Tragjedi pas sherrit në familje, 35-vjeçari vret me thika babanë

513
Sigal

Librazhd/Konflikti brenda në banesë, djali ishte me problem. 65-vjeçari ndërroi jetë në spital

Një tjetër krim i rëndë në familje ka tronditur dje Librazhdin e  rrethinat. Një 35-vjeçar, pas konfliktit të radhës në familje, ka sulmuar me thika dhe i ka marrë jetën të atit. Ngjarja e rëndë, sipas burimeve për “Telegraf” ka ndodhur në orët e para të ditës së diel në Lagjen “Togëz”, 3 km larg nga qyteti i Librazhdit. Nga të njëjtat burime saktësohet se “viktimë e krimit të radhës në familje është 65-vjeçari Ferit Çota, banor i lagjes Togës-Librazhd, ndërsa i akuzuar për këtë krim është djali i tij, 35-vjeçari Ermir Çota”. Viktima ka ndërruar jetë në spital, ndërsa i biri, ka tentuar të largohet, por nuk ka mundur që të evitojë prangat e policisë.

KRIMI

Burime nga fqinjët e viktimës dhe ato zyrtare, japin dhe detaje të krimit të rëndë. “Rreth orës 09:00 të ditës së diel, mes 65-vjeçarit Çota dhe djalit të tij ka nisur një konflikt. Zënkat mes tyre kanë qenë të shpeshta, pasi djali, veçanërisht kohët e fundit, pas divorcit nga bashkëshortja, kishte shfaqur shenja depresioni. Konfliktet mes tyre kishin si bazë problemet sociale, e ekonomike. Në zënkë e sipër, 35-vjeçari ka goditur me disa thika në gjoks e pjesë të tjera të trupit të atin, duke e prekur në organet jetësore. Fqinjët e alarmuar e kanë nisur menjë herë 65-vjeçarin F. Çota për në spitalin e Librazhdit, por ai nuk ka mundur të mbijetoj. Sipas mjekëve, vdekja i ka ardhur pasi thikat kanë prekur organet jetësore. Pas analizës së ekspertëve mjeko-ligjor, kufoma e të ndjerit u është dhënë familjarëve për ceremoninë e varrimit. Mësohet se viktima ka qenë punonjës i hekurudhave, ku për shumë kohë, ka qenë përgjegjës i stacionit hekurudhor të Librazhdit.

HETIMET

Pas krimit, 35-vjeçari Ermir Çota ka tentuar që të largohet për t’i shpëtuar arrestimit. “Por për shkak të pamundësisë fizike për t’u larguar me shpejtësi, pasi ka pësuar plagë të rënda me pasojë në trazirat e vitit 1997, nuk ka mundur të të evitojë arrestimin nga forcat e policisë që janë vënë në ndjekje- shtojnë burimet për gazetën “Telegraf”. Ndërsa grupi hetimor ka filluar për zbardhjen e plotë të motiveve të krimit. “I akuzuari ka marrë plagë të rënda arme në vitin 1997, pasojë e të cilave ecte me vështirësi. Kohët e fundit, pas divorcit me gruan, ka shfaqur shenja të dukshme depresioni. Për këtë, është dërguar për konsultë e mjekim edhe në spitalin Psikiatrik të Elbasanit”,- shtojnë këto burime.