Tranzicioni shqiptar në lupën e mjekësisë ligjore

875
Bardhyl Çipi
Në muajin janar të vitit 2008, në një kohë me diell, në një restorant të një prej plazheve kryesore të vendit tonë, dy persona të rritur: Një burrë dhe një grua që u ulën atje për të drekuar, sapo filluan të pinë verën që e kishin marrë me vete dhe të hanë ushqimet e restorantit, menjëherë rrëzohen dhe humbasin ndjenjat. Dërgohen urgjent në spital, ku gjatë rrugës iu shfaqen konvulsione, por kur arrijnë në urgjencën e spitalit, të dy viktimat kishin vdekur. Nga të dhënat e para hetimore u mendua për një helmim nga ushqimet e përdorura prej tyre gjatë drekës. Nga ekzaminimi toksikologjik i shishes së verës, që viktimat kishin filluar ta pinin gjatë drekës, rezultoi se ajo përmbante kokainë në një përqendrim shumë të lartë. Nga autopsia dhe ekzaminimi toksikologjik i organeve dhe gjakut të të dy kufomave u vërtetua helmimi nga një dozë shumë e lartë kokaine, që u pasua me një vdekje asfiktike, por që u parapri edhe me konvulsione të forta para vdekjes, e ashtuquajtura “epilepsia kokainike”. Nga shqyrtimi i të gjitha të dhënave, këto dy vdekje u konsideruan aksidentale nga pirja e verës me kokainë, e përgatitur jashtë vendit tonë për t’u trafikuar, që ishte dërguar me postë në Shqipëri dhe që u mor tinëz nga burri, që punonte në postë. 

Kjo ngjarje, padyshim përbën një rast të trafikut të kokainës të futur në pijen e verës, të dërguar nga Amerika e Jugut, por që u zbulua nga ekspertimi mjekoligjor. Në të vërtetë, në çështjet e krimit të organizuar, ku përveç trafikut të drogave, përfshihen edhe trafiku i klandestinëve, vrasjet me grabitje, llojet e ndryshme të korrupsionit, për të gjitha këto, në zbulimin e tyre ndihmojnë edhe ekspertimet mjekoligjore. Në fakt, mjekësia ligjore mendohet se më shumë se shkencat e tjera integrohet me të vërtetë në evolucionin që ndodh në çdo periudhë kohore. Prandaj studiuesit dhe publiku i gjerë duhet të kenë parasysh edhe argumentet mjekoligjore që ndeshen gjatë këtij zhvillimi, por që në shumicën e rasteve, ato kanë qenë të nënvlerësuara. Unë mendoj që kjo gjë ka ndodhur, sepse mjekësia ligjore ka qenë e konsideruar e pa rëndësishme, e pa përkrahur, madje e pa dëshiruar nga mjekët e tjerë, duke u konsideruar nganjëherë në mënyrë të padrejtë se i ka përfituar njohuritë e saj, duke shfrytëzuar krimin dhe mjerimin human. Për shkak të këtij mos vlerësimi, ajo madje është hequr si lëndë mësimore pothuajse në të gjitha shkollat juridike të vendit tonë. Pikërisht edhe në mendimin e pasaktë të dy mjekëve të spitalit ushtarak të Tiranës menjëherë pas vrasjeve të protestës së 21 janarit 2011, se këto vrasje ishin kryer me qitje me armë zjarri nga distanca të afërta, ndërsa distancat rezultuan nga ekspertimi të largëta, padyshim që ka ndikuar mosmarrja parasysh nga ana e tyre e argumenteve mjekoligjore përkatëse. Në të vërtetë, shkenca e mjekësisë ligjore, problemet e së cilës janë jo shumë të këndshme, madje të papëlqyera, është shumë e nevojshme të njihet sa më mirë si nga shkencat e ndryshme juridike: të drejtat penale, kriminologjia, kriminalistika etj., po ashtu edhe ato mjekësore: anatomia, patologjia, kirurgjia, obstetrika, psikiatria etj. Kështu, lidhja e ngushtë e mjekësisë ligjore me kriminologjinë shprehet edhe në faktin që shumë mjekë ligjorë të shquar kanë kontribuar në krijimin dhe zhvillimin e kësaj të fundit. Nga ana tjetër, njohja e bazave të mjekësisë ligjore është e domosdoshme për juristët, sidomos për ata që punojnë në organet e prokurorisë dhe policisë dhe që ndeshen vazhdimisht gjatë praktikës së tyre me çështjet e saj. Që të zhvillojë me sukses hetimet ose një proces gjyqësor, që të vlerësojë konkluzionet e ekspertëve, juristi duhet të ketë një ide mbi mundësitë e mjekësisë ligjore dhe mbi kufijtë e kompetencës së ekspertëve mjekoligjorë. Me këtë kusht ai do të jetë në gjendje të zgjedhë drejt ekspertët e nevojshëm, të formulojë pyetjet dhe t’i vlerësojë në mënyrë kritike konkluzionet e tyre. Por, përveç kësaj, juristi dhe sidomos hetuesi (oficeri i policisë gjyqësore), duhet të ketë edhe disa njohuri dhe shprehi praktike në lëmin e mjekësisë ligjore për t’i zbatuar në punën e përditshme. Përveç kësaj, mjekësia ligjore është e nevojshme të njihet shumë mirë edhe nga mjekët e përgjithshëm, apo të specialiteteve të veçanta. Çdo mjek gjatë ushtrimit të profesionit të tij, qëllimi kryesor i të cilit është mjekimi i pacientit, do të ndeshet edhe me çështje të tjera shoqërore, juridike etj. Kështu, ai mund të thirret nga organet e drejtësisë për të shpjeguar lezionet fillestare që ai i ka mjekuar, por që sqarimi i tyre do të luajë një rol me rëndësi në shqyrtimin e një vepre kriminale; ose mund të thirret si specialist i një fushe të caktuar të mjekësisë, apo për të kryer një këqyrje të jashtme të kufomës në vendin e ngjarjes, p.sh. kur për atë moment mungon mjeku ligjor specialist, apo për të përpiluar një akt dëshmi mjekoligjore të thjeshtë për dëmtimin e një personi etj. Pra, rrethanat në të cilat një mjeku të zakonshëm do t’i duhet të ndeshet me çështjet e mjekësisë ligjore janë të shumëllojshme, sepse ai do të konsiderohet si një ndërmjetës midis pacientit të tij dhe shoqërisë, e cila mund të ndërhyjë në këtë rast edhe për çështje të ndryshme juridike, pra mjekoligjore, në lidhje me sëmundjen, apo dëmtimin e pacientit. Gjithashtu, duhet kujtuar se në kushte të caktuara, kundër një mjeku mund të bëhen ankesa nga ana e pacientit, ose të afërmve të tij, në lidhje me mjekimin, ose edhe padi, apo denoncime në organet e drejtësisë. Përsëri, në këto rrethana të një ballafaqimi të mjekëve me organet e drejtësisë, është e nevojshme që ata të jenë të pajisur me njohuri mjekoligjore sa më të plota, për t’i përballuar ato, duke ndihmuar kështu edhe në përmirësimin e sistemit shëndetësor. Më në fund, mjekësia ligjore ndihmon specialitetet e tjera mjekësore, kryesisht ato kirurgjikale, në lidhje me diagnostikimin dhe mjekimin, në bazë të të dhënave që u jep ajo atyre nga ekzaminimi i rasteve vdekjeprurëse të menjëhershme pas traumave të ndryshme, të cilat shqyrtohen vetëm nga mjekësia ligjore, ndihmon në zbulimin e masave për parandalimin e vdekjeve të papritura nëpërmjet ekspertimit të tyre, ndihmon mjekët psikiatër në drejtim të njohjes më të mirë prej tyre të masave parandaluese të suicideve, në bazë të ekspertimit mjekoligjor të tyre, ndihmon në vlerësimin e dëmeve shëndetësore, biologjike, morale dhe ekzistenciale kryesisht të traumave automobilistike, që kanë lidhje sidomos me çështjet e sigurimeve nga këto aksidente etj. Në këtë libër, unë kam menduar të paraqes veçoritë që ka pasur mjekësia ligjore në periudhën e tranzicionit shqiptar, të pasqyruara në artikujt e shumtë që unë kam botuar kryesisht në shtypin e përditshëm gjatë kësaj kohe. Kjo periudhë përfshin ndryshimet që po ndodhin në vendin tonë pas vitit 1990 dhe deri në ditët e sotme, me përmbysjen e sistemit komunist dhe fillimin e ndërtimit të një shteti të ri demokratik. Kjo kohë ka qenë e vështirë dhe po vazhdon për një periudhë shumë të gjatë, më shumë se një çerek shekulli. Kjo gjë sepse regjimi komunist ka qenë shumë më i egër në krahasim me atë vendeve të tjera të Evropës Lindore si dhe për shkak të gabimeve të mëdha në qeverisjen e vendit tonë, tashmë me një sistem pluralist. Gjatë kësaj kohe kanë ndodhur ngjarje të shumta, si p.sh. vrasjet e 2 prillit 1991 në Shkodër, vrasjet me armë zjarri më 1997 dhe vitet në vazhdim, tragjedia e Gërdecit dhe shumë të tjera. Të gjitha këto, po kështu çështjet mjekoligjore të zbulimit të vrasjeve politike të kryera në periudhën e regjimit të mëparshëm si p.sh. vrasjet e 22 intelektualëve nën akuzën e rremë se kishin vënë një bombë në ambasadën Sovjetike në Tiranë, apo ajo e pushkatimit të tre drejtuesve të ushtrisë të vendit tonë, vdekja e Nako Spirut etj., analizohen gjithashtu në këtë libër. Çështje të tjera që shqyrtohen kanë të bëjnë me paraqitjen e detajeve, nga pikëpamja mjekoligjore, të sëmundjeve dhe vdekjeve, të disa njerëzve të huaj të dëgjuar: Napoloni, Lenini etj. të cilat janë studiuar, sidomos pas viteve 1990, po kështu trajtohen dhe shumë tema të tjera që kanë të bëjnë me torturën, terrorizmin, trafikun e paligjshëm të organeve, argumentet që janë kundra ndërtimit të varrezave të ushtarëve grekë në vendin tonë etj. Një vend të veçantë zënë problemet e etikës mjekësore, bioetikës, deontologjisë mjekësore, që siç dihet kanë një lidhje të ngushtë me mjekësinë ligjore dhe sidomos me rregullat etiko-morale që duhet të karakterizojnë ekspertët mjekoligjorë. Jo rrallë kundër këtyre ekspertëve janë ngritur akuza në shtyp, madje mund të ketë pasur në ndonjë rast të rrallë edhe ndjekje penale ndaj tyre, për të cilat mua nuk më vjen aspak mirë që të kenë ndodhur dhe madje nuk do të doja as t’i besoja. Më në fund në këtë libër analizohen disa aspekte të anatomisë normale, ndryshimet që ndodhin pas vdekjes, autopsia dhe diseksionet anatomike, eutanazia, problemet e shumta mjekoligjore të shkeljeve mjekësore,të HIV/AIDS, përdorimit të procedurave mjekësore të gabuara të shoqëruara me paraqitjen e rasteve të veçanta të tyre në periudhën pas viteve 1990. Gjatë paraqitjes së temave të ndryshme përmenden edhe disa mjekë të shquar, si Prof. Fiqiri Basha, Prof. Çesk Rroku që e kanë ushtruar profesionin e tyre, duke punuar me përkushtim, kryesisht në kufomat njerëzore, pavarësisht nga persekutimi që ju është bërë atyre nga regjimi i kaluar. Në përfundim, unë mendoj me modesti, se periudha e tranzicionit në vendin tonë për të cilën ka studime dhe botime të panumërta, sidomos nga njerëzit që e kanë jetuar atë kohë, tani e analizuar në këtë libër edhe nga pikëpamja mjekoligjore, do të rezultojë e paraqitur në një tablo të re, jo shumë të njohur.
Sigal