Trajtimi financiar i policëve dhe përfitimet e tjera. Hiqen nenet për pensionet

2533
Sigal

 Botohet në fletoren zyrtare. Hyn në fuqi në 1 mars. Ja Ligji i ri “Për policinë e shtetit”

 Punonjësit e policisë do të përballen pas 6 muajsh, më saktë në 1 mars (kur ligji hyn në fuqi) me Ligjin e ri për Policinë, i cili parashikon sistem të ri gradash, ndryshon trajtimin financiar (paga) dhe jo vetëm (përfitime të tjera si kredi për strehim, sigurim jete, trajtimi me ushqim, etj.), si dhe me masa të tjera ndëshkimore në rast të shkeljes së disiplinës. Ajo çka vihet re në ligjin e ri “Për policinë e shtetit”, botuar në fletoren zyrtare, është se janë hequr nenet për pensionet, duke u shprehur se “Trajtimi financiar për: a) pagesë kalimtare; b) pension të parakohshëm suplementar; c) pension shërbimi; ç) pension suplementar pleqërie, bëhet me ligj të veçantë”. Gjithashtu në ligjin e ri në nenin “Për masat disiplinore”, është hequr masa disiplinore e mbajtjes së 1/3 të pagës së plotë për 6 muaj dhe në versionin përfundimtar të ligjit bëhet: ulje me një gradë për 6 muaj. Ligji i ri përcakton gjithashtu dhe çfarë do të ndodhë me punonjësit aktualë të policisë (sidomos me nëninspektorët dhe kryeinspektorët aktualë) me vënien në zbatim të sistemit të ri të gradave. Sipas ligjit të ri punonjësi i policisë do të trajtohet njësoj si punonjësit e administratës civile dhe do të ketë njësim të gradës me funksionin, i cili do të rregullohet me një vendim qeverie. Për t’i ardhur në ndihmë sadopak punonjësve të policisë, gazeta “Telegraf” boton pjesë nga ligji “Për policinë e shtetit”, botuar në fletoren zyrtare dhe i cili do të hyjë në zbatim pas 6 muajsh, në 1 mars.

  LIGJ Nr. 108/2014 PËR POLICINË E SHTETIT

 KREU VIII, GRADAT

Neni 50

Sistemi i gradave

1. Sistemi i gradave përcakton hierarkinë dhe nivelin e menaxhimit në Policinë e Shtetit.

2. Sistemi i gradave, sipas këtij ligji, paraqitja, forma, emërtimet dhe mbajtja e tyre janë e drejtë vetëm e Policisë së Shtetit.

Neni 51

Gradat

1. Gradat në Policinë e Shtetit, sipas rendit hierarkik rritës, emërtohen, si më poshtë:

a) Inspektor;

b) Nënkomisar;

c) Komisar;

ç) Kryekomisar;

d) Drejtues;

dh) Drejtues i parë;

e) Drejtues i lartë;

ë) Drejtues madhor.

2. Autoriteti përgjegjës për vlerësimin e përparimit të punonjësve të policisë në karrierë janë komisionet e gradimit. Përbërja, detyrat dhe mënyra e funksionimit të tyre përcaktohet në Rregulloren e Policisë.

Neni 52

Hierarkia e gradave

Hierarkia e punonjësve të policisë përcaktohet nga grada, nga funksioni për punonjësit me të njëjtën gradë dhe nga vjetërsia në gradë për punonjësit me gradë e funksion të njëjtë.

Neni 53

Dhënia e gradës

1. Grada “Inspektor” u jepet punonjësve të policisë nga Drejtori i Policisë së Shtetit kur përfundon arsimin policor.

2. Grada “Nënkomisar” deri “Drejtues i parë” jepet nga Drejtori i Policisë së Shtetit për punonjësit, të cilët e fitojnë atë nëpërmjet procesit të konkurrimit, sipas këtij ligji.

3. Grada “Drejtues i lartë” jepet nga Ministri.

4. Grada “Drejtues madhor” jepet me vendim të Këshillit të Ministrave.

5. Punonjësit e policisë që u jepet grada “Drejtues i lartë” në momentin e lirimit nga detyra ndërpresin marrëdhëniet juridike e financiare me strukturat e policisë dhe trajtohen sipas kritereve të këtij ligji.

Neni 54

Fitimi i gradës

1. Fitimi i gradës “Nënkomisar” deri në “Drejtues i parë” bëhet nëpërmjet pjesëmarrjes në një proces vlerësimi konkurrues nga një komision gradimi.

2. Çdo vit evidentohen nevojat për çdo gradë për vitin pasardhës. Drejtori i Policisë së Shtetit, në varësi të nevojave dhe prioriteteve, miraton urdhrin për fillimin e fazës së aplikimeve për fitimin e gradës respektive.

3. Fitimi i gradës bëhet vetëm për të plotësuar vendet e lira për çdo gradë dhe vetëm për gradën pasardhëse.

4. Të drejtën për të marrë pjesë në procesin e konkurrimit e kanë të gjithë punonjësit e policisë që plotësojnë kriteret e vendosura në këtë ligj.

Neni 55

Kriteret për fitimin e gradës

1. Për fitimin e gradës “Nënkomisar” deri në “Drejtues i parë” punonjësi i policisë duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme:

a) të ketë vlerësim të aftësive individuale të punës jo më të ulët se 70 për qind të vlerësimit të përgjithshëm;

b) të përmbushë kriteret për pozicionin e punës;

c) të jetë parashkruar masa disiplinore për shkelje të rëndë, sipas afatit të përcaktuar në këtë ligj;

ç) të ketë përfunduar ciklin e parë të studimeve në arsimin e lartë;

d) të ketë përfunduar trajnimin e detyrueshëm për gradë;

dh) të mos ketë filluar ndaj tij procedimi penal;

e) të mos ketë filluar ndaj tij procedimi disiplinor për shkelje të rëndë;

ë) të plotësojë kohën e qëndrimit në gradë, sipas afateve të mëposhtme:

i) nga “Inspektor” në “Nënkomisar” 5 vite;

ii) nga “Nënkomisar” në “Komisar” 3 vite;

iii) nga “Komisar” në “Kryekomisar” 3 vite;

iv) nga “Kryekomisar” në “Drejtues” 5 vite;

v) nga “Drejtues” në “Drejtues i parë” 3 vite;

vi) nga “Drejtues i parë” në “Drejtues i lartë”

ose “Drejtues madhor” 2 vite.

2. Në vjetërsinë për efekt konkurrimi për fitimin e gradës llogaritet edhe koha e ndërprerjes së karrierës për shkak të:

a) paaftësisë shëndetësore deri në 6 muaj brenda afatit 12-mujor;

b) vjetërsisë së shërbimit të njohur me vendim gjyqësor;

c) lejes së lindjes.

3. Në vjetërsinë për efekt gradimi nuk llogaritet koha e ndërprerjes së karrierës për shkak të lejes së përfituar pa të drejtë pagese.

…..

Neni 61

Përcaktimi i funksioneve për gradë

1. Tabela e funksioneve korresponduese për çdo gradë dhe kategorizimi i tyre përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

2. Çdo funksioni i caktohet grada korresponduese.

 

KREU IX, MARRËDHËNIA E PUNËS DHE TRAJTIMI I PERSONELIT

 

Neni 67

Trajtimi financiar gjatë qëndrimit në punë

1. Punonjësi i policisë, për shkak të përgjegjësisë dhe të rrezikshmërisë së lartë në detyrë në raport me strukturat e tjera të administratës shtetërore, ka përparësi në trajtimin financiar, ku përfshihen:

a) paga mujore, e cila përbëhet nga paga për gradë, shtesë për çdo vit vjetërsie shërbimi dhe shtesë për natyrë të veçantë pune;

b) kompensimi për privacionet që i krijohen punonjësit të policisë për largësi nga vendbanimi, sipas kostos së transportit publik dhe paga për papunësinë e bashkëshortit/es;

c) trajtimi me ushqim për punonjësit e policisë;

ç) ndihma financiare në masën e një page mujore në rastet e fatkeqësive në familje;

d) shpërblimi nga Drejtori i Policisë së Shtetit deri në masën e 6 pagave mujore, për rezultate të larta në kryerjen e detyrës. Kriteret e përfitimit të shpërblimit përcaktohen me udhëzim të ministrit. Shpërblimi përballohet nga fondi i pagave;

dh) ndihma e menjëhershme financiare në rast të dëmtimit të rëndë të pronës, për shkak të detyrës, sipas akteve të vlerësimit të dëmit.

2. Procedurat e trajtimit financiar gjatë qëndrimit në punë të punonjësit të policisë, sipas shkronjave “a”, “b”, “c”, “ç”, e “dh” përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 68

E drejta për sigurim shëndetësor të veçantë

1. Punonjësit e strukturave të veçanta të Policisë së Shtetit, në funksion të përmbushjes së detyrës së tyre, përfitojnë sigurim shëndetësor të veçantë për shërbime shëndetësore, të cilat nuk janë pjesë e paketave të shërbimit shëndetësor, që ofrohen nga Fondi për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

2. Sigurimi i shëndetit për punonjësit e strukturave të veçanta të Policisë së Shtetit bëhet sipas kontratës së lidhur me shoqërinë e sigurimit, të përzgjedhur sipas rregullave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për prokurimin publik. Ky sigurim mbulon shpenzimet për kontrollin parandalues, diagnostikues dhe kurues, të ofruara nga institucionet shëndetësore, brenda dhe jashtë vendit.

3. Lista e shërbimeve shëndetësore, si dhe autoriteti mjekësor që vendos për shërbimet shëndetësore, rast pas rasti, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

4. Procedurat për sigurimin shëndetësor të veçantë dhe strukturat e veçanta që përfitojnë, sipas këtij neni, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 69

E drejta për përfitim kredie me interesa të butë

1. Punonjësi i policisë përfiton kredi për strehim me një interes në masën 3 për qind.

2. Rimbursimi i interesave të kredisë ndërpritet për punonjësin e policisë vetëm në rastin kur ai/ajo përjashtohet nga policia.

3. Kriteret për përfitimin e kredisë për strehim dhe masa e saj përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 70

Kompensimi për strehim

1. Kur punonjësi i policisë emërohet/transferohet jashtë vendbanimit të tij të përhershëm, brenda dhe jashtë vendit, i paguhet qiraja e banesës, kur nuk i sigurohet ajo.

2. Kriteret dhe masa e përfitimit të pagesës së qirasë për strehim përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 71

Sigurimi i jetës

Punonjësi i policisë përfiton sigurim jete, sipas rregullave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 72

Mbrojtja e veçantë

1. Policia siguron mbrojtje të veçantë për punonjësin e policisë, të cilit i kërcënohet jeta, familja dhe prona për shkak të detyrës.

2. Kushtet dhe mënyra e mbrojtjes së veçantë për punonjësin e policisë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 73

Trajtimi financiar pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës

1. Punonjësi i policisë, që ndërpret marrëdhëniet e punës me Policinë e Shtetit, përfiton:

a) pagesë kalimtare;

b) pension të parakohshëm suplementar;

c) pension shërbimi;

ç) pension suplementar pleqërie.

2. Trajtimi financiar për rastet e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni bëhet me ligj të veçantë.

Neni 74

Vjetërsia për trajtim financiar pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës

1. Për përfitimin e pagesës kalimtare njihet vjetërsia që ka punonjësi në strukturat e Policisë së Shtetit me status policor.

2. Punonjësit, për përfitimin e pensionit të parakohshëm suplementar, pensionit të shërbimit, si dhe të shtesës së pensionit të pleqërisë i njihet:

a) vjetërsia në strukturat e Policisë së Shtetit;

b) vjetërsia në shërbimin ushtarak;

c) vjetërsia në strukturat e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë;

ç) vjetërsia në strukturat e Gardës së Republikës, Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, Shërbimit Informativ të Shtetit, Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes;

d) vjetërsia në strukturat e Policisë së Burgjeve dhe Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit;

dh) koha e studimit në shkollat e larta ushtarake të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të Policisë së Shtetit, brenda apo jashtë vendit;

e) koha e njohur si vjetërsi shërbimi me vendim gjyqësor.

Neni 75

Trajtimi i familjarëve të punonjësve që humbin jetën për shkak të detyrës

1. Kur punonjësi i policisë humb jetën për shkak të detyrës, pjesëtarët e familjes përfitojnë:

a) ndihmë të menjëhershme financiare, deri në 10 paga mujore, sipas pagës referuese të muajit të fundit;

b) pension familjar suplementar, në masën 100 për qind të pagës mujore të muajit të fundit kalendarik të shërbimit, pavarësisht nga periudha e sigurimit. Përfitimet jepen në vlerën 100 për qind të pagës, sa herë që paga, sipas së cilës është llogaritur ky përfitim, ndryshon;

c) rimbursim, në masën 100 për qind të bursës së studimit në institucionet e arsimit shtetëror për fëmijët e punonjësit;

ç) banesë falas për bashkëshorten/in dhe fëmijët kur janë të pastrehë, sipas procedurave të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave;

d) ndihmë financiare, në masën e 1 page mujore, sipas pagës referuese, çdo përvjetor vdekjeje;

dh) ceremonia mortore organizohet nga drejtuesi i strukturës dhe shpenzimet paguhen nga buxheti i policisë;

e) punësim me prioritet në përputhje me arsi-mimin, përvojën dhe kritere të tjera të nevojshme për vendin e punës.

2. Rregullat dhe procedurat e trajtimit të fami-ljarëve të punonjësve që humbin jetën për shkak të detyrës përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

 

box

Hiqet masa disiplinore e mbajtjes së 1/3 të pagës së plotë për 6 muaj, bëhet ulje me një gradë për 6 muaj

 

Neni 96

Masat disiplinore

1. Punonjësi i policisë që kryen shkelje disiplinore ndëshkohet disiplinarisht:

a) Për shkelje të lehta disiplinore me masat:

i) vërejtje;

ii) vërejtje me paralajmërim.

b) Për shkelje të rënda disiplinore me masat:

i) shtyrje e afatit të gradimit deri në 2 vjet;

ii) ulje me një gradë për një periudhë deri në 6 muaj;

iii) përjashtim nga policia.

2. Masa disiplinore shuhet pas kalimit të këtyre afateve:

a) dy vjet nga njoftimi i masës “vërejtje” dhe “vërejtje me paralajmërim”;

b) tre vjet nga mbarimi i afatit, për të cilin është zbatuar masa disiplinore “shtyrje e afatit të gradimit deri në 2 vjet” ose “ulje me një gradë”.

 

box

Ja çfarë do të ndodhë me nëninspektorët dhe kryeinspektorët, pas 6 muajsh

 

DISPOZITA KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE

Neni 142

Trajtimi i punonjësve të policisë

1. Punonjësi i policisë do të ruajë të njëjtën gradë që ka edhe pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Nëse funksionit, në të cilin është emëruar, i është caktuar një gradë më e ulët, në zbatim të nenit 61, të këtij ligji, punonjësi i policisë do të mbajë këtë gradë më të lartë dhe do të trajtohet financiarisht, sipas kësaj grade, për një periudhë deri në 1 vit.

2. Gjatë periudhës 1-vjeçare, funksioni i lirë që i korrespondon gradës që mban punonjësi nuk shpallet funksion i lirë për konkurrim dhe në këtë funksion emërohet punonjësi që ka gradë më të lartë se funksioni për shkak të zbatimit të këtij ligji.

3. Në përfundim të periudhës 1-vjeçare, nëse punonjësi i policisë nuk është i emëruar në funksion në përputhje me gradën që mban, ai merr gradën korresponduese të funksionit. Nëse punonjësi nuk pranon të mbajë gradën korresponduese të funksionit, ai lirohet nga policia.

4. Punonjësve të policisë që kanë gradën “Nëninspektor” dhe “Kryeinspektor”, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji do t’u jepet grada policore “Inspektor”. Afati i qëndrimit në gradë për punonjësit me gradë “Kryeinspektor”, për efekt konkurrimi për fitimin e gradës “Nënkomisar”, fillon nga momenti që punonjësi ka marrë gradën “Kryeinspektor”.

5. Punonjësit që është në periudhë prove, pavarësisht nga marrja e gradës “Inspektor”, periudha e provës 2-vjeçare i fillon nga momenti që ka përfunduar arsimin policor.

6. Punonjësi i policisë, që ka ndërprerë marrëdhëniet e punës për t’u punësuar në strukturat operacionale me gradë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe është në marrëdhënie pune në këto struktura në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, ka të drejtë të rikthehet në polici me të njëjtën gradë brenda një periudhe 3-vjeçare nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij ligji.

7. Kriteret ndaluese të rikthimit në polici, të parashikuara në nenin 49, të këtij ligji, nuk zbatohen për personat, të cilët kanë ndërprerë marrëdhëniet e punës para hyrjes në fuqi të këtij ligji.

8. Për Drejtorin dhe Zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit ndryshohet emërtimi i funksionit të tyre sipas përcaktimeve të këtij neni dhe vazhdojnë të qëndrojë në detyrë vetëm nëse plotësojnë kriteret e parashikuara në këtë ligj, deri në përfundim të mandatit të parashikuar në kohën e emërimit të tyre sipas ligjit të kohës.” .

Ledjana Saliu