Tragjedi e paralajmëruar. Përmbytet Shqipëria, vdesin babë e bijë dhe një i ri në Lezhë

86

Strukturat shtetërore neglizhuan alarmin e dhënë nga shtetet fqinje për stuhi të pritshme e nuk morën asnjë masë.  U ‘zgjuan”, kur katastrofa me tragjedi në njerëz ndodhi

Në më pak se një orë reshje të mbrëmjes së djeshme përmbysin gjysmën e Shqipërisë, duke shkaktuar dhe dy viktima babë e bijë në Lezhë, ndërkohë, strukturat shtetërore me logjistikë policore e ushtarake, kujtohen të nisen drejt në Lezhë, kur katastrofa e paralajmëruar ka regjistruar një bilanc të rëndë e të dhimbshëm, me viktima e dëme të konsiderueshme monetare. Është skandaloze, kur në shumë vende europiane ka ditë që janë paralajmëruar reshje me stuhi (përfshi Spanjën, Italinë e vendet e tjera fqinje me ne) e janë marrë masa, ndërsa te ne asnjë strukturë shtetërore nuk u kujtua. Duke shpresuar që kjo katastrofë e rëndë të mos ketë përmasa më të mëdha në tragjedi e dëme, është koha që kushdo në Shqipëri, të kuptoj se sa larg është shteti ndaj jetës e pronës së tyre. Situatë e rënduar është regjistruar mbrëmë dhe në Shkodër, në Tiranë (lumi i Lanës doli nga shtrati tek ‘Pallatet me shigjeta’), e disa qytete e zona të tjera të vendit.

KATASTROFA

Qyteti i Lezhës dhe të gjitha zonat përreth janë përfshirë mbrëmë nga një situatë e jashtëzakonshme përmbytjesh. Stuhitë e fuqishme të shiut dhe reshjet e dendura gjatë pasdites të së kanë paralizuar të gjithë qytetin dhe rrethinat e tij. Niveli i ujit është rritur në mënyrë të menjëhershme brenda pak minutave. Si rrjedhim është bllokuar qendra e qytetit, bulevardi “Gjergj Fishta” dhe rrugët hyrëse të qytetit dhe ato të Shëngjinit.
Qytetarët janë bllokuar në banesa pasi niveli i ujit ka izoluar hyrjet e pallateve.  Si pasojë e këtyre faktorëve, qytetarëve u mungon edhe energjia elektrike.

TRAGJEDIA

Tragjedia e rëndë nga përmbytjet e mbrëmshme ka ndodhur në Laç. Një person ka humbur jetën, ndërsa policia vijon kërkimet për gjetjen e një personi të dytë. Ngjarja u shënua rreth orës 21:30 në hyrje të qytetit të Laçit. Një automjet ka dalë nga rruga si pasojë e nivelit të lartë të ujit. Automjeti, ku udhëtonin babë e bijë mësohet se ka dalë nga rruga, duke përfunduar në një fushë të përmbytur. Si pasojë ka humbur jetën drejtuesi i mjetit Gjon Kola, ish -drejtor i gjimnazit të Laçit. Policia vijon kërkimet për gjetjen e trupit të vajzës së viktimës, fati i të cilës nuk dihet ende.

SHTETIT I DEL GJUMI

Kur shirat u pakësuan, strukturave shtetërore përkatëse ‘u doli gjumi’. Në Lezhë u nisën forca të shumta ushtarake me ministren Mimi Kodheli, forca policore bashkë me logjistikën e tyre, repartet e Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe ajo e Shpëtimit, deputetë të Lezhës e funksionarë të lartë të administratës nga Tirana.