Trajnimi Profesional, si risi dhe sfidë për Kontrollin e Lartë të Shtetit

779
Nga Gëzim Zilja
Krahas detyrave kushtetuese si një Institucion i Pavarur, që kontrollon Fondet Publike, Kontrolli i Lartë i Shtetit është kthyer në një shkollë të mirëfilltë për trajnimin e audituesve. Ngritja e kapaciteteve përmes promovimit të të mësuarit dhe zhvillimit të metodologjisë, është pjesë e rekomandimeve për të gjithë SAI-t ndërkombëtarë dhe si e tillë, është bërë pjesë e punës së KLSH-së. Kjo ka të bëjë njëkohësisht me plotësimin e kritereve të  vendosura  nga Bashkimi Evropian për një vend kandidat për në BE, si Shqipëria. Po  ku konsiston kjo shkollë permanente për rritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve të KLSH-së dhe cilat janë disa nga sfidat dhe risitë e kësaj shkolle?
1. Trajnimi si proces i vazhdueshëm.
Zhvillohet përgjithësisht nëpërmjet , konferencave, seminareve, kompjuterit, pjesëmarrjes në kongreset e organizatave ndërkombëtare si  INTOSAI dhe EUROSAI, që orientojnë politikat drejt një të ardhmeje, për një auditim modern të financave publike, të mbështetura në standardet ndërkombëtare.    
KLSH-ja ka caktuar gjithsej 25 ditë trajnimi në vit, për çdo auditues, që zbatohen sipas një grafiku që nxirret nga institucioni çdo fillimviti. Këtu  përfshihen  trajnimet  jashtë vendit, në kuadrin e bashkëpunimit me SAI-et respektive të vendeve të BE-së dhe më gjerë, trajnimet brenda vendit në kombinim me lektorë të huaj, me studiues të Botës Akademike Shqiptare dhe Shoqatave të ndryshme (OJQ) që japin përvojën e tyre në drejtim të auditimit të fondeve publike dhe mirëqeverisjes.  Në trajnimet jashtë vendit krahas lektorëve të huaj, përfaqësuesit e KLSH-së japin përvojën e tyre, e cila vështë vlerësuar në kuadrin e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave respektive. Nëse në vitet 2010; 2011sasia e ditëve të trajnimeve për çdo auditues ishte 2(dy) ditë në vit, duke filluar nga viti 2012 ka kaluar në 25 ditë, një ndryshim, që nuk ka nevojë për koment.  
Në ambientet e KLSH-së, është ngritur një sallë (klasë mësimore) e pajisur me të gjithë aksesorët e nevojshëm, ku në bazë të grafikut të përcaktuar nga drejtuesit e KLSH-së sipas departamenteve dhe drejtorive mbahen leksione dhe shpërndahet përvoja midis auditueve me përvojë dhe atyre të  rekrutuar rishtas. Për një konsolidim të mëtejshëm të njohurive teorike bëhet kujdes që grupet e punës në subjekte të jenë të përbëra nga auditues të rinj dhe ata me përvojë. 
2. Fushat e trajnimeve.
Janë të shumëllojshme dhe përfshin disa drejtime, midis të cilave:
Auditimi i përputhshmërisë 
Autimi financiar 
Auditimi i sisteme të IT-ve, 
Auditimi i Performancës.
Auditimi i performancës ka të bëjë me një filozofi pune të re, që e trajton auditimin jo si qëllim në vetvete por si një instrument të fortë dhe qenësishëm parandalimi, si instrument korrigjimi dhe këshillimi për subjektin nën kontroll. Ndërsa auditimi i IT-ve ka të bëjë me gabimet e mundshme të audituesve gjatë punës me kompiuter. Për sa më sipër, Auditimi i Performancës dhe i IT-së, janë risi dhe njëkohësisht sfidë në punën e KLSH-së dhe e vendosin denjësisht këtë të fundit,  në nivelin e simotrave të saj evropiane.  
3. Botimet e ndryshme 
Ndoshta kjo përvojë e Kontrollit të Lartë të Shtetit, është unike në raport me institucionet e tjera në Shqipëri. Janë rreth shtatëdhjetë botime deri tani, në tirazhe modeste, por që plotësojnë nevojat e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe të subjekteve të tjera,të interesuara, në pajisjen me njohuritë bashkëkohore, njohjen e standardeve botërore dhe përvojat më të mira kombëtare dhe ndërkombëtare  në fushën e Auditimit. Botime të tilla si “Manuali i Auditimit të Performancës’’, ‘’Udhëzuesi i Auditimit të Përputhshmërisë , ‘’Manuali i Auditimit Financiar’’, ‘’ Manuali i Auditimit të IT-së’’, ‘’Standardet e Auditimit të INTOSA-t’’etj, shërbejnë si mjete të fuqishme në shtimin e njohurive për audituesit. Kontrolli i Lartë i Shtetit ia ka dalë të botojë dhe Revistën Kërkimore-Shkencore-Informative, shqip-anglisht, tre herë në vit nën credon: Experentia mutua omnibus prodest. Revista ‘’Auditimi Publik’’ botim i KLSH-së, është njohur si Revistë Shkencore nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës së Republikës së Shqipërisë me Urdhërin nr.382, datë 06.09.2013. Veç kësaj kjo revistë është regjistruar përfundimisht në regjistrin ISSN (Internatinal Standard Serial Number), nga ISSN Center. 
4. Kontrolli periodik i njohurive.
  Kjo është një pikë e tjetër e fortë e drejtuesve të KLSH-së. Njohuritë e marra në këto trajnime kontrollohen dhe vlerësohen në mënyrë të vazhdueshme nga komisioni  i ngritur pranë institucionit. Duke marrë parasysh dhe ecurinë në auditimet vjetore të programuara në subjekte, bëhet vlerësimi i punës së audituesve sipas shkallëve: auditues i shkallës së dytë, i shkallës së parë, i lartë dhe kryeaditues. Në rastet kur testimi teorik dhe ai praktik rezulton i dobët audituesi ulet në detyrë, deri në largimin nga puna për paaftësi profesionale. 
5. Përfundim 
Duhet të theksojmë që niveli dhe metodologjia e trajnimeve pranë Kontrollit të Lartë të Shtetit është vlerësuar maksimalisht edhe nga drejtues të lartë të SAI-ve evropiane, vlerësim, që është përmendur edhe në raportet- progreset  e Bashkimit Europian për Shqipërinë. Kjo përvojë ( trajnimi i personelit) në tërësinë e vet, duhet të shtrihet e zbatohet në të gjitha institucionet shtetërore, me qëllim që punonjësit t’i përgjigjen me profesionalizëm dhe në kohë, nivelit dhe ritmeve me të cilat zhvillohen shoqëritë moderne.    
Sigal