Trafikantët shesin pasuritë, hetim hipotekave dhe noterëve

900
Përparim HALILI

Trafikantët nisin shitjen dhe fshehjen e pasurive, noterët dhe hipoteka do të urdhërohen për bllokim veprimesh
Sinjal sekuestrosh e zhurmë prangash edhe për personazhe policore, biznesesh, politike e shtetërore të lidhur me botën e krimit 
Grupet dhe personazhet e botës së trafiqeve kriminale, të njohur për fuqi dhe bazë ekonomike-financiare në Shqipëri, por me veprimtari kriminale në rajon dhe në vendet e BE, janë përfshirë në panik të plotë, prej frikës se paralajmëruar e të pritshme, se pasuritë e tyre do sekuestrohen nga drejtësia për llogari të shtetit shqiptar ose të personave e familjeve që u janë grabitur me dhunë e letra false. Të bindur plotësisht, që janë skeduar si grupe dhe individë të “listuar”, të pasuruar nëpërmjet veprimtarive kriminale në mbjellje, kultivim, përpunim, shitje dhe trafikim droge jashtë kufijve të Shqipërisë, në prostitucion, vrasje me pagesë, peng-marrje, trafik armësh e gjithçka të paligjshme, ata kanë nisur lëvizjen për zhdukjen e “gjurmëve” të pronave që posedojnë! Sipas burimeve të gazetës “Telegraf”, thuhet se në 10 ditët e fundit, por veçanërisht në dy ditët pas skandalit të “Grupit të drogës” që implikon edhe ish-ministrin e Brendshëm, deputetin aktual të PS Saimir Tahiri, trafikantët kanë nisur operacionin e “pastrimit” të pasurive të tyre fizike, të regjistruara si prona të paluajtshme. Burimet thonë, se ata kanë zbarkuar në zyrat noteriale në të gjithë rrethet ku kanë regjistruar pasuritë e tyre të paluajtshme, për t’i ç’regjistruar ato e për t’i kaluar në emra të tjerë, me çdo lloj procedure që njeh ligji i tjetërsimit të pasurive të paluajtshme në Shqipëri! Personazhet dhe grupet e trafiqeve, që në 60% të rasteve janë “ortakë biznesi e pronësor” në pasuri të shumta në bregdet, resorte e fshatra turistikë, qendra prodhimi e linja shërbimi, kanë nisur të shesin pasuritë që kanë në zotërim shkresor e faktik, por edhe duke kryer fiktivisht tjetërsimin, tek “pronarë të rinj”, si një lëvizje për t’i fshehur ato tek familjarë, krushqi, të afërm dhe persona të besuar të tyre! Kjo lëvizje po bëhet në qytetet kryesore të vendit, kryesisht në zonat bregdetare e liqenore, ku ata posedojnë pasuri të shumta në vila, banesa, restorante, agjenci turistike detare, ajrore, tokësore, PUB-e, fabrika e gjithçka tjetër që u sjell fitime të majme, deri me aktivitete ekonomike monopol, të krijuar po me akte kriminale! Sipas informacioneve, zyrat noteriale kanë kryer disa veprime kalimesh pronësore nga grupet dhe personazhet e botës së krimit, tek “blerës” të tjerë, referuar ligjit në fuqi. Fluksi më i madh për shitje, dhurim, ndryshim emrash pronësie me kaq emergjencë dhe dyndje, konstatohet ndaj pasurive të paluajtshme të grupeve kriminale dhe kriminelëve e trafikantëve të “paluajtshëm e të paprekshëm”, që kanë pasuri të shumta e gjigante në zonat preferenciale në Tiranë, Elbasan, Vlorë, Durrës, Korçë, Shkodër, Sarandë, Fier. Lezhë e deri në Alpe në zonën veriore të vendit, ku prej disa vitesh ka nisur mësymja për resorte turistike! Frika e verifikimit, zbulimit dhe sekuestros së pronave në kuadër të procesit të “Veting”-ut dhe dekriminalizimit të shoqërisë e politikës, ka përfshirë edhe shtetarët që janë pasuruar nëpërmjet “resurseve” të aktiviteteve të krimit ekonomik-financiar, ose bashkëveprimit me grupet dhe individët e krimit. Synimi i tyre është të shpëtojnë nga sekuestrimi pasuritë që ka në vendosur. Hapi i parë që ata kanë nisur të hedhin, janë akt-shitjet dhe akt-dhurimet fiktive, por edhe reale që ata po bëjnë në zyrat noteriale, shumica me “Prokurë Përfaqësimi”, për shkak se nuk duan të shfaqen ose janë jashtë kufijve në aktivitetet e tyre, por edhe në kërkim nga polica. Shërbimet e anti-krimit ekonomik financiar që kanë marrë sinjalin e kësaj lëvizjeje për fshehjen dhe shitjen e pasurive kriminale, kanë kërkuar nga autoritetet shqiptare, që të bllokojnë këtë tentativë, duke urdhëruar zyrat e hipotekave që të mos kryejnë veprime, pa verifikuar burimin ligjor të trashëgimisë, marrjes, blerjes, krijimit dhe dhurimit të pasurive të paluajtshme! 
Gati prangat e para, për disa shtetarë dhe ish-shtetarë…
Në redaksinë e gazetës “Telegraf”, ka mbërritur një informacion prej funksionarësh të drejtësisë shqiptare, që tashmë “komandohen” nga shërbimet ndërkombëtare, të cilët po monitorojnë procesin e pastrimit të politikës e shtetit nga “llumi”, të cilët duket se pas 27 vitesh krim i shfrenuar ekonomik-financiar me autorë politikanë e ish-politikanë, shtetarë e ish-shtetarë, paskan vendosur ta çojnë deri në fund jo vetëm skemën e reformës në drejtësi, por edhe çuarjen përpara “drejtësisë së rilindur”, të atyre që kanë instaluar dhe shfrytëzuar këtë lloj krimi! Një “sinjal” që nuk do të “kënaq”, por do të rikthej shpresën e drejtësisë së barabartë në këtë vend, bën me dije, se në “territorin” e drejtësisë ka projekti i çuarjes në pranga, të ish-funksionarëve dhe funksionarëve të parë të lartë të Shqipërisë! Ende nuk dihet, se ku dhe kur do t’i dalë “tymi” kësaj katrahure të krijuar në Shqipëri. Gjithsesi, miratimi i ligjit të “Veting”-ut, nuk ka kaluar si formalitetet e tjera të këtyre 25 viteve, por si veprim konkret e aktiv. Këtë e provon informacioni i ardhur në redaksi, sipas të cilit thuhet se këto ditë nis zbatimi platformës së efekteve vepruese të drejtësisë ndaj personazheve “VIP”, që kanë bërë “mëkate” të rënda ndaj këtij vendi e këtij populli! Me diktat të ndërkombëtarëve që po komandojnë reformën në drejtësi dhe procesin e nisjes së zbatimit së drejtësisë, thuhet se brenda 15 shtatorit 2016, disa funksionarëve “VIP”, do t’u dërgohet në derë të shtëpisë e të zyrës “129”, ose “letra” e drejtësisë, për t’u çuar e për të shkuar atje ku “rrëfehen” e ndëshkohen mëkatet e bërë! tashmë janë përcaktuar tre momentet mbi të cilët do të nis ky “operacion”: Periudha që do të hetohet, llojet e krimeve që do të hetohen dhe emrat e personave përgjegjës urdhërues, nxitës e mbrojtës të krimeve. 
Ja çfarë përcakton ligji i datës 27 prill 2017, për pasuritë e fshehura, të siguruara nga aktivitete kriminale 

– Ligji Nr. 70/2017 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” 

Neni 3 
1. Dispozitat e këtij ligji zbatohen për pasuritë e personave, që zotërohen plotësisht ose pjesërisht, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, siç përcaktohet në pikën 2, të këtij neni, mbi të cilët ekziston një dyshim i arsyeshëm, i bazuar në indicie, për: 
a) pjesëmarrje dhe kryerje të krimeve nga banda e armatosur, organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal, të parashikuara nga kreu XI i Kodit Penal 
b) pjesëmarrje dhe kryerje e krimeve nga organizata terroriste dhe krimeve për qëllime terroriste, parashikuar nga kreu VII i Kodit Penal
c) kryerjen e krimeve të parashikuara në nenet 109, 109/b, 110/a, 128/b, 278/a, 282/a, 283, 283/a dhe 284/a të Kodit Penal
ç) pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal; d) kryerjen e krimeve të parashikuara në nenet 164/a, 164/b, 183, 244, 244/a, 245, 245/1, 256, 257, 257/a, 258, 259, 259/a, 260, 312, 319, 319/a, 319/b, 319/c, 319/ç, 319/d, 319/dh dhe 319/e të Kodit Penal, në rastet kur ekzistojnë indicia, për përfitim pasuror të paligjshëm. 

2. Dispozitat e këtij ligji zbatohen edhe ndaj pasurive të personave të përmendur në pikën 1, të këtij neni, në pronësi, ose të zotëruara në mënyrë të tërthortë nga: 
a) personat e afërm (bashkëshorti, fëmijët, të paralindurit, të paslindurit, vëllezërit, motrat, bashkëjetuesi), për të cilët prezumohet regjistrimi i rremë, përveçse kur provohet e kundërta; 
b) personat fizikë ose juridikë, për të cilët ka të dhëna të mjaftueshme se pasuritë ose veprimtaritë e tyre zotërohen, pjesërisht ose plotësisht, në mënyrë të tërthortë nga personat e përmendur në pikën 1, të këtij neni, ose janë përdorur, kanë lehtësuar apo kanë ndikuar në një formë të caktuar në kryerjen e veprimtarive të jashtëligjshme prej tyre. 

3. Prezumimi i regjistrimit të rremë të pasurive dhe veprimtarive ekonomike të personave të përmendur në pikën 1, të këtij neni, në emër të personave të afërm, të përmendur në shkronjën “a”, të pikës 2, të këtij neni, zbatohet kur ka të dhëna të dobishme, të siguruara në rrugë të ligjshme, të cilat krijojnë dyshimin e arsyeshëm për paligjshmërinë e origjinës së pasurisë. 

4. Të dhënat e mjaftueshme që pasuritë ose veprimtaritë e personit fizik ose juridik të përmendur në shkronjën “b”, të pikës 2, të këtij neni, zotërohen, pjesërisht ose plotësisht, në mënyrë të tërthortë, nga personat e përmendur në pikën 1, të këtij neni, nxirren nga marrëdhënia ndërmjet personit fizik dhe juridik me personat e parashikuar në pikën 1, të këtij neni, dhe nga të dhëna të dobishme, të siguruara në rrugë të ligjshme, të cilat krijojnë dyshimin e arsyeshëm për paligjshmërinë e origjinës së pasurisë. 

5. Masat parandaluese mund të kërkohen dhe ndaj trashëgimtarëve të personit, subjekt i zbatimit të këtij ligji, por, në çdo rast, jo më vonë se 5 vjet nga data e vdekjes. 6. Ky ligj zbatohet edhe për pasuritë e personave, të vëna përpara hyrjes në fuqi të tij, me kusht që të ekzistojnë indicie të rëndësishme për përfshirjen e tyre në veprimtari kriminale, në kohën e vënies së pasurisë.”. 
Sigal