Transportet: Lejet e automjeteve, koncesionet nuk i japim ne

564
Ministria e Transporteve dhe Infrastrukturës ka reaguar në lidhje me projektin e dhënies me koncesion të shërbimit të lejeve të qarkullimit. Në një deklaratë për shtyp, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës sqaron se nuk ka shpallur asnjë garë për dhënien me koncesion të këtij shërbimi. MTI sqaroi se shqyrtimi i kërkesave për kryerjen e shërbimeve të përcaktuara në ligj dhe vendimet e qeverisë përmes Partneritetit Publik- Privat, janë detyrim i institucionit përgjegjës dhe Agjencisë të Trajtimit të Koncesioneve (ATRAKO). Burime nga Ministria e Transporteve konfirmuan dy ditë më parë se në këtë institucion ka mbërritur një ofertë e pa kërkuar nga një kompani që kërkon të marrë kontrollin dhe verifikimin e mjeteve përpara regjistrimit dhe më pas lëshimin e lejes për to. Aktualisht ky shërbim sot jepet nga Drejtoria e Transportit Rrugor. Një grup pune në nivel teknik është ngritur për të vlerësuar ofertën. Pjesë e grupit është edhe Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve. Baza ligjore për dhënien e këtij shërbimi te privati ka nisur që në tetor të vitit 2015-të. Burimet thonë se tarifa që firma ka propozuar do të jetë në të njëjtat nivele, ndërsa grupi i punës është drejt finalizimit të vendimit për t’i dhënë një përgjigje ofertës që ka ardhur. Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve tha se është në pritje të vendimit të Ministrisë së Transporteve për hapjen e tenderit, i cili në këtë rast nuk pengohet nga urdhri i kryeministrit për bllokimin e prokurimeve publike, pasi aty nuk përfshihen koncesionet dhe format e tjera të Partneritetit Publik Privat.
Sigal