Tragjedia e Qerbelasë, ngjarje e rëndësishme për bektashizmin dhe njerëzimin

4919
Sigal

Dede Edmond Brahimaj: Matemi dhe dita e Ashures, rite tradicionale bektashiane, për dëshmorët e Qerbelasë, të cilët dhanë jetën për dashuri dhe paqe

Beteja e përgjakshme e Qerbelasë, mbetet një ndër tragjeditë e dhimbshme njerëzore, e cila përkujtohet çdo vit nga miliona bektashinj në gjithë botën. Për luftën e Qerbelasë janë shkruar shumë vepra të mallëngjyeshme në prozë e në poezi. Një nga këto vepra prekëse në vjershë është ajo që ka shkruar Naimi në gjuhën shqipe me titullin “Qerbelaja”. Për të përkujtuar këtë ngjarje, edhe këtë vit, nën përkujdesjen e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, janë marrë të gjitha masat e duhura. – “…Pa sakrifica dhe pa mundime nuk arrihet asgjë në këtë botë. Matemi dhe dita e Ashures, përbëjnë një rit tradicional bektashian, rit përkujtimore për dëshmorët e Qerbelasë, të cilët dhanë jetën për dashuri dhe paqe. Unë uroj të gjithë bektashinjtë për dashuri, paqe, mirësi dhe dashuri”- pohon mes të tjerave Kryegjyshi Botëror Bektashian, Dede Edmond Brahimaj.

Abaz Aliu dhe Qerbelaja

Abaz Aliu lindi më 4 tetor në vitit 26 hixhri hënor (648). Nëna e tij quhej Fatime apo e njohur ndryshe me epitetin, Ummul Benin; ajo ishte vajza e Hezam Ibne Halid Ibne Rabije Ibne Amer Kelbi. Ai lindi si djali i Imam Aliut, modelit të përsosmërisë njerëzore. Imam Aliu pati katër djem me këtë grua të nderuar; ata quheshin: Abas, Osman, Xhafer dhe Abdullah. Abazi ishte vëllai më i madh, dhe që të katër vëllezërit i kishin dhënë besën vëllait të tyre, Imam Hysenit, për të cilin sakrifikuan edhe jetët e tyre në ngjarjen e Qerbelasë. Nganjëherë Aliu kur hidhte vështrimin te djali i tij, i shfaqej para syve e ardhmja e të birit; pas një buzëqeshjeje kënaqësie ndaj caktimit të Zotit, nga sytë e tij rridhnin lot. Kur bashkëshortja e tij e pyeti, se pse po vajtonte, ai i tha: “Abazit do t’i presin krahët kur t’i vijë në ndihmë Hysenit”. Atëherë, për hir të dashurisë të madhe që ka Zoti ndaj tij, do t’i falë Abazit dy krahë, që të fluturojë në parajsë si xhaxhai i vet Xhafer Ibne Ebi Talib. Në vitin 37, hixhri në luftën e Sifinit, megjithëse ishte një djalosh shumë i njomë, vetëm 14 vjeç, ai luftoi me një heroizëm dhe trimëri të pashoqe edhe në beteja të tjera. Në fushën përvëluese të Qerbelasë, kur Abaz Aliu vuri re buzët e thara dhe sytë e përlotur të fëmijëve të Imam Hysenit, rrëmbeu kacekun dhe u nis për të dhënë provimin më të madh të jetës së tij. Armiku mori shenjë dhe e goditi në krahë Abaz Aliun. Trimi, si i humbi të dy krahët nga goditja e armikut, ra nga kali. Imam Hyseni i shkoi pranë, i qëndroi mbi kokë dhe e shtrëngoi fort në gji vëllanë e dashur që më pas shkoi te Zoti. Kur ndërroi jetë i Madhi Ali, fuqia e Mavijesë u-forcua akoma më shumë. Duke marrë nëpër këmbë kushtetutën fetare dhe lirinë e popullit, Mavijeja e shtoi sundimin e terrorit dhe filloi të zhdukë të gjithë kundrështarët, duke mos kursyer as të birin e të Madhit Ali, Imam Hasanin.

MATEMI
Lufta e Qerbelasë është tragjedia më ngjethëse në historinë e Fesë Islame. Prandaj kujtimi i saj qëndron gjithnjë i gjallë në mendjen e miliona bektashinjve dhe besimtarëve të tjerë myslimanë. Bile shumë nga këta e përkujtojnë çdo vit këtë ngjarje me ceremoni të përzishme dhe me lot në sy. Ky përkujtim bëhet dhjetë ditë me radhë ne dhjetë ditët e para të hënës Muharrem, sepse ngjarja e Qerbelasë ndodhi pikërisht në këtë hënë, ne vitin 63 të Hixhretit. Ky përkujtim quhet Matem, fjalë e cila në persisht do të thotë zi. Për kujtim dhe nderim të Dëshmorëve të Qerbelasë, besimtarët nuk pijnë ujë gjatë dhjetë ditësh me radhë. Përveç kësaj, mënjanojnë lukset dhe dëshirat dhe shkojnë në Teqetë për të përkujtuar ngjarjet e paharruara të Qerbelasë, me zëmër të pikëlluar dhe me këto fjalë në gojë: “Ja Imam! Ja Imam!” Në kohën e Matemit, bashkë me ngjarjet e Qerbelasë, përkujtohen edhe të gjitha ngjarjet dhe sakrificat e mëparshme, të bëra në shërbim të njerëzimit. Përmenden me radhë vuajtjet dhe mundimet që hoqën të gjithë Profetët për plotësimin e misionit të tyre të shenjtë. Këto përmendje bëhen në këtë mënyrë:
-Natën e parë përkujtohen mundimet që hoqi Profeti Adem në kryerjen e misionit të shenjtë.
Përmendet edhe krimi që ndodhi midis djemve të tij si edhe ngjarjet që përshkoi ai vetë për t’u përsosur. Përkujtohen ngjarjet e Nuhut, i cili vuajti shumë prej popullit në plotësimin e misionit të vet. Përkujtohen vuajtjet e Ibrahimit, i cili u hodh në zjarr prej Nemrodit të mallkuar, sepse predikonte rrugën e drejtës të Perëndisë. Përkujtohen vuajtjet e Jusufit, i cili u-hodh në pus prej vëllezërve të tij, sepse ishte i pastër dhe kishte fituar simpatinë e prindërve. Përkujtohen vuajtjet që hoqi Musai prej Faraonit të mallkuar, sepse ky i fundit donte t’a sundonte popullin me shtypje dhe të ishte Perëndi i tij. Dhe në fund përmenden vuajtjet që hoqi prej njerëzve të fuqishëm Krishti i Madh, për të vetmin faj së u vu pa rezervë në shërbim të njerëzimit, duke predikuar rrugën e së vërtetës, paqes, drejtësisë, vëllazërimit dhe përsosmërisë njerëzore.
-Natën e dytë përkujtohen vuajtjet e Profetit Muhamed, i cili hoqi shumë mundime për t’a nxjerrë popullin nga errësira e skllavërisë në dritën e mirësisë e të njerëzimit.
– Natën e tretë përkujtohet i Madhi Ali, i cili ra Dëshmor për ta udhëhequr botën në rrugën e mbarë.
-Natën e katërt përkujtohet Imam Hasani, i cili u helmua me të pabesë nga njerëz të pashpirt, sepse predikonte paqen dhe rrugën e vërtetë.
-Natën e pestë përkujtohet gjithë jeta e Imam Hysejnit.
-Natën e gjashtë përkujtohet emigrimi i Imam Hysenjit nga Medineja në Mekë, per të mos shkaktuar grindje me Jezidin.
-Natën e shtatë përkujtohet Myslim Ibn Akili, i cili shkoi si delegat i Imam Hysejnit ne Kufe, ku u tradhtua dhe ra Dëshmor bashkë me të dy djemtë e tij të vegjël, Muhtarin dhe Ibrahimin.
-Natën e tetë përkujtohet udhëtimi i Imam Hysejnit për në Kufe, ku shkonte i ftuar nga populli për t’i drejtuar ne rrugën e mbarë.
-Natën e nëntë përkujtohet arritja e Imam Hysejnit në Qerbela, ku mori letrën e Myslimit, me të cilën e lajmëronte të mas shkonte në Kufe, se populli ktheu fjalën.
-Natën e dhjetë, që është nata e fundit, tregohet lufta e Qerbelasë, ku Imam Hysejni ra dëshmor në fushën e fesë së bashku me shokët e tij.
Kur merr fund Matemi, atëherë në teqetë fillon të përgatitet Hashureja, ëmbëlsira e  përmotshme në kujtim të ngjarjes së Qerbelasë. Hashureja përgatitet me një ceremoni fetare të veçantë, gjatë së cilës këndohet me zë të lartë Merthijeja, një vjershë vajtimi për Imam Hysejnin.
Në mbarim të kësaj ceremonie, dhe pasi bëhet lutja fetare në një heshtje të madhe zije, populli i mbledhur në Teqetë fillon të hajë Hashuren, duke përkujtuar me adhurim Imam Hysejnin dhe duke mallkuar Jezidin dhe pasuesit e tij.

Përgatitën: S. Xhelaj & Kujtim Boriçi