Trafiku në Vlorë, Bashkia fajëson Policinë e Shtetit

629
Sigal

INTERVISTA/ Përgjegjësi Ardian Musta: “Nuk ka këmbë polici në rrugë, nuk zbatojnë tabelat dhe nuk gjobisin shoferët”

Ka qenë paraditja e të hënës, kur gati nuk janë përplasur katër mjete që vinin në 4 drejtime të ndryshme në kryqëzimin vetëm pak metra larg teatrit “Petro Marko”. Kjo skenë ka krijuar panik tek qytetarët, disa prej të cilëve u rrezikuan. Për çudinë e të gjithëve, nuk është parë asnjë uniformë policie dhe ndoshta për këtë shkak mjetet i kanë hapur rrugë njëra- tjetrës, pa u konfrontuar duke lënë vetëm gjurmët e panikut tek qytetarët. Si për ironi, në këtë kryqëzim kryesor të qytetit, qëndrojnë në heshtje semaforët, që janë shndërruar në relikë që nga vitit 1996. Ky i sotmi, është incidenti i radhës përgjatë shëtitores kryesore “Ismail Qemali” të qytetit të Vlorës, pasi skena të tilla do të hasësh çdo ditë. Në të gjitha akset rrugore, për shkak të këtyre mangësive, por edhe për numrin e madh të mjeteve që lëvizin në shëtitoren kryesore, kaosi është i përditshëm, rreziku për qytetarët është evident. Nuk janë të pakta rastet që kanë qenë fatale për jetën e njeriut, ndërsa rekordin do ta mbajë rruga “Transballkanike”, që e mbetur përgjysmë, pa asnjë sinjalistikë e ndriçim, ka marrë plotë 10 jetë njerëzish të pafajshëm. Nisur nga kjo situatë, kërkuam prononcimin e drejtuesit të sektorit të shërbimeve komunale në bashki z. Ardian Musta.

Z. Musta, nuk e shqetëson bashkinë e qytetit situata e rënduar e trafikut në qytet?

Kush thotë që nuk na shqetëson. Bashkia ka vendosur tabelat përkatëse që normalizojnë disi trafiku, por ato nuk zbatohen as nga drejtuesit e mjeteve dhe për më tepër nga policia rrugore, që thuajse mungon totalisht me shërbimet e saj në rrugët e qytetit.

Keni raste konkrete, apo është një opinion në përgjithësi i juaji z.Musta?

Sigurisht që, mund të flas konkretisht me akset rrugore, ku mjetet duhet të parkojnë vetëm në një anë, në të vërtetë janë në të dy anët e rrugës. Janë thuajse të gjitha akset që bëhet kjo shkelje dhe policia rrugore nuk reagon. Për këtë shkak i kemi dërguar shkresë zyrtare policisë, që të kryejë detyrën, pasi tabelat e vendosura nga ana jonë, janë kudo.

Vlora, një qytet kaq i madh, qytet turistik, nuk ka semaforë. Përse janë shndërruar në relikë dhe bashkia nuk investon për vënien e tyre në punë?

Projekte ka pasur për të ndryshuar e vendosur semaforë të rinj, pasi ata ekzistuesit nuk kanë qenë funksionalë, por nuk ka fonde. Gjithsesi, tashmë u ka ikur koha semaforëve, pasi ulin shpejtësinë, kërkohen rreth-rrotullime. Nga ana tjetër dua t’ju them se brenda një kohe të shkurtër bashkia do të “çlirojë” shëtitoren kryesore të qytetit nga lëvizja e mjeteve, do të vërë në dispozicion të qytetarëve, ndërsa mjetet do të qarkullojnë në unazë.

Kjo është thënë kohë më parë nga bashkia, duket ka mbetur një premtim në fjalë?

Ndoshta erdhi koha e duhur për të spostuar qarkullimin e mjeteve nga shëtitorja, që tashmë ka ndryshuar qoftë nga trotuaret e shtruara, nga ndriçimi që po vendoset, ashtu edhe shtrimi i shëtitores. Bashkia ka strategjinë e saj për investimet në infrastrukturë, por shumë projekte janë shtyrë apo hequr nga lista, për shkak të mungesë së fondeve. Vlora përgatitet për 100- vjetorin e Pavarësisë dhe në vend që Qeveria të akordonte fonde, për të kontribuar për investimet me rastin e këtij eventi, bllokoi grandin në thesar, pasi i kalohet CEZ-it. Fondet e bashkisë, megjithë problematikën për t’i mbledhur taksat me gjendjen e keqe të biznesit, kanë qenë dhe mbeten në dispozicion të komunitetit dhe shërbimeve për publikun.