të përmendim Miti Mëhillin në Poro që, errësirës dhe jetës pa shpresë në rrugët e kurbetit iu përgjigj me këngën: “Ku je nisur e do shkosh”. Të tjerë interpretues janë edhe Koço Malo e Pandi Greku në Aliban, apo Thanas Moçka e Vasil Lepuri në Novoselë. Po kështu mund të flitet edhe për vallen e luajtur dhe instrumentet muzikorë të zonës. Në interpretimin e saj kanë zënë vend mjaft valltarë e muzikantë popullor si Telo Hasani, Vasil Malo, Vasil Hyso apo Petraq Mata, Mihal Qarri e Vllasi Greku. 
Sot, kënga popullore myzeqare e rrethit të Vlorës është lënë në harresë të plotë dhe nuk ka interpretues të saj, për ta trashëguar në breza, duke rrezikuar zhdukjen e saj.

Muzeu etnografik
Muzeu etnografik I rrethit të Vlorës është krijuar në vitin 1982 dhe është i vendosur në godinën ku u themelua klubi patriotik “Labëria”. Deri para vitit 1990 stendat e këtij muzeu pasuroheshin në vazhdimësi me element të traditës e kulturës popullore të krahinës së Vlorës. Në muze ishte e pasqyruar jeta e njerëzve të thjeshtë në dhomën e tij të banimit, si sofra me lugët e drurit, kupën e përbashkët, dhomën e miqve me sëndukë të gdhendur e sixhade. Ka qenë paraqitur jeta blegtorale e bujqësore me të gjithë elementët e saj të përditshëm të punës, veshjet popullore, lundrimi e peshkimi, dhoma e grave veglat e thjeshta qytetare e fshatare, 

Sot, Muzeu Etnografik, ka më pak stenda, ka më pak vëmendje nga institucionet që kanë për detyrë mirëmbajtjen e tij, ka më pak objekte të mbledhura si pjesë të trashëgimisë pasi nuk ka fonde për mbledhjen e tyre, me gjithë punën e mirë e me kujdes që bëhet nga stafi i muzeut që punon me materiale që kanë mbetur nga para vitit 1990. Muzeu Etnografik përmbytet më reshjet më të vogla të shiut, ku uji mbulon krejtësisht oborrin dhe katin e parë të tij, duke dëmtuar vazhdimisht objektet që janë të ekspozuara aty. Shumë veshje të vjetra popullore, që janë të rralla po dëmtohen si shkak i mungesës së stendave dhe vjetërsisë së godinës e cila është e ndërtuar në fundin e shekullit të 19. Stendat mungojnë edhe në Muzeun historik të qytetit, ku me gjithë kërkesat e shumta për vendosjen e tyre në katin e dytë, ato kanë rënë në vesh të shurdhët dhe shumica e objekteve janë të vendosura në dysheme. Godina ka një rëndësi të madhe historike pasi aty në vitin 1908 është krijuar Klubi patriotik “Labëria” i cili luajti një rol të rëndësishëm në përgatitjen e kushteve për Shpalljen e Pavarësisë në qytetin e Vlorës. Klubi shërbeu dhe si shkollë për mësimin e gjuhës shqipe, por edhe për organizimin e shfaqjes së parë teatrale në qytet “Vdekja e Pirros” të Mihal Gramenos, në vitin 1909.

Vajza aulonase – Përse nuk kërkohet simboli i Vlorës?
Në Muzeun historik të qytetit të Vlorës, në qendër të Vlorës, njihesh dhe me një vizatim ku është riprodhuar një truproje e kashtë. Natyrshëm çdo vizitori i lind pyetja se “Pse vetëm vizatimi? Ku është truproja e lashtë?.Nga ciceronët e muzeut mëson se truproja është grabitur nga italianët. Skulptura “Vajza e Vlorës” është gjetur në qytetin e Vlorës dhe është punuar në gur gëlqeror nga të gurores së Kaninës, është e lartë 87 centimetra, i mungon koka që ka qenë një pjesë e veçantë, dhe krahu i djathtë. Ajo konsiderohet një kryevepër e mjeshtërve ilir dhe është i pari dokument që tregon veshjen e vajzave aulonase. E dhëna e fundit për vendndodhjen e kësaj skulpturë ka qenë në vitet ’80 kur një shtetas holandez i shkruante muzeut të Vlorës se e një skulpturë me mbishkrimin “Vajza aulonase” e kishte parë në një ekspozitë të zhvilluar në Francë, ku skulptura ishte pjesë e një koleksioni japonez. Përse nuk kërkohet zyrtarisht që skulptura të gjendet e t’i kthehet shtetit shqiptar? Kështu Vlora do të ketë simbolin e saj.
Sigal