Trageti që inauguroi ministri Haxhinasto “mbytet” në Liqen

580
Sigal

Vetëm pala maqedonase e ka shfrytëzuar, ndërsa shqiptarët do vazhdojnë radhët në kufi

Liqeni i Pogradecit dhe  rrethinat e tij janë një zonë  me vlera turistike për  Shqipërinë dhe Maqedoninë. Kjo e  mirë e përbashkët, duhet shfrytëzuar për bizneset e të dyja vendeve dhe konsolidimin e klimës së sigurisë mes shteteve. Ndaj shkëmbimet ekonomike, lëvizjet e lira për qëllime turistike etj., na bëjnë që të rritet ndjenja e besueshmërisë duke harruar njëherë e mirë klonet me tela të cilat i përkasin së kaluarës. Me sa duket këtë kishte parasysh qeveria shqiptare, kur udhëzojë ministrin e Transporteve për të negociuar një marrëveshje transporti liqenor mes dy vendeve tona. Kuptohet që kjo marrëveshje duhet të jetë në interes të përbashkët dhe jo me qëllime diskriminimi për bizneset e vendit tonë, turistët tanë dhe qytetarët që qarkullojnë në zonën mes Pogradecit dhe Ohrit. Por si e pati ecurinë kjo marrëveshje dhe sa i sinqertë ishte ministri Haxhinasto me besimin e Kryeministrit dhe të qytetarëve që në vend të mbështetjes u diskriminuan edhe më shumë. Ja si e përjetojnë banorët e zonave përreth këtë situatë të periudhës së verë:

Të na rrojë moli!

Pavarësisht se ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto në 17 qershor të 2014 inauguroi linjën turistike të tragetit Pogradec-Ohër dhe anasjelltas, duket se për shqiptarët ende nuk ka ardhur ora “të pihet një kafe” në Ohër. Sipas dëshmive të drejtuesve të agjencive turistike,tregtarëve  dhe banorëve, vetëm qytetarët e Ohrit mund të vijnë me traget drejt Pogradecit, ndërsa për ne është e pamundur, pasi nuk lejohet. Turistët tanë, qofshin të huaj, për të vizituar Maqedoninë duhet të kalojnë vetëm nga Shën Naumi. Kësaj i thonë  “ne na rroftë porti i Haxhinastos, se moli është për ata”.

Marrëveshja

Sipas marrëveshjes dypalëshe, linja liqenore për pasagjerë Ohër – Pogradec dhe anasjelltas do të funksionojë nga 15 Qershori deri në 15 Shtator. Do të ketë çdo dite një lundrim ndërmjet dy qyteteve liqenore. Lundrimi nga Pogradeci drejt Ohrit  zgjat rreth 2 orë.

17-06-2014. Ja lajmi për inaugurimin e molit nga ministri Haxhinasto dhe homologu i tij maqedonas Janakefsi

…Përurohet linja e tragetit Pogradec Ohër. I pranishëm ishte ministri i Transporteve Haxhinasto dhe homologu i tij, Janakefski.  Më herët ministri Haxhinasto ka parë nga afër molin ku do të ankorohet trageti Pogradec-Ohër-Strugë.

Fjalimi dhe premtimet e ministrit shqiptar të Transporteve Edmond Haxhinasto më 17 qershor 2014…

“Është një ditë historike sot, pas 100 ditësh vendoset një linjë përsëri, midis Pogradecit dhe Ohrit. Kjo shënon hapjen e një faqe të re për bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë. Trageti i kësaj linje do të krijojë lehtësira jo vetëm për banorët e Pogradecit, por edhe për ata të Strugës dhe Ohrit”.

Dëshmitë e banorëve

“Unë doja të hipja për të shkuar në Ohër me familjen. Ne me pasaportat jemi të rregull, por na thanë që lejohet vetëm nga Maqedonia”.
“Mund të vish nga Ohri këtu, nga Pogradeci në Ohër nuk mund të shkosh, duhet të kalosh nga Shën Naumi. Vjen trageti nga Ohri plot, rrinë dy, tre orë dalin shëtitje dhe pastaj shkojnë në Shën Naum, dhe nga aty në Ohër”.“Te moli i qytetit nuk mund të hipësh, vetëm ata vijnë këtu, për ne nuk është hapur linja. U inaugurua, dhe na mashtruan duke na thënë se do ishte edhe për Shqiptarët por nuk e dimë si është puna që ne nuk  nisemi dot nga këtu”.

Dëshmia e punonjësit të policisë te moli: Trageti, vetëm me shoqata turistike nga Maqedonia

Sipas policit te moli, trageti është me shoqata turistike që ka Maqedonia dhe organizohet prej saj. Sipas tij, për atë çka do ndodh me turistët shqiptarë ende nuk ka një përgjigje. Kaq mjafton për të thënë se trageti maqedonas vazhdon të lundrojë, ndërsa ai i shqiptarëve u mbyt ende  pa u nisur nga moli i Pogradecit. Ai u fundos dhe “epikriza” mbanë firmën e ministrit më të dështuar të qeverisë Berisha, por që çuditërisht vazhdon me turp të mbajë postin e qeveritarit edhe në qeverisjen “Rama”. Fatkeqësisht uji i ftohtë i liqenit nuk mundi të lante çorapet e djersitura nga pisllëku që i kishte mbuluar ato gjatë kohës që Edmond Haxhinasto ishte ministër i Energjetikës dhe koncesioneve. Ky rast dhe dhjetëra të tjerë që do bëhen prezentë përditë jo vetëm që shtuan zullumin por do shërbejnë si një alarm për Kryeprokurorin Adriatik Llalla, i cili pas kthimit nga SHBA-të duhet të japë shembullin dhe të mbajë fjalën e premtuar se do luftojmë pa kompromis korrupsionin. Rasti Haxhinasto është shembulli më i mirë për drejtësinë e një vendi që pretendon BE-në