Trafiku i verës në Vlorë i nxjerr “kallajin” Lungomares

531
I gjithë trafiku, për shumëkënd që kalon në rrugën nacionale në Vlorë nga qendra e qytetit e deri në Skelë e ka një përgjigje: Projekti fillestar është ndryshuar, por askush nuk di të thotë arsyen përse. Ky aks ka qenë gjithnjë problematik për banorët e zonës, e sidomos në periudhat e verës ku fluksi i vizitorëve pothuajse trefishohet. Fillimisht qytetarët e Vlorës u gëzuan për këtë projekt, por sot të paktë janë ata që i kanë ndjerë përfitimet. Por cili është rrugëtimi i nisjes së një projekti gjigand dhe mbërritjes deri në këtë pikë ku shumë udhëtarë presin mesatarisht 2 orë në trafik?

Kohë më parë ka qenë vetë kryeministri Edi Rama, si deputet i kësaj zone, që e shpalli me bujë projektin gjigand dhe që sipas tij, pas përfundimit do t’i jepte tjetër frymëmarrje qytetit bregdetar. Shpalljen e konkursit ndërkombëtar për projektin e zhvilloi Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit dhe nga 25 oferta u përzgjodh ajo e studios belge “XDGA”. Në planet e prezantimit të projektit dukej qartë ndarja e rrugës në dy akse me nga dy korsi në secila anë, e po ashtu edhe një korsi për biçikletat. Këtë nuk ngurron ta pohojë as Bashkia e Vlorës. 
Projekti fillestar

Ja se çfarë shkruhet në faqen e saj në datën 19 gusht 2015-të: “Kjo, do të plotësohet me hapësirë të konsiderueshme parkimesh, një nga elementet e dukshme të këtij projekti. E shprehur më qartësisht, në pjesën e majtë të shëtitores Skelë-Uji i Ftohtë, do të ndërtohen hapësirat e parkimeve, ndërkohë që në pjesën e djathtë janë parashikuar pedonalja dhe korsia e biçikletave. Projekti parashikonte dy korsi automjetesh, me kahe të ndërsjellët, të ndara me një hapësirë të gjelbër, çka është konsideruar e mjaftueshme nga projektuesit për fluksin e lëvizjes me makina. Por sot çdokush mund të bëjë dallimin me sy të lirë. Jo vetëm që gjelbërimi në mes të akseve nuk shihet në asnjë vend, por rruga sa i përket ngarkesës me trafik është më keq se përpara se të bëhej Lungomare”.
Me anë të këtij vendimi, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi projektin belg dhe zbatimin nga studioja fituese. Zbatimin dhe mbikëqyrjen e saj e ka Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili ka dhënë edhe paratë për ndërtimin e Lungomares. Por sot askush nuk di të thotë se cili është përgjegjësi për këtë skandal. Firma që po bën punimet? Fondi Shqiptar i Zhvillimit i cili ka dhënë vetëm për gjelbërimin e saj 1 milion dollarë, Autoriteti Rrugor Shqiptar si përgjegjës për akset nacionale? Ligjërisht nëse projekti do të ndryshonte rrugës, duhej të merrte më parë miratimin në KKT.

Sigal