Transporti publik, kategoritë që përfitojnë lehtësira financiare

1366
Miratohet udhëzimi për modelet e reja dhe standardet e transportit rrugor të udhëtarëve qytetës, ndërqytetës dhe ndërkombëtar
Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës ka miratuar udhëzimin për modelet e reja dhe standardet e transportit rrugor të udhëtarëve. Ky udhëzim ka për qëllim përmirësimin e ofrimit të shërbimeve te transportit publik dhe lehtësimit të procedurave për qytetarët, transparencën e përdorimit të këtyre shërbimeve, identifikimin e grupeve që përfitojnë lehtësira financiare në marrjen e shërbimeve publike në përputhje me kuadrin ligjor dhe shmangies së evazionit fiskal. Fusha e zbatimit të këtij udhëzimi është përcaktimi i modeleve dhe standardeve të biletave (me çmim të parashtypur dhe elektronike), si dhe përdorimi i tyre në transportin rrugor të udhëtarëve (qytetës, rrethqytetës, ndërqytetës, ndërkombëtar).

Biletat në format letër me çmim të parashtypur 
Bileta tatimore me çmim të parashtypur për një udhëtim në transportin qytetës/rrethqytetës /ndërqytetës dhe transportin ndërkombëtar rrugor përmban në krye të saj të shënuar: Republika e Shqipërisë; Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Në mes shënohet lloji i biletës (qytetës/rrethqytetës/ndërqytetës dhe/ose transporti ndërkombëtar rrugor). Më poshtë shënohet çmimi (tarifa) e udhëtimit. Në fund, në cepin e djathtë, shënohet “Kodi i prodhimit” dhe “nr. serial”. Në krahun e majtë vertikalisht shënohen për efekt kontrolli përkatësisht “nr. serial” dhe “Kodi i prodhimit”. Në biletat e transportit rrethqytetës dhe ndërqytetës shënohet edhe tarifa përkatëse. Tarifat e biletave të transportit rrethqytetës të udhëtarëve miratohen me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore. Për rrjetin e linjave rrethqytetëse, sipas shkronjës “ç”, të nenit 15, të ligjit nr. 8308, datë 18.3.1998, “Për transportet rrugore”, të ndryshuar, tarifat përcaktohen me marrëveshje ndërmjet bashkive. Çmimet e biletave të linjave ndërkombëtare të transportit me autobus dhe të bagazheve miratohen nga ministria përgjegjëse për transportin në bashkëpunim me organin kompetent të shtetit tjetër, në çastin e lidhjes së marrëveshjes ose të dhënies së licencës/autorizimit për operim në linjë ndërkombëtare. Bileta tatimore për disa udhëtime, bileta e pajtimit/aboneja për transportin qytetës përmban në krye të saj të shënuar: Republika e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, llojin e abonesë (abone e përgjithshme ose abone linje “emërtesa”). Në mes të biletës shënohet muaji me shkronja dhe viti me numra natyrorë dhe lloji i autobusit (qytetës). Në krahun e djathtë vertikalisht vendoset shiriti i sigurisë dhe pas tij shënohet bashkia ku është e vlefshme bileta, (shembull: Bashkia Tiranë). Në pjesën e poshtme shënohet numri i biletës. Në krahun e majtë lart shënohet “seria”. Në krahun e majtë në mes shënohet, me numër natyror, numri i muajit dhe poshtë saj shënohet çmimi i biletës me numra natyrorë dhe monedha (në lekë). Në krahun e majtë në cep të biletës shënohet “Shtypur: Shtypshkronja e Letrave me Vlerë, Tiranë”. Bashkitë/ministria, nëse për qëllime të identifikimit të linjave të tyre të transportit, përcaktojnë ngjyrën/at e biletave, të ndryshme nga ngjyra e unifikuar në përdorim, atëherë njoftojnë zyrtarisht Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, për ndryshimin e porosisë te Shtypshkronja e Letrave me Vlerë. Shtypja e biletave në format letër me çmim të parashtypur realizohet nga Shtypshkronja e Letrave me Vlerë, në përputhje me kriteret e përcaktuara në VKM-në nr. 1497, datë 19.11.2008, “Për shtypjen e letrave me vlerë”, të ndryshuar.

Biletat në formatin elektronik
Në përdorimin e biletave në formatin elektronik, të mbahen parasysh detyrimet e parashikuara në VKM-në nr. 85/2017 “Për përcaktimin e rregullave për prodhimin, shpërndarjen dhe pajisjen e udhëtarëve me bileta të transportit rrugor” dhe në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi. Modeli biletës elektronike me kartë Smart/kartë financiare bankare Kartat Smart/financiare bankare janë pajisje në përmasat dhe kushtet teknike të kartave të kreditit që kanë brenda një procesor, memorie RAM dhe ROM dhe kanë të integruar një microchip dhe antenë NFC. Është një kartë plastike, e cila përdor teknologji të ndryshme për t’u lidhur me lexuesin përkatës, si shirit magnetik, barkod ose frekuencat e radiove pa kontakt dhe me anë të aplikacioneve të ndryshme përpunon të dhënat përkatëse. Për shkak të veçorive të aksesit të kontrollueshëm, të dhënat personale dhe tregtare mund të shikohen vetëm nga personat e autorizuar. Kartat Smart, përveç pjesës së sistemit të biletimit elektronik në fushën e transportit, mund të integrohen dhe përdoren në aplikacionet që përfshijnë aktivitete dhe sisteme të ndryshme, siç janë pagesat financiare bankare, duke garantuar ruajtjen e të dhënave personale, si në kontrollin e hyrjeve, transaksioneve financiare në mënyrë elektronike, si dhe verifikimin e të dhënave për të drejtën e përfitimit të shërbimit. Kartat duhet të garantojnë kapacitet të lartë në procesin e veprimeve, nëpërmjet përdorimit të algoritmeve të sigurta.

“Kartat standarde të personalizuara” janë karta të cilat kanë brenda chip-it dhe sipër kartës, në mënyrë të dukshme, të dhënat personale të mbajtësit. Kjo kartë e personalizuar duhet të përdoret referuar legjislacionit në fuqi, ku aktualisht këtë të drejtë e përfitojnë:

1 – Invalidët e punës: Ligji nr. 7889, datë 14.12.1994, “Për statusin e invalidëve të punës”, i ndryshuar;
2 – Të verbrit: Ligji nr. 8098, datë 28.3.1996, “Për statusin e të verbrit”, i ndryshuar;
3 – Jetimët: Ligji nr. 8153, datë 31.10.1996, “Për statusin e jetimit”, i ndryshuar;
4 – Invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë: Ligji nr. 8626, datë 22.6.2000, “Për statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, i ndryshuar;
5 – Studentët: Ligji nr. 9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar;
6 – Çdo subjekt ose kategori që mund të përfitojë në vijim, mbështetur në legjislacionin në fuqi.
7 – Kartat lejojnë që në çdo moment të kontrollohet numri i udhëtimeve i përfituesve të mësipërm nëse kjo është falas ose me uljet përkatëse financiare, si dhe në rastet e çdo forme të aplikimit që kërkon identifikim, mbështetur në legjislacionin në fuqi, për kompensimin e vlerave financiare përkatëse, të cilat lidhen me numrin e udhëtimeve ose aboneve përkatëse në shërbimin e transportit.
8 – E drejta e përdorimit për këto karta duhet të rinovohet çdo gjashtë muaj ose çdo një vit, sipas kërkesave ose kushteve përkatëse që mundësojnë identifikimin për të drejtën e përfitimit.
Sigal