Trafiku i drogës me avion, shteti si struci që fut kokën në rërë

65

Ministri Tahiri vihet në siklet në daljen për shtyp. Pyetje pa përgjigje: Ku është ngarkuar droga, në Rinas apo do ngarkohej në Lushnje, po roli i policisë?

Akuzat për transport ndërkombëtar të drogës me avion nga Shqipëria, drejt vendeve fqinje, ndonëse të shumta deri në kufijtë e të pabesueshmes, marrin vërtetësi (qoftë dhe vetëm për faktin), ndërkohë, Ministria e Brendshme e qeveria, përballë këtij fakti, nga mungesa e informacionit apo nga ‘kapja me presh në duar”, përtej vlerësimit si “sukses i policisë në kapjen e drogës e trafikantëve”, të japin përshtypjen e strucit që fsheh kokën në rërë…. Deklarata zyrtare të Kryeministrit, ministrave në pushtet e deputetëve, më tepër se sa të sqarojnë faktin, situatën, më tepër e mbështjellin me mjegullën e misterit… Një situatë e rëndë kjo, që përveç faktit të provës së trafikut të drogës nga ajri, lë dyshime të forta për funksionimin dhe kryerjen e detyrës nga policia, drejtuesit e saj, ministri e kreu i qeverisë…. Në një vend demokratik, përtej një informacioni të përgjegjshëm e të saktë zyrtar, dorëheqja do të ishte hapi minimal…

MINISTRI I BRENDSHËM

Avioni i bllokuar në rërën e plazhit të Divjakës kishte si qëllim transportimin e lëndëve narkotike drejt Italisë. Lajmi u konfirmua nga ministri i Brendshëm Saimir Tahiri në një konferencë për shtyp, ku bëri të ditur se piloti i avionit dhe drejtuesi i automjetit që u kap me drogë kanë qenë në një sipërmarrje bashkëpunuese, për të organizuar trafikun e drogës nga Shqipëria në shtetin fqinj. “Konfirmoj ato që deri dje ishin vetëm dyshime paraprake dhe që pritet të zbardheshin nga ekspertët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Është konfirmuar se avioni i ulur në Divjakë dhe makina e kapur nga policia ashtu siç të dy shtetasit, italiani dhe shqiptari kanë qenë në një sipërmarrje bashkëpunuese, për të organizuar atë që mbeti në tentativë, trafiku i lëndëve narkotike”,- deklaroi ministri Tahiri. Sipas ministrit të Brendshëm, ngjarja në Divjakë është dëshmi e nxitjes së krimit nga opozita. “Ngjarja është dëshmi se si nxiten instinktet kriminale nga politika e papërgjegjshme e nxitjes së krimit dhe trafikut të drogës nga goja e atyre që vetëm pak muaj më parë ishin në krye të të gjitha pushteteve, për të bërë jo vetëm punët e vendit po dhe disa punë të tjera”,- deklaroi Tahiri.  Ministri siguroi se, hetimet për këtë ngjarje janë të plota dhe shumëdimensionale. Ai konfirmoi se avioni ka fluturuar në hapësirën ajrore shqiptare konform të gjitha rregullave, ndërsa institucionet janë vënë në lëvizje sapo piloti ka shkëputur komunikimin me kullën e kontrollit.  “Nuk ka pasur asnjë avion fantazmë, por avion i regjistruar me leje për të hyrë dhe për të dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë. Të gjitha institucionet janë vënë në lëvizje në kohë rekord që në momentin që u shkëput komunikimi me avionin”,- deklaroi ministri.  Ndër të tjera ministri Tahiri i cilësoi si “fantazi të shfrenuar” deklaratat e ish-Kryeministrit Berisha se avioni ka rënë për shkak të mbingarkesës së drogës.
BLLOKIMI I AVIONIT DHE MAKINËS ME DROGË
Avioni “Piper Lance II” u bllokua ditën e shtunë nga policia në plazhin e Divjakës, vetëm 400 metra larg një automjeti të ngarkuar me 460 kilogramë drogë.  Ngjarja ndodhi në orën 14:40. Piloti i avionit, shtetasi italian Giorgio Riformato, u ndalua ndërsa transportuesi i ngarkesës së drogës me makinë, Saimir Bajrami, u arrestua pak orë pas ngjarjes.  Në momentin e arrestimit, të dyshuarit Saimir Bajrami i janë sekuestruar dhe 27 000 euro. Ai akuzohet se ka afruar në zonën ku u ul avioni makinën tip “Mitsubishi” me targë “AA 794 EU” me një ngarkesë droge të llojit hashash. Pranë automjetit, pas bllokimit të avionit janë gjetur disa çanta me lëndë narkotike në afërsi të saj.

DËSHMITË E TRAFIKANTIT

Në një farë mënyre, trafikanti shqiptar i kapur nga policia, i ka ardhur në ndihmë policisë për hetime, pasi ka pranuar se droga do trafikohej në rrugë ajrore nga ai dhe piloti Italian. 35-vjeçari Saimir Bajrami, i arrestuar të shtunën nga policia e Lushnjës nën akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike, ka pohuar sot se ka pasur njohje më pilotin e avionit që u bllokua dje në plazhin e Divjakës.
Burime të Policisë bëjnë të ditur se i riu nga Elbasani, i cili kishte vetëm tri ditë që kishte ardhur në Shqipëri nga Italia, ka pranuar se droga e gjetur në makinën e tij do të transportohej në Itali. Ai u ka shpjeguar hetuesve faktin se droga e afruar në plazhin e Divjakës me automjet do të ngarkohej në avionin e pilotit Giorgio Riformato, me qëllim trafikimin e saj drejt Italisë. Por pas kësaj dëshmie, 35-vjeçari ka pranuar se ka ardhur në Shqipëri në të njëjtën ditë me pilotin italian, me të cilin njihej në Itali. Burime nga policia bëjnë të ditur se deponimet e dy të arrestuarve janë të kundërta, pasi shtetasi italian nuk pranon të ketë njohje me 35-vjeçarin Barjami.

MEDIA NDËRKOMBËTARE
Shumë media ndërkombëtare, midis tyre dhe CNN e kanë transmetuar historinë e avionit me drogë në Divjakë. Në esencë, kjo lajmi i CNN konfirmon se, “Rrëzohet avioni, gjysmë ton droge gjendet pranë tij”. Në këtë artikull thuhet se, kjo ngjarje faktoi akuzat e opozitës për trafik droge nga Shqipëria për në vende të tjera të Europës. Gjithashtu, një hapësirë ky lajm ka gjetur edhe në Associated Press, e cila e konsideron lajmin si jo të zakontë dhe shpjegon se qeveria gjendet përpara një skandali të madh. Ndërkaq, mediat italiane i kanë dhënë më shumë jehonë faktit se piloti i avionit ka qenë një italian.

Shkrime, vëzhgime dhe komente, duke filluar që nga pasditja e shtunë dhe në vazhdim, për këtë ngjarje kanë folur e shkruar shumë agjenci e gazeta të vendeve të ndryshme.

TAKIMI NISHANI LLALLA

Presidenca ka shpërndarë të dielën njoftimin zyrtar mbi takimin e kreut të shtetit me Prokurorin e Përgjithshëm që u zhvillua të shtunën në darkë. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i kërkoi Kryeprokurorit Adriatik Llalla, që organi akuzës të angazhohet maksimalisht për t’i dhënë jetë një hetimi sa më transparent të ngjarjes së ndodhur ditën e shtunë, ku një avion i tipit “Pipper” mbeti i bllokuar në plazhin  Divjakës. Presidenti i Republikës me t’u njoftuar për ngjarjen, bëhet me dije nga zyra e shtypit e Presidencës, thirri dhe zhvilloi një takim pune në Zyrën e tij me Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla rreth ngjarjes së rëndë të Divjakës, ku mbeti i bllokuar një avion dhe u kapën disa qindra kilogramë kanabis nga një automjet  pranë zonës, ku u ul avioni. Presidenti Nishani i kërkoi Kryeprokurorit Llalla angazhimin maksimal të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të drejtuar hetimin që në çastet e para deri në zbulimin e plotë të ngjarjes. Duke siguruar për mbështetjen e tij të palëkundur institucionale, kreu i shtetit shqiptar theksoi gjatë takimit me drejtuesin e organit të akuzës, zotin Llalla, se hetimi i kësaj ngjarjeje duhet të jetë i gjithanshëm, me profesionalitet të lartë, transparent si dhe i besueshëm

PËRTEJ DEKLARIMEVE TË TAHIRIT

Pyetja e drejtpërdrejtë në konferencën e shtypit se, “Ku qëndron suksesi i Policisë kur një avion bie se iu prish goma apo helika? Kishte informacion Policia, ishte informacioni juaj?”, e ka vënë në siklet ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Për më tepër, e ka nxjerrë atë “zbuluar”.  Ai u përgjigj: “Preferoj që përballë meje të më citoni drejt, ndërsa në edicionet e lajmeve mund të bëni çdo lloj gjëje. Policia e Shtetit me burime informacioni, ishte e angazhuar dhe jo vetëm tani, për të parandaluar dhe luftuar trafikun e drogës edhe duke shtuar forcat në kontrollin e territorit dhe në kufi”. Po shumë gjëra mbështillen me mister, apo titullari Tahiri nuk ka çfarë të thotë… Bie fjala: Kapja e avionit u bë se ai u rrëzua, apo ishte aksion i policisë: Droga është ngarkuar në Rinas (siç akuzojnë dhe disa politikanë të djathtë), apo do merrej në Lushnjë, aty ku u ul apo u rrëzua avioni?  Është regjistruar në regjistrin përkatës të aeroportit piloti bashkë me trafikantin shqiptar, pasi përflitet se piloti është future në mjet I maskuar si punonjës(pilot) shqiptar? Ku është marrë, si erdhi aty ku u gjet, ku do të shkonte dhe si do të shkonte droga në destinacion? Cili është informacioni zyrtar i agjencive të huaja lidhur me këtë ngjarje, nëse ka? Policia u gjend pas njoftimit në vendin, ku u rrëzua avioni, apo kishte informacion që përpara? Asnjë përgjigje zyrtare nuk jepet për këto pyetje! Misteri shtohet dhe më tej…

Rama: Partnerët të mbresuar nga lufta jonë antidrogë
TIRANË- Në përgjigje të akuzave të PD-së, Kryeministri Rama reagoi sërish sot në rrjetet sociale, duke sjellë në vëmendje komentin e një prej miqve të tij të huaj, por pa i përmendur emrin. Ai, ndryshe nga përgjigjet e dhëna akuzave për këtë problem, ditë më parë, është detyruar të pranojë faktin (avionin dhe drogën) duke dhënë dhe shpjegime. “Një mik i huaj më tha, vetëm tek ju ndodh që policia të bëjë një operacion antidrogë si i djeshmi dhe të akuzohet si fajtore!”- shkruan Kryeministri në “Facebook”. Sipas Kryeministrit, partnerët ndërkombëtarë janë të mbresuar nga lufta antidrogë. “Partnerët të indinjuar? Edhe mua kështu më duket, por me kë e pse s’më lejon detyra ta them! Një gjë e sigurt: Të mbresuar nga lufta jonë antidrogë”,- shkruan më tej Kryeministri. Një ditë më parë Kryeministri Rama, ka mbështetur policinë në operacionin e saj. “Operacioni antidrogë, prova e fortë e radhës se shteti po ri ngrihet me shpejtësi e Policia e Shtetit është kthyer në krye të detyrës!” – shkroi dje Kryeministri Rama në “Facebook”.

Basha: Qeverisë së Rilindjes i mbeti droga në derë

TIRANË– Për Partinë Demokratike ulja e avionit në Divjakë ka nxjerrë në dritë të vërtetën e trafikut të drogës. Hapat që opozita do të ndërmarrë pas ngjarjes së djeshme në Divjakë, u vendosën sot në mbledhjen urgjente të PD-së, të thirrur nga Kryetari Lulzim Basha. Mbledhja me dyer të mbyllura… Lulzim Basha tha se, “qeveria e Edi Ramës është rrëzuar moralisht”. “Ngjarja e djeshme ka tronditur dhe indinjuar thellë gjithë opinionin publik opozitën por dhe partnerët ndërkombëtare. Nuk është siç përpiqet të mashtrojë kryeministri një operacion policor. I madh e i vogël, shqiptarët tashme dinë se avioni ka pasur avari, nuk e kanë kapur këta avionin. Avioni u ka rënë në prehër, droga u ka mbetur në derë. Ky është një konfirmim i asaj që opozita ka thënë prej kohësh. Është një konfirmim i asaj që ka thënë PD dhe opozita edhe për ata qytetarë që nuk i kanë besuar këto akuza. Ka një indinjatë të natyrshme të qytetarëve shqiptarë. Ka një shqetësim të madh të mbarë opinionit publik”,- tha Basha.