Trafikantët e drogës zaptojnë klinikat dentare dhe lokalet e shkollave

568
Rrjetet e trafikut dhe shpërndarjes së drogave kanë gjetur një metodë të re ose një “shpikje”, e cila së fundi është në rrugën e zbulimit nga agjentët e policisë, falë jo aftësive të tyre. Bëhet fjalë për shitjen e drogave 5-10 ose 500 gramësh në klinikat dentare, duke implikuar edhe ndonjë mjek stomatolog, i cili duke lënë “orare” me të rinj dhe të reja, u shet atyre mallin e kërkuar. Sipas një ish-shpërndarësi, që aktualisht ka hequr dorë nga zanati i tij, pasi ka kryer 6 muaj burg dhe ka humbur shumë, “kjo shpikje ka mbi 1 vit që po aplikohet mrekullisht, pra shitja e mallit bëhet në ndonjë klinikë dentare, atje ku nuk bie në sy as shitësi dhe as blerësi, ku të shumtët janë përdoruesit kronikë, studentët dhe moshat e tjera, kurse paratë mblidhen nga mjeku stomatolog dhe ndahen në ditë të caktuara kur vijnë kapot”. Sekreti i “shpikjes” është nxjerrë nga arrestimi i disa shpërndarësve dhe korrierëve të drogave, duke vënë në lëvizje agjentët e Antidrogës. Sipas të njëjtit burim “bëhet fjalë për të paktën 2 klinika dentare që janë implikuar në rrjetin e shpërndarjes dhe shitjes së drogës, duke fituar goxha para, pasi me mbushjet dhe shkuljet e dhëmbëve nuk mund të blesh klinikën e re, makinën 35 mijë euro, dhe të kryesh shpenzime marramendëse”. Agjentët e Antidrogës, deri para disa muajsh ishin në “gjumë” dhe nuk kishin rënë dhe nuk kishin zbuluar asgjë, kurse në rastin më të keq, ata ishin bërë bashkëpunëtorë të mjekut stomatolog apo trafikantëve. Në Elbasan vitet e fundit janë rritur ndjeshëm grupet dhe rrjetet e trafikut të drogave, duke zgjeruar rrethin e tyre si gjeografikisht ashtu edhe nga pikëpamja e shtresave shoqërore. Këtë e ka vërtetuar së fundit edhe lidhja dhe shpikja tyre për shitjen apo shpërndarjen e porcioneve të drogave për përdoruesit, në klinika dentare. Prej disa muajsh agjentët e Antidrogës janë vënë në lëvizje dhe kanë identifikuar deri tani dy mjekë stomatologë, që kanë krijuar prej 1 viti lidhje të ngushta me rrjetin e trafikantëve dhe kanë përfituar goxha para. Tregu i shitjes së drogave synohet kryesisht në shkollat e mesme, lokalet pranë tyre, tek studentët dhe përdoruesit e rregullt. Duket sikur Antidroga ka mbetur mbrapa dhe e pafuqishme për të zbuluar dhe goditur rrjetet e zgjeruara të trafikut dhe shpërndarjes së drogave në Elbasan. Para 1 viti në gjirin e policisë u zbuluan, ndaluan dhe u larguan përfundimisht nga radhët e uniformave blu 6 efektivë, që u vërtetuan se kishin lidhje me rrjetet e trafikut dhe kishin përfituar para prej tyre, duke dekonspiruar dhjetëra aksione dhe përgjime. Muajt e fundit forca zbuluese dhe goditëse e strukturave të Antidrogës, ka pësuar zbehje të ndjeshme. Kjo për faktin se, në Elbasan ka drejtues shkollash, fakultetesh dhe institucionesh, ka pronarë lokalesh që ankohen dhe kërkojnë shpesh ndihmën e agjentëve të policisë, e cila nuk u rezulton efikase. Ata shprehen se “duket sikur shpërndarësit janë të kudogjendur, të paprekshëm, do t’i takosh në lagje, rrugica, hyrje pallatesh, kudo dhe nuk u trembet syri, se mund të atakohen me ndonjë agjent policie, pasi edhe me ata e kanë gjetur gjuhën”. Fakti është se, ky fenomen kaq negativ dhe me pasoja të rënda sociale për të gjitha shpresat e shoqërisë, shpesh ka përkrahjen e uniformave të shtetit, madje edhe të ndonjë drejtuesi, të atyre institucioneve që e kanë detyrë ligjore t’i zbulojnë dhe godasin rrjetet e trafikut, por që shpesh kthehen në miq dhe bashkëpunëtorë të tyre. Kaq mjafton, që qytetarët të humbasin besimin tek shteti, dhe t’i kthehen formave dhe mënyrave tradicionale për të mbrojtur fëmijët dhe të afërmit e tyre nga rreziku që u vjen nga helmi i bardhë. 
Sigal