Transparenca e KLSH- fuqia e një institucioni të hapur

255
Amantia Patozi
28 shtatori është Dita Ndërkombëtare e të Drejtës për Informim. Kjo ditë përkon edhe me 3-vjetorin e miratimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”. Zbatimi i tij është sfidë për të gjitha institucioneve publike tek ne, për të kultivuar kulturën e transparencës së plotë ndaj publikut dhe qytetarit. Kontrolli i Lartë i Shtetit paraqitet në këtë ditë bindur në fuqinë e të qenit terësisht i hapur, transparent me publikun dhe qytetarin. Kryetari i tij Bujar Leskaj, në projekt-idenë për zhvillimin e institucionit, të paraqitur në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë në nëntor 2011, cilësonte se “Do të realizojmë përmirësimin e transparencës në marrëdhëniet me publikun, nëpërmjet një partneriteti të gjerë me medien dhe me organizatat jo-fitimprurëse që luftojnë korrupsionin”. 

Kjo qasje e re e KLSH-së ka qenë në këto gjashtë vite 2012-2017 në përputhje të plotë dhe e bazuar në standardet profesionale të auditimit publik suprem, ISSAI-t, dhe përkatësisht në Deklaratën e Limës (ISSAI 1), por sidomos në ISSAI 12 “Vlerat dhe dobitë e Institucioneve Supreme të Auditimit – Të bësh ndryshimin në jetën e qytetarëve”, Parimi i 6-të mbi komunikimin efektiv me palët e interesit dhe në ISSAI 20 “Parimet e Transparencës dhe të Përgjegjshmërisë”, Parimi i 8-të, mbi komunikimin në kohë dhe gjerësisht të Institucioneve Supreme të Auditimit(SAI-t.) Gjatë viteve 2012-2017, institucioni në përmbushje të objektivit për rritjen e transparencës, krahas rritjes së kanaleve të komunikimit me publikun, ka përmirësuar përmbajtjen dhe cilësinë e mesazheve në njoftimet e tij për shtyp. Njoftimet për shtyp kanë qenë dhe janë përcjellësi kryesor i mesazheve publike të institucionit. Ato janë ndërtuar me një gjuhë të thjeshtë dhe të qartë, të bazuara vetëm në faktet e nxjerra nga auditimet dhe pa konsiderata hipotetike. Institucioni është përpjekur të japë në një format konciz gjetjet dhe rekomandimet kryesore nga çdo auditim me rëndësi të veçantë për mirë-menaxhimin e parasë publike. Gjetjet nga auditimet, të komunikuara nëpërmjet njoftimeve për shtyp janë kthyer në këto 6 vite në lajm të ditës për televizionet, radiot dhe gazetat kryesore të vendit. Në fund të vitit 2016, institucioni ka qenë i pranishëm 6.7 herë më shumë me informacione dhe mesazhe në medien e shkruar dhe ka gjashtëfishuar praninë e tij në mediet audiovizive, krahasuar me vitin 2010. Institucioni e ka konsideruar medien e shkruar dhe audio-vizive si partnerin kryesor në realizimin e misionit të tij si “watchdog’ për mirëadministrimin e fondeve dhe aseteve publike dhe për të forcuar luftën ndaj korrupsionit. Ky partneritet ka qenë real dhe që në analizën vjetore të KLSH-së të zhvilluar në janar 2012 dhe më tej rregullisht çdo vit, mediet dhe përfaqësuesit më në zë të organizatave jo-qeveritare që luftojnë korrupsionin kanë marrë pjesë dhe diskutuar në analizat në nivel departamenti auditimi dhe në analizat e përgjithshme vjetore të institucionit. Duke parë se kanali kryesor i komunikimit me qytetarin, njoftimet për shtyp, ishte i pamjaftueshëm për të dhënë të gjitha mesazhet e punës audituese, lidhur me gjetjet dhe rekomandimet e auditimeve, dhe veçanërisht me qasjen këshilluese të KLSH-së që mbështetet në ekspertizën e audituesve me eksperiencë dhe idetë e reja dhe inovacionin e audituesve të rinj, në vitin 2013, institucioni, për herë të parë solli një dimension tjetër komunikimi të audituesve me qytetarin dhe opinionin publik, nëpërmjet shkrimeve dhe opinioneve të audituesve në gazetat e përditshme të vendit. Ky komunikim u krye në bazë të standardeve ndërkombëtare të auditimit suprem publik, ISSAI-ve, dhe pikërisht të ISSAI 1, Deklarata e Limës, Neni 16 “Raportimi në Parlament dhe ndaj publikut të gjerë”, si dhe të ISSAI 12 “Vlerat dhe dobitë e SAI-ve: të bësh ndryshimin në jetën e qytetarëve”, Parimi 4 “Raportimi mbi rezultatet e auditimit, duke mundësuar publikun për të mbajtur qeverinë dhe subjektet e sektorit publik të përgjegjshëm”. 

Institucioni beson se audituesi, si ai me eksperiencë ashtu dhe audituesi i ri, kanë shumë për t’i ofruar qytetarit dhe opinionit publik, në drejtim të përmirësimit të qeverisjes publike dhe luftës kundër korrupsionit dhe mashtrimit financiar, mbështetur në rezultatet e punës së tyre audituese. Tani është një nevojë dhe kërkesë e përhershme e tyre, që gjetjet dhe rekomandimet e tyre kryesore të mund t’i shtjellojnë me shkrime dhe analiza në shtypin e përditshëm. Nga blogjet mbi temat që kanë zgjedhur për të dalë në publicistikën shqiptare, nga vërejtjet dhe opinionet e lexuesve mbi mënyrën e shtrimit të problemeve dhe zgjidhjet që ata japin, audituesit marrin ide dhe shtysa për shkrime të reja. 72 drejtues dhe auditues të KLSH-së kanë qenë të pranishëm në vitin 2016 me 135 shkrime në pothuaj të gjitha gazetat me qarkullim kombëtar të vendit, duke trajtuar me gjuhë të kuptueshme për lexuesin e thjeshtë temat dhe mesazhet kryesore nga auditimet e kryera. Për katër vite 2013-2016, audituesit e KLSH kanë botuar 396 artikuj, ese, editoriale, analiza e profile në medien e shkruar. Mesazhi në publik i këtyre drejtuesve dhe audituesve të institucionit ka rritur transparencën e KLSH-së. Kolana e botimeve të institucionit, që në gjashtë vite e gjysme 2012-2017 ka arritur 75 tituj, i shërben jo vetëm audituesve publikë, por edhe lexuesit të interesuar për shkencën e auditimit, auditimet konkrete, historikun e institucionit, etj. Botimet e KLSH-së i shërbejnë së pari forcimit të kapaciteteve të institucionit dhe rritjes së transparencës, duke bërë një hap të rëndësishëm sasior dhe cilësor në kontributin ndaj mirëqeverisjes. Të gjitha nismat e ndërmarra nga KLSH për të rritur transparencën e aktivitetit të tij kanë për qëllim ndërtimin e komunikimit efektiv me qytetarët. Faqja zyrtare e KLSH online www.klsh.org.al është një media në llojin e vet, ku publiku dhe qytetari mund të gjejë informacione për gjithçka në lidhje me abuzimin me fondet publike. Këto informacione janë një burim i mirë si për mediet, ashtu dhe për shoqërinë civile të angazhuar dhe botën akademike. Në tërësi, transparenca 2012-2017 e institucionit ka fuqizuar jo vetëm KLSH-në, por edhe qytetarin dhe shoqërinë publike për të rritur llogaridhënien e administratës sonë publike.