Trafikantët i kërkojnë qeverisë të planifikojë në “Planin ekonomik 2018” edhe prodhimin e hashashit

564
Jo vetëm për të qeshur
Zëra nga brenda kupolës së qeverisë, thonë se trafikantët dhe kultivuesit e hashashit, i kanë dërguar një letër reaguese qeverisë, konkretisht ministrit të Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj, që të rishikojë Planin ekonomik të vitit 2018, mbasi është i mangët në disa tregues përcaktues të rritjes ekonomike kombëtare dhe shtimit të eksportit. Sipas tyre, brenda Planit ekonomik-2018, mungon një tregues që ka treguar me prova konkrete edhe ndërkombëtare, se është prioritar dhe dominues në ekonominë shqiptare. Sipas letrës së dërguar në qeveri, ata kërkojnë që në planifikimin e treguesve të zhvillimit dhe rritjes ekonomike për vitin ardhshëm, të futet edhe plani i prodhimit të hashashit. Ky planifikim, të mos llogaritet në projektin “1 miliardë euro”, por të lihet si zonë e lirë me objekt “Prodhim, përpunim, tregtim, eksport hashashi”, siç është lënë deri tani, duke mos u përfshirë fare shteti në ecurinë dhe sigurinë e këtij produkti. Ky planifikim, nuk kërkon, as fonde e as investime nga shteti, as projekte dhe as analiza ekonomike financiare, mbasi siç thonë letërshkruesit, këto i planifikojnë vetë! Kërkohet vetëm përfshirje e këtij prodhimi, në zërat e prodhimeve të tjera, madje përpara shumë sektorëve të tjerë. Ata i thonë qeverisë, se kërkojnë që qeveria të jetë vetëm dashamirëse edhe në vazhdim, siç ka qenë gjatë 3 viteve të fundit. ne thonë ata, investojmë vetë, duke përdorur të ardhurat e tyre, të cilat bëhen farë hashashi, sera, puse uji, rrugë, paga punonjësish, shpenzime ushtarake për çetat e armatosura që mbrojnë parcelat, transport rrugor, shpërblime për zyrtarët dhe punonjësit e policisë, shpenzime transporti detar e ajror dhe shumë kosto të tjera, për të cilat, qeverisë nuk i kërkohet asnjë qindarkë, përkundrazi, i janë dhënë miliona euro shpërblime për fushatat elektorale, për dieta, për byzylykë bashkëshortesh, për vetura, për shkollime fëmijësh jashtë shtetit, për blerje jahtesh, për blerje votash, për pushime shtetarësh e madje edhe për pagat e ndihmës ekonomike në disa zona. Ata i kujtojnë qeverisë, se kanë realizuar rritjen e shifrës së punësimit prej 200 mijë vetësh në bujqësinë, industrinë, shitjen dhe transport-eksportin e hashashit, vende pune këto, që ministri Ahmetaj i përmend si “sukses të politikave ekonomike fleksibile të qeverisë”. Kultivuesit i premtojnë qeverisë, se nëse planifikohen si sektor ekonomik për vitin 2018, do të shtojnë 300 herë eksportin në krahasim me vitin 2017, do të rrisin 3 herë fuqinë punëtore, do të shtojnë me 2 herë pagesat në duart e shtetarëve e politikanëve dhe do të krijojnë fondin special për fushatat zgjedhore.
Sigal