Trafik kanabisi me çantë drejt Greqisë, dy të arrestuar në Kapshticë

656
Sigal

Dy të rinj kanë rënë në prangat e policisë kufitare të Korçës, për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Burime të Policisë Vendore, bëjnë të ditur se të arrestuarit janë Adriatik Rasa, 26 vjeç nga Lushnja dhe Besart Skënderasi, 28 vjeç nga Korça.

Ndalimi i tyre u bë nga shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, në bashkëpunim me Seksionin kundër Narkotikëve. Sipas policisë, dy të arrestuarve iu sekuestrua një sasi prej 21 kg e 400 gr kanabis.

“Në afërsi të fshatit Kapshticë-Devoll, në vendin e quajtur ‘Lugina e vogël’, këtyre shtetasve shërbimet policore të patrullës së kufirit të gjelbër, iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale brenda një çante, një sasi prej 21 kg e 400 gr lëndë të dyshuar si narkotike Cannabis Sativa, të cilën synonin ta trafikonin drejt Greqisë”, njofton zyrtarisht Policia Vendore.

Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë, të dyshuar si të implikuar në këtë ngjarje.