Transporti, Ministria pezullon dhënien e licencave

753
Shoqata e Transportit Ndërqytetas, protestë për lejet paralele, me të njëjtat orare si në linjën Tiranë-Elbasan
Shoqata e Transportit Ndërqytetas vazhdon të ketë probleme për sa i përket licencave dhe orareve ku ata operojnë. Për këtë ka reaguar edhe Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, duke thënë se procesi i hartimit të rrjetit të transportit ndërqytetas është bërë në bashkëpunim mes MTI-së, shoqatave të transportit ndërqytetas dhe pushtetit vendor, për të plotësuar nevojat e qytetarëve për mbulim të plotë të territorit. Ministri i Transportit u ka bërë apel gjithë operatorëve të transportit ndërqytetas, që të operojnë në përputhje me kushtet e licencave dhe të mos abuzojnë, pasi këto abuzime të operatorëve krijojnë pretendime të paqena. 

Në të njëjtën kohë, ministri i Transportit, Sokol Dervishaj, për t’u dhënë fund gjithë këtyre spekulimeve, ka vendosur të pezullojë procesin e licensimit për linjat ndërqytetase, deri në marrjen e detyrës nga titullari i ri. Pikërisht ky vendim ka çuar Shoqatën e Transportit Ndërqytetas në organizimin e një proteste gjatë ditës së djeshme përpara Ministrisë së Transporteve me pankarta në duar kundër ministrit të Transporteve. Ata kundërshtojnë dhënien e licencave paralele që po ndodh, sipas tyre, në shkelje të ligjit. Sipas tyre dhënia e licencave të reja me të njëjtin orar dhe itinerar me atë ekzistues ka sjellë përplasje mes operatorëve. Ata bëjnë fajtor për këtë situatë ministrin aktual të Transportit, Sokol Dervishaj, për dhënien e 82 licencave në javët e fundit. Problemi paraqitet në linjën Tiranë-Elbasan, ku sipas kryetarit të Shoqatës së Transportit, Kujtim Mema, ministria ka dhënë dy licenca për të njëjtat orare, vendim të cilin gjykata e ka pezulluar. “Vazhdon pazari dhe licencat jepen me para, këtu ka edhe persona që janë me kredi bankare, kanë vënë shtëpinë në hipotekë për një autobus”, tha ai. Mema akuzon se “pazari” është bërë nga një biznesmen i mbështetur edhe nga kryebashkiaku i Elbasanit, për të marrë linjën ka futur në kaos operatorët e tjerë duke sjellë çdo ditë konflikte në terminal. Ai ka deklaruar se problemi në linjën Tiranë-Elbasan paraqitet dramatik, ku çdo ditë forcat e policisë janë të detyruara të jenë prezent. Sipas Memës, licenca është dhënë në korrik dhe ministria nuk ka pyetur për vendimin e gjykatës dhe për pezullimin që është bërë. Kujtim Mema thekson se për këtë problem ka pasur edhe një takim në Kryeministri, ndërsa këshilltarja e Ramës shton ai u ka kërkuar që të presin deri në formimin e qeverisë së re.“Një biznesmen i fuqishëm me ca para me ndihmën e kryetarit të bashkisë së Elbasanit do të bëjë monopol linjën.Të shkosh në Elbasan dhe të mos kujdeset kryetari i bashkisë për linjën dhe të thotë “ikni nga këtu. Erdhi biznesmeni dhe na kërcënoi në terminal”, ka thënë ai. Protesta ka zgjatur disa minuta dhe më pas protestuesit janë larguar. 

Reagimi i Ministrisë:
“Procesi i hartimit të rrjetit të transportit ndërqytetas, është bërë në bashkëpunim mes MTI-së, shoqatave të transportit ndërqytetas dhe pushtetit vendor, për të plotësuar nevojat e banorëve për mbulim të plotë të territorit. Gjatë procesit është marrë mendimi edhe i shoqatës që organizoi protestën, e cila ka shfaqur vlerësimin për nismën dhe bashkëpunimin me Ministrinë. Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, u bën apel të gjithë operatorëve të transportit ndërqytetas, që të operojnë në përputhje me kushtet e licencave dhe të mos abuzojnë. Sepse janë pikërisht këto abuzime të operatorëve në raste të caktuara, që krijojnë këto pretendime të paqena. Ndërkohë MTI sqaron se përfaqësuesi i shoqatës që ngre pretendimin është në një proces gjyqësor me një pale tjetër, të cilës gjykata i ka dhënë të drejtë për licencimin e operimit të njërës prej linjave, dhe për këtë shkak përpiqet të dizinformojë opinionin publik dhe akuzojë pa baza dhe argumente ligjore”.
Sigal